Schwartz: Kadare është si Enver Hoxha, një gjeneral i ushtrisë së vdekur

Publicisti i njohur amerikan, Stephen Schwartz, në një intervistë për Telegrafin thotë se shqiptarët e shpëtuan nga mërzia, nga cinizmi, dhe nga pavlefshmëria e jetës si gazetar i lajmeve.
Në këtë intervistë ai flet për transformimet e pikëpamjeve të tij ideologjike dhe për përqafimin e besimit islam.
“Jam bërë mysliman në Bosnjë në vitin 1997, kur vrojtova betimin e boshnjakëve myslimanë të cilët betoheshin se kurrë nuk do t’ua bënin serbëve atë që ata ua kishin bërë myslimanëve. Duke e lexuar Kuranin në mënyrën përkatëse, në rrethana islamike, thash: ‘Ky është religjioni im’”, thotë ai.
Schwartz, i cili është njohës i mirë i historisë dhe i letërsisë shqiptare, është kritik ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Ai madje thotë se Kadare kurrë nuk do ta fitojë çmimin Nobel.
“Kadare ka shkarravitur kryesisht noveleçka që vlejnë vetëm për lexime pushimi. I pajisur me një thesar të peizazhit shqiptar, të kulturës dhe historisë, ai është i paaftë të zhvillojë karaktere apo të ndërtojë narracione imponuese. Ai ishte dhe është një therrë e ngritur në pozitë të lartë nga ana e Enver Hoxhës. Hoxha ka vepruar sikur të thoshte se ‘Shqipëria fillon me mua’, dhe Kadare ngjashëm e paraqet veten sikur thotë se “letërsia shqiptare fillon me mua”…. Kadareja është një njeri i cili pasi është i vdekur dhe i paaftë për të çuar më shumë pluhur, do të harrohet shpejtë dhe me meritë… Ai është bërë personi që një herë e kishte përshkruar: një gjeneral i ushtrisë së vdekur”, ka thënë Schwartz.
Sipas tij, Kosova frenohet nga “mafia ndërkombëtare imperialiste humanitare”. Megjithatë, mendon se Kosova është një shoqëri me zhvillim të shpejt dhe interesant.
“Institucionet shtetërore të Kosovës do të forcohen dhe kjo gjë do të përmirësojë profilin e investimeve në vend”, thotë ai.
Kur është fjala tek shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, Schwartz thotë se hebrenjtë ua kanë kthyer të mirat shqiptarëve, sidomos në rastin e pavarësisë së Kosovës.
“Politikanët amerikanë hebrenj, si TomLantos – mbijetues i holokaustit – Benjamin Gilman, Eliot Engel dhe të tjerët (Madeleine Albright, James Rubin, Richard Holbrooke…) – së bashku me Robert Dolen – ishin në rreshtin e parë të atyre që kërkuan intervenim për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit fetarë dhe liderët e komuniteteve izraelito-amerikanë po ashtu kanë avokuar për ndihmë për kosovarët. Zëri i tyre u dëgjua”, thotë ai.
Schwartz jeton në Kaliforni, në qytetin që paraqet një ëndërr për shumë amerikanë. Mirëpo, ai ka vendosur që shumë shpejtë të shpërngulët nga atje dhe të jetojë në Kosovë.
“Kalifornia është shumë e shtrenjtë, siç janë vendet tjera ku amerikanët duan të jetojnë. Ndërsa, jeta e mirë është më pak e shtrenjtë në Kosovë. Po ashtu, e dua ushqimin dhe muzikën lokale. Një tas me tarator të freskët dhe një performancë e këngëve tradicionale janë të mjaftueshme për të më mbajtur mua të lumtur, së bashku me miqësinë e shqiptarëve të Kosovës që unë e njoh e për të cilën kam respekt të thellë. Unë preferoj shoqërinë e heronjve, të cilët janë të shumtë në Kosovë, e jo të qyqarëve që sundojnë sot botën”, thotë ai.
Intervistën e plotë me Stephen Suleyman Schwartzin mund ta lexoni këtu. /Telegrafi/