UBT

Sa më shumë hesht Specialja, aq më afër është ndarja!

/ 22 minuta lexim
Mobi Casa

Askush nga analistët politikë nuk ka njohuri se pse Gjykata Speciale po hesht, ndërsa Hashim Thaçi po e shton presionin për ta ndarë Kosovën.

Qarri: Hashim Thaçi me pazaret e tij të pista, përmes takimeve të fshehta e publike me Aleksandar Vuçiqin, po i shet territoret e Kosovës, për të blerë lirinë e tij personale!

“Gatishmëria e presidentit për falje territoresh nuk ka si të kuptohet ndryshe, veçse pazar i pastër privat i Hashim Thaçit me Aleksandar Vuçiqin dhe miqtë e tyre të përbashkët, agjentët e UDB-së në Prishtinë, që, si kompensim për dhuratën që do t`ia bëjnë Vuçiqit, duke ia dorëzuar gati një të tretën e territorit të Kosovës, të mbyllet dosja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Askush nga analistët politikë nuk ka njohuri se pse Gjykata Speciale po hesht, ndërsa Hashim Thaçi po e shton presionin për ta ndarë Kosovën.

Sipas analistëve, kjo lë për të nënkuptuar se Hashim Thaçi me Aleksandar Vuçiqin dhe miqtë e tyre të përbashkët,agjentët e UDB-së në Prishtinë e kanë bërë pazar që si kompensim për dhuratën që do t`ia bëjnë Vuçiqit,duke ia dorëzuar gati një të tretën e territorit të Kosovës, të mbyllet dosja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale. Analistët vlerësojnë se populli kosovar duhet që të ngrihet në protesta kundër presidentit antikushtetues, që në fakt hapur shkel Kushtetutën e vendit.

Sipas tyre, seanca e jashtëzakonshme nga opozita është hedhje hi syve të opinionit, pasi vetëm protestat dhe shkarkimi i Thaçit e ndalin pazarin mbi kurrizin e Kosovës. Kjo, ngase analistët vlerësojnë se mbajtja e vetëm një seance të jashtëzakonshme parlamentare dhe nxjerrja eventuale e një rezolute do të ketë vetëm efekt modest, prandaj partitë opozitare duhet të këmbëngulin që të shkojnë më tej, jo vetëm për ta diskutuar problemin, por duke e larguar nga përgjegjësitë e larta kushtetuese personin aktualisht më problematik e të pashembullt për stabilitetin e vendit-presidentin Hashim Thaçi. Andaj, nga njohësit rrethanave politike vlerësohet se presidenti duhet të shkarkohet, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, për t’i hapur rrugën normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve me Serbinë e jo shitjes së territorit të Kosovës për realizimin e interesave personale të Thaçit, fati i të cilit varet shumë nga Serbia dhe Gjykata Speciale, e furnizuar me fakte e dëshmi nga autoritetet serbe. Së këndejmi, analistët theksojnë se vetëm një politikan i krisur e në hall, siç duket se është tashmë i pari i Kosovës,me “mësitët” e agjentët e UDB-së në Prishtinë, si Baton Haxhiu & Co, mund të rrezikojnë pavarësinë që na e njohin në këta kufij mbi 100 shtete dhe që e ka konfirmuar edhe drejtësia ndërkombëtare. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të Baton Haxhiut për akuzat e bëra në adresë të tij, i njëjti, nuk është përgjigjur për gazetarin.

Opozita shqyrton opsionin e protestave popullore

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Ali Lajçi tha për ” Kosova Sot “, se si parti opozite i kanë filluar negociata dhe përgatitjet ë në fillim të shtatorit të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet sjellja e papërgjegjshme e Hashim Thaçit. “Besojmë se Kuvendi do ta miratojë një Rezolutë që do të jetë e karakterit obligative për presidentin e shtetit dhe që ia ndalon atij që të bëjë pazare me territoret e shtetit”, u shpreh ai. Sipas Lajçit, opozita kosovare do të konsultohet edhe për format e tjera të veprimit të mëtejmë që përfshin këtu edhe organizimin e protestave masive të qytetarëve tanë anekënd vendit, veprime këto që do të ndërmerren në harmoni të plotë dhe konsensus me opozitën dhe shoqërinë civile.

