Salustro: S’jam antishqiptar

Duket sikur është i pasionuar në ndjekjen e njerëzve kryesore të UCK-së. Pas Fatmir Limajt dhe tjerëve në rastin Klecka, Mauricio Salustro i është kapur edhe Sami Lushtakut e Sylejman Selimit në grupin Drenica. Ata të gjithë po akuzohen se bënë krime lufte në Kosovë, derisa ishin liderë të UCK-së.
Italiani që po i ndjek ata është akuzuar se po heton vetëm shqiptarët dhe UCK-në. Por, Salustro, në një intervistë ekskluzive për Klan kosova tha se ai dhe misioni i EULEX-it, për të cilin punon, nuk po bëjnë drejtësi selektive.
“Nuk është e vërtetë se ne po hetojmë vetëm shqiptarët, e vërteta është se kur të dyshuarit janë serb, në shumicën e rasteve ata jetojnë në Serbi, dhe kështu ne nuk mund ti kapim edhe ne rast hetimi” tha Mauricio Salustro, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës . Prokurori që flet rrallë për medie tha që nuk ka gjë personale me Fatmir Limajn, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin dhe tjerët.
Salustro, të shtunën, ishte pjesë edhe e një paneli ku u fol për gjykimin e krimeve. Me këtë rast ai tha se njerëzit e drejtësisë në Kosovë kanë telashe përsa u përket rasteve të rënda. Gjatë gjithë kohës kur po fliste në panel, por edhe në intervistën për Klan Kosova, Salustro ishte në përcjellje të rreptë të mbrojtjes së tij të afërt.