Hidromorava

Rudaku: Me dy pozita vështirë të jesh funksional dhe i përkushtuar

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Kryesuesi i Kuvendit më shumë qëndron në Prishtinë sesa në Gjilan dhe kjo vështirëson njohjen e problemeve reale të komunës thotë Avni Rudaku.

Edhe zyrtarët e Vetëvendosjes janë shprehur kundër qëndrimit të Izmi Zekës se ai mund të mbajë dy poste meqë ligji nuk e ndalon një gjë të tillë. Avni Rudaku nënkryetar i VV tha për rajonipress se edhe sikur të mos e ndalonte ligji ushtrimin e dy detyrave zyrtare, të jesh zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht kryesues i Kuvendit Komunal është vështirë të jesh funksional, i përkushtuar, efektiv dhe kontribuues në dyja detyrat, e aq më shumë kur mban dy poste aq të ndjeshme dhe me përgjegjësi të lartë siç janë këto dy detyra zyrtare publike.

“Kryesuesi i Kuvendit po ashtu më shumë qëndron në Prishtinë sesa në Gjilan dhe kjo vështirëson njohjen e problemeve reale të komunës të cilat mund të adresohen si pika të rendit të ditës, pavarësisht se kryesuesi është lloj menaxheri dhe koordinator i takimeve dhe agjendës së asamblistëve” tha Rudaku.

Mobi Casa

Sipas tij të marrësh dy paga në këtë kohë të skamjes absolute dhe të marrësh paga nga buxheti i shtetit mbetet kryesisht parim moral. “Pse po thirret drejtori i ri i shëndetësisë në Gjilan në ligje kur arsyetoi largimin nga njëri post të drejtorit Zijadin Hasanin, sipas të cilit ka konflikt interesi dhe nuk bën të mbahen dy detyra zyrtare në spitalin e Gjilanit?!

Pra, po flasim për interpretime dhe standarde të dyfishta të pushtetit aktual, të cilat nuk po aplikohen për kryesuesin e Kuvendit Komunal, por vetëm kur po donë të largojnë njerëzit e padëshiruar nga pushteti mendon Rudaku.

Sipas Rudakut me nenin 41 të Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, kryesuesi thërret dhe kryeson mbledhjet e Kuvendit të Komunës, ndërsa Izmi Zeka më shumë po merret me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shumë pak ose aspak me çështjet e nivelit lokal. Kjo ka dëme të mëdha për komunën tha Rudaku./rajonipress/