Analisti Naim Kelmendi, për “Kosova Sot “, thotë se nuk mund të jetë president i Kosovës, njeriu që është antikushtetues, nuk mund të qëndrojë në krye të shtetit as ta përfaqësojë Republikën. “Do të ishte pikërisht e kundërta e asaj që po bën Hashim Thaçi të ishte kushtetuese, kur dihet se kufijtë e Republikës janë të njohur ndërkombëtarisht dhe ai do të kishte të drejtën të mbronte kushtetutshmërinë duke qëndruar në mbrojtje të këtyre kufijve sipas përcaktimit të Kushtetutës e jo që ky të hapë pikërisht çështjen e ‘korrigjimin’ të kufirit të shtetit të Kosovës”, theksoi ai. “Kosova de fakto e de jure tashmë njihet nga më shumë se 114 shtete ndërkombëtarisht me këta kufij dhe me sa duket ndërmarrja e subjekteve politike opozitare për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, për nxjerrjen eventualisht të një rezolute nuk është se do të mund ta ndalojë Hashim Thaçin në projektin e tij antikushtetues për ndarjen e Veriut të Kosovës. Në të vërtetë, nisma e këtyre subjekteve duhet të shkojë më tej dhe të fuqizohet e të këmbëngulin për ta shkarkuar nga posti i presidentit, në mënyrë që të ndalohet kjo ndërmarrje e tij e rrezikshme dhe shumë e dëmshme, por e papranueshme,ngase ndarja e Veriut të Kosovës është strategji e projektit serb të Beogradit, që në emër të pranimit të njohjes së Republikës së Kosovës ta marrin si shpërblim Veriun e Kosovës. Këtë e pohoi hapur edhe presidenti serb Vuçiqi në Forumin e Austrisë”, vijoi më tej Kelmendi. Sipas tij, Republika e Kosovës nuk mund të jetë pronë e Hashim Thaçit për t’ia negociuar pavarësinë dhe territorin e saj me Serbinë.

SHKODRA: NËSE INSTITUCIONET JANË TË PAREALIZUARA, DO TË DUHEJ QË POPULLI TA MARRË NË DORË
Analisti Shefik Shkodra tha për “Kosova Sot” se një seancë e jashtëzakonshme, në këtë kohë, nuk do ta arrijë efektin e duhur. “Problemi i marrëveshjes me Serbinë, ashtu qysh është trumbetuar, do të ishte çështje e Gjykatës Speciale, por edhe e Qeverisë. E, nëse institucionet janë të parealizuara do të duhej që populli ta marrë në dorë, mënyra më e fundit. Kjo është e patolerueshme. Ne nuk kemi ku shkojmë përtej vendit tonë”, u shpreh ai. “Ju që ndodheni nëpër institucionet e vendit që nga mbarimi i luftës, asgjë nuk keni prodhuar të vlefshme për këtë vend. Prandaj, është e rrugës që ta braktisni misionin tuaj, për t’u zëvendësuar nga njerëz që e kuptojnë politikën dhe nuk shkelin parimet kushtetuese”, ka apeluar Shkodra.

QARRI: ËSHTË KOHA E FUNDIT QË POPULLI I KOSOVËS TË NGRIHET SA MË PARË NË PROTESTA E DEMONSTRATA TË FUQISHME KUNDËR PRESIDENTIT ANTIKUSHTETUES
Analisti Gani Qarri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se zhvillimet e fundit të frikshme në raport me Serbinë, tanimë nuk lënë asnjë dyshim se Hashim Thaçi me pazaret e tij të pista, përmes takimeve të fshehta e publike me Aleksandar Vuçiqin, po tradhton hapur shqiptarët dhe shet territoret e Kosovës, për të blerë lirinë e tij personale. “Këtë e dëshmon edhe heshtja tash e sa kohë e Gjykatës Speciale, nga frika e riaktivizimit të së cilës Hashim Thaçi po shton vrapin dhe rrit presionin për ta ndarë sa më shpejt Kosovën. Përkundër faktit që Hashim Thaçi nuk ka mandat ta bosnjëzojë, as ta shesë Kosovën, ai po bën pazare të tilla të rrezikshme me Aleksandar Vuçiqin dhe agjentët e UDB-së, në Prishtinë, saqë në kompensim të mbylljes së dosjes kundër tij në Gjykatën speciale t`ia falë gati një të tretën e territorit të Kosovës- Serbisë. Ngase, Kosova dhe populli i saj nuk e kanë luksin të falë territore, as të lejojë Hashim Thaçin që, duke shitur territoret e vendit, të amnistohet nga drejtësia, ndaj është koha e fundit që populli i Kosovës të ngritët sa më parë në protesta e demonstrata të fuqishme kundër presidentit antikushtetues, që jo vetëm shkel Kushtetutën, por rrezikon hapur edhe integritetin territorial të vendit”, theksoi ai.

