Hidromorava

Sa kushton një bukë, z. kryeministër?

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arbana Xharra- A thua, e di kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sa kushton këto ditë një kilogram bukë apo një litër qumësht? A e di sa pritet të rritet çmimi i rrymës për amvisëri, apo një litër karburant që po kushton 1.37 euro…?

Kur ka shkuar për herë të fundit Thaçi në spitalet apo shkollat publike për të nuhatur erën e fëlliqur e mjerimin me të cilin përballen kosovarët.

A thua i kanë rënë në sy kryeministrit të Kosovës e kabinetit të tij, njerëz duke kërkuar nëpër mbeturina. Ata që mbledhin hekurishte për të nxjerrë bukën e gojës, të tjerë që të djersitur bredhin nëpër rrugë për të gjetur një punë sa për ta ngopur barkun.

Nuk ka faj Thaçi, se që nga mbarimi i luftës nuk e ka futur dorën në xhep, të tjerët janë ata që ia shërbejnë të mirat. Sigurisht që nuk e sheh nga afër skamjen sepse sillet me veturë luksoze. Djali i tij nuk është i detyruar të shkojë në shkollë publike, por në kolegjin turk “Mehmet Akif” (Frymë kjo nga lindja të cilës po i jepen edhe tenderët kryesorë), nëse ndonjëherë i bie gripi ai shërohet në spital privat, turk, amerikan, ku t’ia dojë qejfi.

Me gjithë këtë standard, çka i ka shkuar nëpër mend kësaj qeverie, në krye me Thaçin, që të mos iu dalin pagat me mijëra euro, mëditjet e lukset marramendëse që të kërkojnë prapë rritjen e pagave.

Ligji i ri për pagat e funksionarëve publikë që është miratuar nga Qeveria nuk është asgjë tjetër pos argument i fortë se sa të zhytur në paturpësi janë, e të zhveshur nga ndjenjat njerëzore, kjo kllapë degraduese politike. Ata që mashtruan shërbyesit civilë, mjekët e mësuesit, me rritjen e pagave që po iu ha inflacioni duke e futur shtetin në krizë. E qytetarit dita e ditës po ia vënë lakun në fyt.

Uji Dea

Në këtë krizë rrisin luksin para syve të populli në skamje. Me Thaçin në krye, por edhe shumica e kabinetit të tij po e shijojnë të jetuarit mbi kurrizin e popullit, derisa pjesa dërrmuese e kosovarëve numëron centët në xhep për të kaluar me mezi muajin.

Pse kanë frikë t’i pyesin ministrat, kryeparlamentarin, zëvdëskryeministren, e të tjerë që deklarohen të ndershëm, se si po ia dalin të paguajnë 3 deri 6 mijë euro në vit shkollimin e fëmijëve të tyre, apo mos rastësisht e kanë privilegjin të lirohen nga pagesa për autoritetin që gëzojnë. Fatmir Limaj tre vajzat nëpër shkolla private, Mimoza Kusari djalin në shkollën privat “Milenium”, Jakup Krasniqi në kolegjin turko-amerikan, sikurse edhe djali i Enver Hoxhajt e shumë e shumë të tjerë.

E pothuajse në secilin raport të huaj Kosova tashmë ka marrë sinonimin e shtetit fukara me politikanë të korruptuar. Në vend se të tentojnë të zbehin këtë imazh tmerrues, ata rrisin dëshpërimin e të uriturve. Derisa shtetet evropiane kanë marrë vendim që të ulin pagat e politikanëve, Franca njëra, nga to, e cila ditë më parë zbriti për 30 për qind pagat e kabinetit të ministrave, Qeveria e Kosovës miraton Ligjin për Rritjen e Pagave të gjashtëmbëdhjetë kategorive.

Nga presidentja, e cila me siguri do ta rrisë koleksionin e gardërobës së saj, ministrat e zëvendësministrat e disa të tjerë që nuk paguajnë as për dreka e darka, as për karburante e për shërbime të tjera…. çfarë zori kanë në këtë krizë të rrisin pagat?

Edhe sa do të vazhdojë kjo lojë e fëlliqur me qytetarin e Kosovës, ky nënçmim që po i bëhet kosovarit që edhe më tutje po qëndron kokulur pa bërë zë. E pangopur, duke u pasuruar me djersën e popullit, kjo është Qeveria e Kosovës.