Mobi Casa

Sali Berisha edhe me dy nisma të reja drejt Bashkimit!

/ 4 minuta lexim

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha tha sot se viti 2013 do të jetë viti, në të cilin shqiptarët do të ecin më tej në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në projektin madhor:

“Të bashkohemi njeri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën, si projekti më i mirë për të ardhmen e shkëlqyer të shqiptarëve në rajon”, tha Berisha.

Në këtë kuadër, Kryeministri shpalli në mbledhjen e qeverisë, dy nisma të reja: Organizimi i Ligës së Futbollit mbarëkombëtar dhe krijimi i hapësirës unike të valëve.

“Duhet të kemi parasysh se pse jetojmë në pesë shtete, nuk jemi pesë kombe. Ne jemi një e vetëm një. Të mos mendojë kush kurrë se ekzistencën tonë në pesë shtete do mund ta interpretojë si për pesë kombe shqiptare. Kjo nuk mund të ndodhë. Ndaj ta fillojmë me këto dy hapa.”

Fjala e Berishës në mbledhjen e qeverisë

Fidanishtja

Këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga e Futbollit mbarëkombëtar. Duhet të uleni së bashku me ministrin e Sporteve të Kosovës, të bëni projektin dhe të zhvillohet Liga mbarëkombëtare. Ne kemi një hall se kombëtare është gjysmë kombëtare, ndaj ta quajmë mbarëkombëtare. Tani edhe infrastruktura e lejon këtë. Kështu, tifozi i skuadrës së Mitrovicës mund të vijë fare lehtë ta ndjekë ndeshjen Flamurtari me Mitrovicën në Vlorë, apo Prishtina me Tiranën.

Natyrisht, në Ligë do të përfshihen të gjitha ekipet shqiptare. Kjo do të bëjë që edhe sporti të njohë atë gjallëri të madhe që ka marrë jeta artistike – unë dua t’i përgëzoj artistët, sepse, në ka një gjë ku jemi bashkuar, ky është shoë artistik, në këngë, muzikë, balet dhe për këtë, ata kanë meritë, pasi janë në krye të përpjekjeve të shqiptarëve, madje me rezultate ndër më të shkëlqyerat, për bashkim njëri me tjetrin. E dëgjuat çfarë rroku fantastik ishte kënga e fundit e dyshes Lulgjuraj-Sejko, apo edhe këngën e Ronës në Baku. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka, sepse kjo është rruga për të shpalosur të gjitha potencialet dhe talentet në futboll, – edhe në sporte të tjera, por le ta nisim me futbollin – për të fuqizuar tregun e futbollit e për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh shqiptare të futbollit.

Problemi i dytë që dua të sjell në vëmendje, është krijimi i hapësirës shqiptare, unike, të valëve, çka do të thotë se të gjitha mediat e Kosovës që dëshirojnë të operojnë në Shqipëri duhet të kenë licencë për transmetim në Shqipëri. Po ashtu Radio Televizioni Shqiptar, ashtu siç u krijon lehtësira mediave shqiptare në pika transmetimi – dhe duhet t’u krijojë – ai duhet t’u krijojë mundësi edhe të gjitha mediave të Kosovës që të vendosin repetitorët e tyre dhe ato të shihen nga Konispoli në Vermosh. Sikundër do të bisedohet me qeverinë e Kosovës që të gjitha mediat e Shqipërisë të mbulojnë hapësirën mediatike të Republikës së Kosovës. Nuk është se kjo nuk ekziston nëpërmjet Dixhitalb, por ajo është platformë me pagesë dhe ne duhet të punojmë që të ekzistojë forma pa pagesë. Duhet që mediat të shtrihen e të homogjenizohet hapësira. Duhet të kemi parasysh se pse jetojmë në pesë shtete, nuk jemi pesë kombe. Ne jemi një e vetëm një. Të mos mendojë kush kurrë se ekzistencën tonë në pesë shtete do mund ta interpretojë si për pesë kombe shqiptare. Kjo nuk mund të ndodhë. Ndaj ta fillojmë me këto dy hapa. U ndërtuan autostradat dhe ky ishte një zhvillim madhor. Tani problemi mbetet tek valët. Pasi ia presim njëri-tjetrit valët në Gjilan, që të kalojnë edhe valët kufirin, andej e këtej. Duhet të krijojmë hapësirë të plotë edhe për valët.

Zoti ministër i Arsimit, në mënyrë të veçantë të shihet çështja e transmetimit satelitor të gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare. Duhet që sëbashku me autoritetet e Kosovës dhe shqiptarët në Maqedoni të bëhet teksti dhe të fillojë transmetimi. (ORAinfo)