Sipas Qarrit, nga opozita nuk pritet dhe as kërkohet që vetëm të paralajmërohen seanca të jashtëzakonshme, por Kuvendi i Kosovës të fillojë menjëherë procedurën e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi, sepse seancat e jashtëzakonshme pa efekt, janë hedhje hi syve opinionit, kur dihet se vetëm shkarkimi i Thaçit mund t’i ndalë pazaret e tij të pista në kurriz të Kosovës. “Mbajtja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare dhe nxjerrja eventuale e një rezolute, jo vetëm se nuk do të ketë efektin e duhur, por do t’i ofrojë edhe më shumë kohë Thaçit jo të parandalojë, por të çojë përpara planet e tij të rrezikshme kundër Kosovës”, potencoi ai, duke shtuar se partitë opozitare duhet të këmbëngulin që të shkojnë më tej, për ta larguar tërësisht nga përgjegjësitë e larta kushtetuese, politikëbërësin më problematik dhe të pashembullt për destabilizimin e vendit dhe rrezikimin e shtetit tonë të brishtë, presidentin kontrovers, Hashim Thaçin.

KKVITI

BADALLAJ: SI MUND TË LEJOHET QË NJË MATRAPAZ NGA BROJA DHE NJË ZAGAR I UDB-SË SERBE, ME LIBREZË ZYRTARE, TË LUAJNË ME SOVRANITETIN E VENDIT?!
Ndërsa, analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se mjerisht mashtrohen shumë keq të gjithë ata që mendojnë se ka Gjykatë Speciale në Kosovë. “Kjo Gjykatë i thënçin është vetëm në letër dhe se në këtë dikaster memecësh e puthadorësh të përzier nga politika, e sidomos klani famëzi që quhet ‘Pronto’, klan i dalë nga kanalet e nëntokës kriminale. Ose si mund të shpjegohet ndryshe që paska Gjykatë, kur në Kosovë veprojnë banda hajdutësh që nga majat e shtetit. Banda me banditë dhe kryebanditë që shesin toka të Kosovës dhe shesin si të ishin plaçkë pazari dhe të mos thotë fjalën e vete kjo Gjykatë kukull. Si mund të lejohet që një matrapaz nga Broja dhe një zagar i UDB-së serbe me librezë zyrtare të luajnë me sovranitetin e vendit, me fatin e popullit që do ta fusin në luftë, sepse këta langonj për këtë punë paguhen, por populli po vuan. Si mund të heshtet kur ky matrapaz për interesa të tij personale që të mos i digjet bishti nga frika që ka për Gjykatën Speciale se do t’i vdiste karriera e tij, të shesë një të tretën e vendit dhe u pa publikisht që nga ikja e një prokurori tregoi se çfarë trysnie ka kjo bandë nga kryebanditët e majave të shtetit që të jenë të paprekshëm banditët e klanit gjakësor ‘Pronto'”, ka theksuar ai. “Opozita nuk ka dallim fare, sepse edhe ata janë të njëjtët banditë, të njëjtët langonj,nuk kanë dallim fare, vetëm lehin si qentë e regjur pas hënës dhe asgjë nuk veprojnë. Ngase, që kur i ka filluar pazaret në dëm të vendit matrapazi dhe spiuni serb, këlyshi i Stanishiqit, Baton Haxhiu, dhe çfarë bëri kjo bandë opozitare deri tani? Asgjë, përpos lehjeve qensh e zagarësh. Përse nuk e nxorën popullin në rrugë deri më tani. I mbajnë disa konferenca për shtyp si dikur Shallaxhiu të Xhumave”, vlerëson Badallaj-Zhurjani.

