Eko Higjiena

Sanije Matoshi në perlat e muzikës shqiptare

/ 3 minuta lexim

“Asaman trëndafil qelës”, të kompozuar nga Çesk Zadeja, , “Pranvera filloi me dalë”, “Mori trëndafilja e vogël” dhe “Qaj moj nano qaj”, të kompozitorës Lola Gjoka, janë disa nga këngët e interpretuara mjeshtërisht nga Sanije Matoshi, e përcjellë në piano nga Lirika Pula Kasapolli, të cilat nëpërmjet këtij koncerti edhe kanë përmbyllë vitin e tyre artistik.

Kreshnik Bekteshi

E veshur me një fustan të gjatë dhe me ngjyrë të bardhë, sopranoja Sanije Matoshi, përballë publikut të cilët ishin mbledhur për ta dëgjuar programin artistik, ka hapur koncertin e saj duke interpretuar këngët “Asaman trëndafil qelës”, të kompozuar nga Çesk Zadeja, , “Pranvera filloi me dalë”, “Mori trëndafilja e vogël” dhe “Qaj moj nano qaj”, të kompozitorës Lola Gjoka, me rastin e festave të fundvitit, ku kompania Asseco, ka organizuar të shtunën mbrëma, një koncert solistik me këngë artistike shqiptare të interpretuara nga këngëtarja Matoshi e cila është përcjellë në piano nga pianistja Lirika Pula-Kasapolli.

Sanije Matoshi, më pas, këtë koncert, e ka vazhduar duke interpretuar këngët në versionin e muzikës klasike si “Vajta kalova”, të kompozitorit Rauf Dhomit, ku nënë ritmin e duartrokitjeve të spektatorëve, ka interpretuar edhe këngët “Margjelo”, të Prenk Jakovës. Kënga “Kroi i fshatit tonë” kompozuar nga Lola Gjoka, ka ndezur akoma më shumë publikun, ku kanë duartrokitur gjatë, performancën e Sanije Matoshit dhe Lirika Pula- Kasapollit.

Mobi Casa

Sanije Matoshi

Sopranoja, Sanije Matoshi, ka deklaruar për “KultPlus”, se me anë të kësaj performance po e përmbyll një vit të suksesshëm në karrierën e saj solistike.
“Për festat e fundvitit, kompania Asseco, ka organizuar një koncert solistik vetëm me këngë artistike shqiptare. Kjo ishte një mbrëmje përmbyllëse për sa i përket këtij viti nga ana ime dhe mendoj që ishte mjaft e suksesshme. Me pianisten Lirika, bashkëpunojmë bukur shpesh. Ajo është pjesë e Fakultetit të Arteve të UP-së dhe është një pianiste shumë e mirë dhe punëtore tejet e zellshme. Ajo më ka përcjellë shumë mirë përmes pianos”, ka thënë Matoshi, e cila krejt në fund edhe u ka uruar adhuruesve të saj, dhe jo vetëm atyre, festat e fundvitit.

Lirika Pula- Kasapolli

Ndërkohë, pianistja Lirika Pula-Kasapolli, ka thënë se me Matoshin është kënaqësi të punohet dhe të performohet.
“Jam shumë me fat që punoj me profesoreshën e muzikës, Sanije Matoshin dhe me klasën e saj të kantos në Fakultetin e Arteve dhe të Muzikës në UP. Me këtë koncert patëm mundësi të njoftohemi me repertorin e pasur shqiptar të këngëve artistike kombëtare. Ishte një projekt interesant”, ka thënë ajo.
Sanije Matoshi, përveç tjerash performon edhe në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, dhe është e njohur që në çdo koncert këndon vetëm drejtpërdrejt dhe jo edhe në forma tjera./KultPlus.com