Rudaku: Kryetari i ka bananet e veta, nuk i intereson për vishnjet e qytetarëve
Gjilan – Filozofia politike e pushtetit aktual është bërë mashtrimi. Kryeministri Thaçi mashtron kryetarin e komunës së Gjilanit, ndërsa ky i fundit mashtron qytetarët, rrjedhimisht banorët e fshatit Kravaricë thotë Avni Rudaku.
Avni Rudaku nënkryetar i VV ka thënë se skandali i kryetarit të komunës së Gjilanit dhe forma e tij e vrazhdë dhe e kundërligjshme e komunikimit me qytetarët, përkatësisht me banorët e fshatit Kravaricë, duke iu përgjigjur kërkesave të banorëve për asfaltimin e rrugës kryesore në fshat, me shprehjet si këto: “Se nuk më duhen më votat e juaja!”, tregon se në Gjilan zgjedhjet e jashtëzakonshme do të duhej të mbaheshin që moti, ngase kryetari aktual po thellon krizën e qeverisjes lokale, po dëmton imazhin dhe besimin e qytetarëve në komunë, si dhe kjo sjellje e tij reflekton edhe disponimin nga ngërçet që janë krijuar brenda partisë së tij që nuk po mund të mbajnë zgjedhje demokratike, nga pritja e verdiktit prej lartë-poshtë. Sjellja politike e kryetarit Mustafa bie në kundërshtim me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, ligjin bazë për qeverisje në komuna, por edhe është në kundërshtim me vetë Statutin e miratuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Ne do t’i tregojmë këto shkelje ligjore edhe në mënyrë më të thuktë bazuar në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale: Në nenin 4.2. thuhet tekstualisht kështu: “Të gjitha organet e komunës kujdesen që qytetarët e komunës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë pa dallim race, etnie, ngjyre, gjinie, gjuhe, religjioni, mendimi politik apo mendimi tjetër, prejardhjeje kombëtare apo sociale, pa dallim prone, lindje apo ndonjë statusi tjetër me qëllim që ata të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta në shërbimet komunale të të gjitha niveleve.”
Sipas Rudakut këtu shihet qartë se kryetari Mustafa ka shkelur këtë nen, duke mos u kujdesur që qytetarët e komunës, gjegjësisht banorët e Kravaricës, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, duke përfshirë edhe të drejtën për zhvillime dhe investime të barabarta në infrastrukturë, pa diskriminim politik, siç përmendet edhe këtu, “pa dallim mendimi politik dhe me mundësi të barabarta në shërbimet komunale në të gjitha nivelet”.
Kur flitet për të gjitha organet, me nenin 10, dihet se organet komunale kryesore janë kuvendi i komunës dhe kryetari.
“Sjellja politike e këtij pushteti në Gjilan, shkelë edhe nenin tjetër, nenin 8, ku thuhet se qytetar i komunës është “çdo person i cili është qytetar i përhershëm i Republikës së Kosovës që jeton në komunën përkatëse.” Pra, edhe Kravarica, por edhe të gjitha fshatrat e tjera dhe lagjet e qytetit, duke përfshirë secilin qytetar të komunës, është i barabartë dhe nuk mund t’i nënshtrohet asnjë diskriminimi politik, qoftë në marrjen e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, e të ngjashme” ka thënë Rudaku.
Po të zbatohej neni 64 i Ligjit mbi Vetëqeverisje Lokale, kryetari i komunës pasi ka shkelur këtë Ligj, do të duhej të suspendohej me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, sepse me këtë nen thuhet se kjo mund të bëhet “nëse kryetari ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.” “Ministria përgjegjëse për pushtet lokal do t’i rekomandojë Qeverisë suspendimin dhe t’ia dorëzojë lëndën gjykatës kushtetuese.” Nëse kjo gjykatë do ta pranonte, dhe ne jemi të bindur se do ta pranonte nëse do të kishim interpretim të drejtë të ligjit, ngase ne e shohim qartë se kryetari ka shkelur nenin 4.2., nenin 8 dhe disa nene tjera të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale.
Edhe me statutin e komunës së Gjilanit të miratuar në fund të vitit 2011, nenin 10 që e citon Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, por veçmas edhe nenin 11 në statut, paragrafi 2, ku thuhet: “Territori i komunës së Gjilanit si njësi territoriale përbëhet prej lagjeve urbane, fshatrave dhe vendbanimeve sipas zonave kadastrale si në vijim…”, ku fshati Kravaricë gjendet me numër rendor 23, që i takon komunës së Gjilanit dhe komuna duhet përkujdesur dhe të ofrojë shërbime publike në të gjitha nivelet në këtë fshat dhe në secilën pjesë tjetër të komunës, qoftë edhe në infrastrukture, pasi është pjesë e komunës dhe asnjëra pjesë nuk mund të ketë privilegje në dëm të të tjerave, ndonëse Kravarica për shkak të sektorit të pemëtarisë do të duhej të ishte prioritet i prioriteteve mendon Rudaku.
Po ashtu, kryetari po dëmton fshatin Kravaricë edhe në zhvillimin e pemëtarisë, e cila degë është jetike për zhvillimin e këtij fshati, ngase sikur për Rahovecin që rrushi mbetet pemë e kultivimit, zhvillimit dhe si mënyrë jetese, ashtu janë për Kravaricën, vishnjet. Pjesa më e madhe e tokës përdoret për rritjen e pemëve, kryesisht vishnje, por për këtë tokë është thënë nga ekspertët e bujqësisë se mund të përdoret për prodhimin e shumicës së llojeve të prodhimeve bujqësore. Infrastrukturë më të mirë në Kravaricë do të thotë edhe joshje për investime dhe kultivimin e pemëtarisë, e cila është degë mjaft e rëndësishme e ekonomisë bujqësore. Kryetari pasi që merret me bizneset e veta si ky me bananet, nuk i intereson për vishnjet e qytetarëve, respektivisht, nuk indinjohet për fshatin Kravaricë dhe rritjen e mundësive për zhvillim të këtij vendbanimi të lënë anash nga komuna e Gjilanit. Gjilani e ka një Rahovec dhe kjo është Kravarica!
Krejt në fund, sjellja e kryetarit të komunës së Gjilanit, jo vetëm diskriminon qytetarët me baza politike e partiake, që humb besimin e qytetarëve në institucionin e komunës, zhgënjen pjesëmarrjen aktive të qytetarëve gjatë dëgjimeve publike, por edhe pengon zhvillimin ekonomik e social të komunës dhe të fshatrave të saj. Qeverisja e tij lokale po dëshmon zhytjen e komunës në kriza gjithnjë e më të thella, e që do të duhej më parë t’i ndalej hovi me suspendim sesa të priteshin qoftë edhe zgjedhjet e rregullta lokale. Ne jemi të brengosur me këtë sjellje indiferente, arrogante, të kundërligjshme të kryetarit të komunës, i cili ka zgjedhur format më të dobëta, më jo serioze, më pak llogaridhënëse dhe më së paku me nivel të përgjegjësisë së një kryetari të komunës, në komunikimin me qytetarët që kanë kërkesa krejt të pranueshme dhe themelore për një jetë normale dhe të dinjitetshme. Definitivisht, kjo qeverisje duhet të shkojë në mënyrë të pazakontë ashtu siç edhe po keqqeverisë. Kjo qeverisje lokale nuk e meriton largimin me zgjedhje normale ka thënë Rudaku në një konferencë për medie./rajonipress/


