Sejdiu: Opozita të unifikohet për ta rrëzuar Qeverinë

Partitë opozitare e fajësojnë Qeverinë për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, prandaj po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të presidentit Hashim Thaçi. Në anën tjetër, analistët politikë thonë se nëse në fillim të dhjetorit Bashkimi Evropian nuk vendos për liberalizimin e vizave për Kosovës, atëherë sipas tyre vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi vlerësojnë se qeveria “Haradinaj” do të bjerë, shkruan “Zëri”.
Deputeti i pavarur Korab Sejdiu në një prononcim për “Zërin” theksoi nevojën që ka Kosova për zgjedhje të parakohshme.
Duke përmendur çështjen e mosanëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe zgjatjen e çështjes së liberalizmit të vizave, Sejdiu ka thënë se këto nuk janë dështimet e vetme të kësaj qeverie.
Sipas Sejdiut, nuk pritet që qeveria “Haradinaj” të japë dorëheqje, për këtë ai potencoi se shpreson në unifikimin e partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë.
“Nuk mund të them se pres unifikim të partive opozitare, por natyrisht shpresoj që opozita të jetë më e bashkuar dhe njëkohësisht shpresoj që të gjejmë një mënyrë më funksionale të opozitarizimit që do të detyronte Qeverinë të shkojë në zgjedhje, sepse aktualisht dihet që nuk i kemi të gjithë numrat e nevojshëm për rrëzim të Qeverisë”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka thënë se mbetet në duart e njerëzve të përgjegjshëm të ndërmarrin veprime konkrete për rrëzimin e kësaj qeverie dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. /ZERI