Sampdoria e konfirmon Mustafin

Shkodran Mustafi do të luajë së paku edhe një vit në Sampdoria. Skuadra italiane e ka konfirmuar qendërmbrojtësin shqiptar, i cili pati paraqitje pozitive këtë sezon në Serie A, atëherë kur iu dha rasti.
Presidenti i klubit nga Genova, Edoardo Garrone, ka përmendur shtatë futbollistë: Costa, Gastaldello, Palombo, Mustafi, Obiang, Krsticic e Eder, të cilët konsiderohen të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm nga ana e trajnerit Delio Rossi.
“Sampdoria ka shtatë pika të forta, prej tyre edhe Mustafin. Ata do të mbesin këtu sepse kanë luajtur mirë. Ata pëlqehen nga trajneri dhe nuk e kemi ndërmend ta huazojmë e as ta kemi në bashkëpronësi ndonjërin”, deklaroi presidenti i klubit bardh e kaltër për mediat italiane.
Përfaqësuesi U-21 i Gjermanisë së fundmi kërkohej nga Bayer Leverkuseni, por ai mund të qëndrojë në Itali së paku edhe një sezon.