RCCOLA

Samiu n`kurth

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Policia e EULEX’it ka arrestuar Sami Hamitin dhe dy shokët e tij, Agim Ademin dhe Muharrem Ramën. Atyre u është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë.

Gazeta Express mëson se Ademi dhe Rama – duke folur në emër të Kryesuesit të Asamblesë së Prishtinës – i kanë kërkuar një qytetari tri shtëpi dhe një veturë të tipit BMW, për ta përshtatur planin rregullues të Lagjes Sofalia sipas kërkesave të tij.

Sami Hamiti dhe dy shokët e tij, Agim Ademi dhe Muharrem Rama janë arrestuar mëngjesin e së mërkurës nga Policia e EULEX’it.

Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Prishtinës dhe njëherësh zyrtar i lartë i LDK’së dyshohet të jetë i përfshirë në veprat penale të zhvatjes dhe korrupsionit.

Burime të Gazetës Express brenda misionit europian për rend dhe ligj, EULEX, kanë treguar se qytetar i Prishtinës (D.A) ka denoncuar në EULEX nëpërmes një incizimi se Muharrem Rama dhe Agim Ademi i kanë kërkuar atij tri shtëpi dhe një veturë BMW. Ata kanë folur në emër të Sami Hamitit, dhe sipas denoncuesit, nëse ai do t’i jepte këto “dhurata” Komuna e Prishtinës do ta rregullonte planin urbanistik të Lagjes Sofalia sipas kërkesave të tij.

“Denoncuesi D.A. ka dashur t’i ndërtojë disa shtëpi në këtë lagje që më pas t’i shesë ato. Por, projekti i tij nuk është përshtatur me planin rregullues të kësaj pjese të kryeqytetit. Kështu që, Agim Ademin dhe Muharrem Ramën, duke u thirrur në emër të Sami Hamitit, i kanë premtuar atij se do ta rregullojnë këtë çështje”, ka thënë një zyrtar i EULEX’it në kushte anonimiteti për Express.

“Krejt këtë bisedë denoncuesi e ka incizuar”, ka shtuar ai.

Aksioni

Sami Hamiti ka shkuar si zakonisht në punë mëngjesin e së mërkurës, por ndryshe prej herëve të tjera, kësaj radhe para portës e prisnin disa zyrtarë të EULEX’it.

Pas procedurave të ligjore, Kryesuesi i Asamblesë së Prishtinës është arrestuar dhe rreth orës 13:30 ka dalë para një Prokurori ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë aty janë sjellë edhe Agim Ademi dhe Muharrem Rama, i pari biznesmen dhe Nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Hidromorava

Arrestimet i ka konfirmuar EULEX’i me anë të një komunikate për media. “Sot, policia e EULEX’it e ka kryer një operacion gjatë të cilit janë arrestuar tre persona, në mesin e të cilëve një zyrtar i lartë i Komunës së Prishtinës. Të dyshuarit janë duke u hetuar për zhvatje dhe për vepra të tjera lidhur me korrupsion”, thuhet në komunikatën e misionit evropian për sundim të ligjit. Bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni, policia e EULEX’it i ka bastisur disa shtëpi, lokale afariste dhe zyra të komunës. “Arrestimet janë bërë me urdhër të prokurorit të EULEX’it, ndërsa bastisjet janë autorizuar nga gjyqtari i procedurës paraprake. Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përbërë nga një prokuror i EULEX’it dhe një vendas nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e EULEX’it.

E policët e këtij misioni pasi kontrolluan në zyrë dhe në kompjuter, së bashku me Hamitin u nisën në zyrën e prokurorit në kampin “Alfa Bravo” që gjenden në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë. Atje u mbajt për rreth dy orë ku edhe iu caktua masa e arrestit policor prej 24 orëve. Masë e njëjtë u është caktuar edhe Agim Ademit dhe Muharrem Ramës.

Komuna hesht

Si duket 24 orëshi që do ta kalojë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë nuk do të jetë shumë e lehtë për një prej njerëzve më të pushtetshëm në Komunën e Prishtinës.

Pasi që iu caktua kjo masë ai kërkoi hapa për të pirë pasi që nuk ndihej mirë me shëndet. Hapat iu dërguan nga avokati që ai ka angazhuar. Ky i fundit tha se ende nuk dihet se pse klienti i tij është ndaluar. “Prokurori i EULEX’it ka hapur hetime kundër Sami Hamitit, të cilin unë e kam klient, dhe dy personave të tjerë kinse për keqpërdorim të detyrës. Prokurori s’ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve dhe nuk na ka pajisur neve sot – kjo ka qenë arsyeja që me këshillën time nuk ka dhënë kurrfarë deklarate. Se çka do të vendoset, nesër do të dihet lidhur me kërkesën e prokurorit se a do të ketë kërkesë për paraburgim apo jo. Sot është vendosur masa ndalim policor, që do të zgjasë deri nesër paradite”, deklaroi avokati Gashi. Sipas avokatit, dyshimet nuk kanë të bëjnë me ndonjë keqpërdorim lidhur me punën e Sami Hamitit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por prokurori dyshon se ai ka një aferë jashtë marrëdhënies së tij të rregullt të punës, si kryesues i Kuvendit Komunal.

Gashi tha se Hamiti është mbrojtur në heshtje sepse nuk e di për qka duhet të mbrohet.

“Në momentin që prokurori na e jep vendimin për zhvillim të hetimeve Hamiti do të japë deklaratë”, tha Gashi. Sipas tij dyshimet kanë të bëjnë prej datës 6 qershor të këtij viti e deri më sot.

Ndryshe, komuna në të cilën për shumë vjet punon Sami Hamiti, nuk ka komentuar asgjë në lidhje me këtë arrestim. Zëdhënësi Asdren Osaj gjatë ditës ka thënë për Express se nuk e komentojnë këtë rast.

“Neve nuk ka ardhur asgjë zyrtarisht nga EULEX-i prandaj edhe nuk e komentojmë këtë”, tha Osaj.

Sami Hamiti është një prej njerëzve më të fuqishëm në komunën e Prishtinës dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Hamiti, aktualisht është kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ndërsa më herët ka qenë kryeshef Ekzekutiv në këtë komunë, që është udhëhequr që prej pasluftës nga LDK-ja. Ai është nip i anëtarit të Kryesisë Sabri Hamitit dhe vëllai i Muhamet Hamitit ambasadorit të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.