BISLIMI: THAÇI DUHET TË NDALET QË TË MOS E VAZHDOJË DIALOGUN ME SERBINË DHE KJO MUND TË BËHET PËRMES PROTESTAVE
Politologia Liridona Bislimi thotë për “Kosova Sot “, se sot Kosova ka ardhur në një situatë ku përballet me rrezikun e madh dhe këtë rrezik kësaj here nuk e ka sjellë vetëm Serbia, por edhe partnerët e Serbisë në Kosovë, siç është Thaçi. “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantuan idenë që marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve ta përfshijë edhe korrigjimin e kufijve, dhe të dy janë dakorduar duke përjashtuar faktorët e brendshëm institucional, por duke përjashtuar edhe faktorin e jashtëm, siç janë aleatët strategjikë. Vetëm Thaçi e Vuçiqi po e dinë se cili është përfundimi i këtyre bisedimeve, dhe kjo edhe është e rrezikshme, edhe është e papranueshme”, potencoi ajo. “Deputetët drejtpërdrejt po e shmangin këtë situatë, ata nuk po reagojnë fare dhe po vazhdojnë të heshtin. Situata në vendin tonë është shumë e rëndë, tashmë është një situatë e jashtëzakonshme. Kurrë më parë Kosova nuk ka qenë në situatë të tillë dhe ka qenë më e rëndësishme të reagojnë tani dhe jo nesër kur të bëhet vonë. Derisa Parlamenti është në pushim vjetor vendimet më të rëndësishme duket se qëllimisht po merren pikërisht tani gjatë kësaj kohe. Ka kaluar pothuajse gjithë vera me përtypjen dhe komentimin e deklaratave që i ka lëshuar presidenti, duke hedhur ide këmbimi territoresh dhe korrigjimi kufijsh, dhe e vetmja iniciative që është ndërmarrë nga shumica e deputetëve të Kuvendit ishte hedhja e një statusi në rrjete sociale, ku secili status ishte i ngjashëm me tjetrin, ndërsa në realitet ka qenë e vështirë të vërehen dy deputetë që mund t’i bësh bashkë që çojnë përpara një kundërshtim”, vijoi më tej Bislimi.”I frikësuar nga Specialja, presidenti Thaçi po mundohet që të bëjë projekt politik, i cili po dëshiron të vendosë për të ardhmen e vendit. E kjo nuk guxon aspak të lejohet, Thaçi duhet të ndalet që të mos vazhdojë dialogun me Serbinë dhe një gjë e tillë mund të bëhet përmes protestave. Populli duhet të ngrihet në protestë gjithëpopullore për të penguar ndarjen dhe t’ia tregojë vendin këtij njeriu. Më mirë është që popull të vendosë për Thaçin, sesa ai për të gjithë popullin”, vlerësoi ajo.

ZEQA: PAZAR I PASTËR PRIVAT I HASHIM THAÇIT ME ALEKSANDAR VUÇIQIN, QË SI KOMPENSIM GATI NJË TË TRETËN E TERRITORIT TË KOSOVËS TË MBYLLET DOSJA E HASHIM THAÇIT NË GJYKATËN SPECIALE!

Analisti Florim Zeqa, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se heshtja e Gjykatës Speciale dhe presioni i Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës, të përbashkët e kanë luftën speciale të Serbisë për uljen e imazhit të luftës çlirimtare në njërën anë, dhe degradimit të shtetit të Kosovës në anën tjetër. “Vetëm një politikan i krisur e në hall nga shantazhet e Serbisë mund ta rrezikojë pavarësinë e shtetit, në këta kufij të njohur nga mbi 110 shtete. Loja e Thaçit me kufijtë është “thikë me dy tehe”. Përveç mohimit të shtetësisë, rrezikimit të sovranitetit dhe integritetit të shtetit, është tallje serioze me shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur”, u shpreh ai. “Gatishmëria e presidentit për falje territoresh nuk ka si të kuptohet ndryshe, veçse pazar i pastër privat i Hashim Thaçit me Aleksandar Vuçiqin dhe miqtë e tyre të përbashkët, agjentët e UDB-së në Prishtinë, që si kompensim për dhuratën që do t`ia bëjë Vuçiqit, duke ia dorëzuar gati një të tretën e territorit të Kosovës, të mbyllet dosja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale”, vijoi më tej Zeqa. “Seanca e jashtëzakonshme nga opozita s’është gjë tjetër veçse hedhje hi syve opinionit dhe blerje kohe për Hashim Thaçin. Ngase, vetëm protestat mbarëpopullore dhe shkarkimi i Thaçit mund ta ndalin pazarin mbi kurrizin e Kosovës. Me rezoluta e seanca në Kuvend jo që nuk mbrohet sovraniteti i shtetit, nuk largohet as presidenti fatkeq nga pushteti. Largimi i Hashim Thaçit nga pushteti nuk është çështje partiake, as ideologjike, nuk është çështje pushteti apo opozite, por është çështje ekzistenciale dhe fundamentale për të ardhmen e shtetit të Kosovës”, vlerësoi ai.

