Fundamenti

Salihi: Shqipëria mund të shkoj në Brazil

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Hamdi Salihi mbetet optimist se Kombëtarja shqiptare mund të kualifikohet në Botërorin 2014, me vend të parë ose të dytë, nga kualifikimet që janë në zhvillim e sipër. Sulmuesi shqiptar beson në aftësitë e ekipit të Gianni De Biasit, ndërsa golin ndaj Norvegjisë e konsideron si një prej më të rëndësishmëve në karrierë.

Hamdi Salihi beson se Kombëtarja shqiptare mund të kualifikohet në Kampionatin Botëror ‘Brazili 2014’.

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 10 pikë nga 6 ndeshje, në kuadër të Grupit E, duke u renditur në pozitën e dytë, katër pikë më pas se lideri Zvicra.

“Jemi në pozitë të mirë për momentin. Ka një distancë në mes nesh dhe Zvicrës, por kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u luajtur dhe kemi shanse për t’i zënë ata dhe ta kapim pozitën e parë. Edhe nëse dështojmë, ne mund ta ruajmë pozitën aktuale dhe të mundohemi të kualifikohemi direkt si pozita e dytë më e mirë”, deklaroi 29 vjeçari në një intervistë për FIFA.com.

Me 10 gola nga 43 paraqitje, sulmuesi shkodran është golashënuesi i gjashtë më i mirë në histori të Kombëtares shqiptare, e cila aktualisht udhëhiqet nga italiani Gianni De Biasi.

Edhe më impresionues është fakti se Salihi ka realizuar shtatë gola që ia kanë sjell fitoren ekipit kuqezi.

Herën e fundit ai ka shënuar në këto kualifikime kundër Norvegjisë, një gol fantastik, pasi mori një top nga Ervin Bulku.

“Ishte një ndeshje për t’u mbajtur në mend, ku e shënova golin e fitores. Norvegjia është një kundërshtar i fortë me eksperiencë në Botëror, por ne luajtëm mirë dhe i mbajtëm larg, para golit tim vendimtar. Ishte një hap gjigant për shpresat tona për kualifikim”, vazhdoi futbollisti i Jiangsu Sainty.

I kënaqur dhe krenar me karrierën

I lindur në Shkodër, Salihi e kishte nisur karrierën tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë. Pas një periudhe të shkurtër, ku u shpall golashënuesi më i mirë i ligës në Shqipëri, talenti shqiptar në vitin 2004 lëvizi tek ekipi grek Panionios, në moshën 20 vjeçare.

Eksperienca e parë jashtë vendit ishte dështuese, ndërsa ai u rikthye në atdhe me KF Tiranën, me të cilën u konfirmua një super sulmues.

Ai realizoi 29 gola nga 33 ndeshje, duke u renditur në mesin e golashënuesve më të mirë në ligat evropiane.

Mobi Casa

Shkathtësitë e tij i vërejti ekipi SV Ried, i cili në vitin 2007 e transferoi atë në Austri. Më pas ai vazhdoi me gjigantin Rapid Vienna.

Më tej, përfaqësuesi shqiptar e provoi veten në ekipin nga liga amerikane Major League Soccer, D.C. United, para se të përfundonte në Kinë, me ekipin Jiangsu, ku luan edhe sot.

Përkundër faktit se ndonjëherë pati udhëtime të turbullta, Salihi është krenar dhe i kënaqur me karrierën që pati deri tash.

“Në dekadën e fundit kam luajtur në disa ekipe nga vende të ndryshme dhe jam mirënjohës për të gjitha mundësitë që më janë dhënë. Ta lija shtëpinë si i ri ishte një avantazh për mua. Karriera jashtë vendit më ka bërë më të fortë në futboll dhe në jetë. Kam fituar eksperienca të mira në fushë dhe jashtë saj”, vijoi Salihi.

Kina, një ëndërr fëmijërore

Salihi i ka befasuar të gjithë kur ka vendosur të shkonte për të luajtur në Superligën kineze, duke u bërë lojtari i vetëm i ekipit të De Biasit që luan në Azi.Për të, ndër të tjera kjo ishte një ëndërr fëmijërore, e cila u realizua.

“Kam dëgjuar për Kinën që kur isha fëmijë, sepse ne jetonim në ndërtesa të konstruktuara nga kinezë. Para lindjes sime, në vitin 1979, tërmeti i kishte shkatërruar shtëpitë tona, por me ndihmën e punëtorëve kinezë dhe arkitektëve, neve na u ndërtua një apartament i ri. Ishte ndjenjë e mira që mu dha mundësia ta shoh këtë vend”, shtoi Salihi.

“Dhe, edhe kur luaja në Evropë, kam dëgjuar shumë për ligën kineze, e cila i ka bërë për vete disa prej trajnerëve dhe lojtarëve të njohur botërorë. Jiangsu është një ekip i fortë, i cili sezonin e fundit e mbylli lartë. Menaxheri i përgjithshëm i klubit, Yang Chen, dikur ishte futbollist i Frankfurtit. Ne kemi komunikim të mirë dhe ai më ka dhënë kurajë dhe më ka inspiruar”, thotë futbollisti shqiptar.

Ashtu siç pritej, Salihi e ka vazhduar serinë e golave edhe në ekipin e vendosur në Nanjing, duke realizuar 8 gola nga 16 ndeshje këtë sezon.

Ai shkëlqeu edhe në finale të Superkupës kineze, ku realizoi dy gola për Jiangsu, të cilin e ndihmoi ta ngriste lart trofeun pasi e mposhti ekipin e Marcello Lippit, Guangzhou Evergrande.

Ai synon ta mbajë të njëjtën formë, duke u munduar ta ndihmojë ekipin dhe vendin e tij. “Jiangsu i lëshoi shumë pikë në fillim të sezonit, por shpresoj që të mund ta ndihmoj këtë ekip në pjesën e dytë të sezonit. Në nivelin kombëtar, Shqipëria ka shpresa ende dhe shpresoj që ta shkruajmë historinë duke shkuar në Brazil 2014”, përfundoi Salihi.(express)