Rushdie: “The Satanic Verses” nuk do të publikohej sot
Londër – Sir Salman Rushdie ka thënë se ai nuk mendon që romani i tij i vitit 1988, “The Satanic Verses” do të botohej në ditët e sotme, për shkak të një atmosfere të “frikës dhe nervozizmit”.
Shkrimtari me nam ka thënë se ndalimi i librit të tij në disa vende dhe kërcënimet që i janë bërë gjatë jetës së tij, i kanë krijuar një “efekt rrëqethës afatgjatë”.
“Do të ishte e vështirë të publikoje sot, një libër që ishte kritik për islamin”, i ka thënë shkrimtari BBC-së. Ai ka thënë se mënyra e vetme për të zgjedhur këtë çështje është që botuesit të bëhen të guximshëm.
“Mënyra e vetme për të jetuar në një shoqëri të lirë është të ndjesh se ke të drejtën të thuash dhe të bësh atë që dëshiron”, ka thënë ai. Shumë myslimanë i janë referuar librit “The Satanic Verses” si blasfemi dhe libri ende është i ndaluar në Indi. Shkrimtari 65-vjeçar, për disa vjet kishte jetuar në arrati pasi Ayatollah Khomeini i Iranit kishte lëshuar një thirrje për ekzekutimin e tij. Sir Rushdie ka thënë se shkrimtarët ende sulmohen për veprat e tyre në të njëjtën mënyrë, në vendet islame, duke përfshirë Turqinë, Egjiptin, Algjerinë dhe Iranin. “Nëse shikoni mënyrën se si shprehja e lirë është sulmuar nga ekstremistët fetarë, gjërat për të cilat akuzohen shkrimtarët janë të njëjta – blasfemi, fyerje, ofendim – është i njëjti fjalor. Jemi në pozitë të vështirë, sepse ka shumë frikë dhe nervozizëm rreth nesh”, ka shtuar ai. Ai e ka potencuar faktin se javën e kaluar “Channel 4” e ka anuluar shfaqjen e dokumentarit “Islam: The Untold Story” (Islami: Rrëfimi i pathënë).
“Fakti se një dokumentar për islamin mund të censurohet vetëm, sepse dikush shqetësohet për pasojat është indikator i kësaj situate”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, shkrimtari ka thënë se e ka potencuar që shumë herë ishin organizuar protesta kundër tij.
“Disa duket se e pranojnë lirinë e shprehjes dhe e kanë kuptuar se kanë të drejtë të thonë atë që mendojnë”, ka thënë ai.
Shkrimtari e ka ndërmend që së shpejti të publikojë librin me kujtime, me titull “Joseph Anton” – emër që e kishte përdorur derisa fshihte identitetin.