Sipas Zeqës, mbajtja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare dhe nxjerrja eventuale e një rezolute do të ketë vetëm efekt modest, prandaj partitë politike, përkatësisht të zgjedhurit me votën e popullit në Kuvend duhet të këmbëngulin që të shkojnë më tej, jo vetëm për ta diskutuar problemin, por duke e larguar nga përgjegjësitë e larta kushtetuese personin aktualisht më problematik e të pashembullt për stabilitetin e vendit-presidentin Hashim Thaçi. “Hapi i parë i deputetëve duhet të jetë shkarkimi i presidenti ashtu siç e parasheh Kushtetuta, për t’i hapur rrugën normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve me Serbinë e jo shitjes së territorit të Kosovës për realizimin e interesave personale të Thaçit, fati i të cilit varet shumë nga Serbia dhe Gjykata Speciale”, theksoi Zeqa.

Me rezoluta nuk ndalet rreziku Eksperti i fushës së drejtësisë dhe profesori universitar, Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot ” se presidenti i vendit është i thirrur dhe e ka për detyre ruajtjen e unitetit, e të sovranitetit, të funksionalitetit dhe të pandashmërisë së Republikës. “Këtë çështje e ka sanksionuar Kushtetuta me Nenin 1 të saj. Po këto janë të përcaktuara edhe në disa Nene të tjera, sidomos kur flitet për kompetencat e presidentit. Andaj, shkelja e këtij përcaktimi juridik i jep mundësi Kuvendit të Kosovës që të hapi procedurën dhe të shkarkojë presidentin. Në këtë anë ka baza të mjaftueshme kushtetuese për shkarkim”, u shpreh ai. Sipas Kelmendit, presidenti ka shkelur shumë norma juridike dhe kushtetuese dhe mbi atë ka mundësi juridike edhe për hetim penal dhe dënim për vepër penale nga nenet e Kodit Penal. Këtë Kuvendi nuk po e bën. “Ndërsa, seanca e Kuvendit me një rezolutë ka vetëm karakter politik, pa fuqi ekzekutive, sepse mungon forca juridike e pushtetit për të ekzekutuar rezolutën. Pse e them këtë? Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë disa rezoluta deri më tash. Asnjë nga ato rezoluta nuk është zbatuar dhe as që ka fuqi ekzekutive ky pushtet aktual. Çka mbetet? Pra, mbesin vetëm protestat dhe demonstratat kundër këtij presidenti famëkeq dhe tepër të rrezikshëm për Republikën. Natyrisht se demonstratat duhet të jenë në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të pandashmërisë së territorit”, vijoi më tej Kelmendi.

Ndërsa, analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Thaçit i duhet mbështetja e partive politike, pasi çdo marrëveshje eventuale ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet që të votohej në Parlament. “Propozimi kontrovers i presidentit për korrigjim kufijsh, i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kamotshme tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovë”, shprehet ai.

Analisti Hertica thotë se ky propozim po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, ku duke u ndjerë e tronditur me rastin e këtij procesi politik të rrënimit të shtetndërtimit dhe cenimit territorial të shtetit të Republikës nga kasta e disa politikanëve kuislingë. “Përveç deklarimit të partive opozitare, madje edhe individë nga partitë e koalicionit, së fundi kemi edhe deklarimet e kancelares Merkel dhe vendeve të BE-së, të cilat e bëjnë të qartë se prekja e kufijve në Ballkan do të sillte konflikte të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Tani, Parlamentit i duhet një rezolutë e shpejtë e parandalimit të kësaj politike të amulluar nga këto koka të brishta kombëtarisht boshe dhe të interesave të klaneve të tyre ku i vetmi shpëtim do të jenë zgjedhjet e reja, ku do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitimi, i cili mbron interesat e shtetit dhe integritetin territorial, që të marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës”, potencoi Hertica. “Hashim Thaçi me Aleksandar Vuçiqin dhe miqtë e tyre të përbashkët,agjentët e UDB-së në Prishtinë me ‘mësitët’ e agjentët, si Baton Haxhiu, si kompensim për dhuratën që do t`ia bëjë Vuçiqit, duke ia dorëzuar gati një të tretën e territorit të Kosovës, do të mbyllet dosja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale. Ky skenar i filluar nga Hashim Thaçi duket që nuk ka gjasa që të jetë ide e shqiptarëve dhe në dobi të tyre. Një skenar është pikërisht në interes të Serbisë në sytë e faktorit ndërkombëtar ku gjendja në Kosovë, që nga mbarimi i luftës e deri më tani, gjithnjë ka ekzistuar mundësia e eskalimit të situatës deri në destabilizim të plotë. Me shtyrjen e politikës serbe nga Mitrovica dhe enklavat e tyre, tani këtë shtytje po e ndihmon vetë ish-lideri i luftës, Hashim Thaçi me mercenarët e UDB-së tanimë të njohur botërisht”, tha Ali Hertica

Qytetarët, të gatshëm të protestojnë Qytetarët thonë se Hashim Thaçi e ka bërë pazar me Aleksandar Vuçiqin dhe miqtë e tyre të përbashkët, agjentët e UDB-së në Prishtinë, që si kompensim për dhuratën që do t`ia bëjë Vuçiqit, duke ia dorëzuar gati një të tretën e territorit të Kosovës, dhe që të mbyllet dosja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale. Qytetari Mirsad Krasniqi nga Prishtina, për gazetën”Kosova Sot’, thotë se nuk ka asnjë dyshim se Hashim Thaçi e ka bërë këtë . “Por, ky njeri edhe më parë ka qenë i dyshimtë dhe nuk është kjo hera e parë që Hashim Thaçi po bënë diç të tillë dhe të themi se tash u bë njeri i tyre. Por, si duket Hashim Thaçi edhe më herët paska qenë njeri i Serbisë, kurse tash vetëm se po e kryen punën e tij në mënyrën më të poshtër të mundshme dhe po bën pazare me një të tretën e tokës së Kosovës, duke e bërë këtë pa asnjë dhimbje, ngase nuk e konsideron tokë të veten”, u shpreh ai. “Nevojitet që populli duhet të ngritët në protesta masive dhe e tërë shpresa ime mbetet tek popullata që shpresojmë se më në fund ata do të vetëdijesohet. Mirëpo, edhe Kuvendi i Kosovës duhet që të nxjerrë një rezolutë duke e shpallur Hashim Thaçin persona non grata dhe mos ta lejojnë më atë që të bëjë pazare me tokën e Kosovës. Bisedimet e Hashim Thaçit me Serbinë janë bisedime private, sepse Thaçin nuk e ka autorizuar Kuvendi i Kosovës dhe shi për këtë qytetarët e Kosovës duhet që të ngritën në protesta masive, duke dalë në rrugë i madh e i vogël dhe të dalin në mbrojtje të atdheut”, potencoi Krasniqi.

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Xhafer Jashari, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se pazaret e Hashim Thaçit me Vuçiqin nuk bëhen pazare pa bekimin e fuqive të mëdha. “Mirëpo, ajo që mua si qytetar i këtij vendi po më brengos së tepërmi është mostranparenca e Hashim Thaçit në këto takime që po i mban me Serbinë”, theksoi ai. “E keqja më e madhe këtu është se nuk kemi as pozitë, as opozitë. Sepse, presidenti Thaçi në këto bisedime është jolegjitim dhe për këtë qëllim ka qenë dashur, në mënyrë që të jenë bisedimet legjitime, ishte dashur që të formohej Ekipi i Unitetit, si ishte në kohën e Ibrahim Rugovës, ku do të ishin përfshirë edhe pozita edhe opozita, shoqëria civile, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pastaj Shoqatat e Familjarëve të të Zhdukurve”, ka thënë Jashari. “Heshtja e Kuvendit sikur po na tregon se edhe Kuvendi i Kosovës është i shitur, prandaj këtu në Kosovë e tërë paria politike është e shitur dhe të gjithë ata kanë formuar banda dhe klane të tyre, duke filluar që nga presidenti i vendit, kryekuvendari, pastaj kryetari i LDK-së, AAK-së .Pra, me një fjalë, të gjithë ata janë mafiozë, sepse këtu po vuan populli e jo pushtetarët tanë”, vlerësoi ai. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një klasë të re politike të shkolluar e të pakorruptuar që është edhe atdhetare.

(Kosova Sot)