Rryp tupani

Veshe e zhveshe atë këmishë spingla
e e vë si kënë ngjyrën e blertë kraharuar
krehu shkrehu dhe flokët e kresë hidhni
ana e përparme e ballit ngrehinë rojtari
zhgënjimi i ngrit rremat në mëngjes i pari
Merre e hiqe atë trastë nga krahu i thatë
si kodra e pa drunj e bari shkrumb e hi
si brigje shkëmbinj pa një tufë gjallëri
si arat e vrara nga breshëri në mot të lig
rryp tupani – mileti është gëzuar për liri!
Prej sot festa vazhdon me gërneta e syrli
ti kërkon tubë plehu a dheu të byrytesh
Të cucërranesh si ndonjë murç si hiç
për të kënduar e për të shkruar pak kiç
sa të joshësh mendimin pa asnjë qëllim
“do të bëhet mirë brenda njëqind vjetësh!”
Merre e ktheje prap më tepër se që ke
nënsqetullave tua vezët e ziera të prishën
bukuria e motshme u shëndrrua n’eshtra
veten zgjodhe më të dashuruarin ndër ne
pa ditur ç’është dashuria e ilaqi për jetë
merre e hiqe asgjë s’është pasuri e jote…!
është shitur nga tregtarët trup e shpirt
shtëpitë përditë po shtohen për efe e qefe –
dyqane që teren petka për estetikë turpi!
Vesh rrobat e mbetjes nga lirime rasti
zhveshi se rojtari i pyllit mbet mangut
s’i mjafton grykës tij as deti as oqeani!
TË LUTEM POET
Gati sikur t’ishte krejt çka predikon
na derdhe trutë me mund e lodhje
pa ndal hiç e rrah tokën e krrokat
shumë e fjalën e besën e ke dhënë
për atë çerdhën tënde si shumkush
ku ke lindë e për prindër e rreth
për trima e trimëresha gjithherë
atë vend e quan ëmbëlsisht si di
me aq emra zgjedhur nga fjalori
ndoshta, për inat të ati armikut
ndoshta, për t’ia bërë qefin mikut
për ta pajtuar nënën e babën
fëmijët që kanë mbetur pa zot
a ndoshta, sa për ta liruar veten
veç po më duket shumë po gënjen
s’bie dimri n’verë asnjëherë te ne
as vera në dimër me malin n’blerim
na çave kokën përditë e përnatë
si gjeli këngën e mësuar përmendësh
thuaje të vërtetën një herë të lutem
ti s’e krijove këtë botë veç këndove
po kënga s’është krejt histori e bukur!
NUK ËSHTË PERSONALE
Kur t’i pështjellon oreksi vetjak mendtë
s’e pret mbrëmjen e i njeh yjet në pikë ditë
me shpresë se do ta gjejsh atë tëndin diku,
njerëzia i është shtruar sërish shtërngatave!
Kur i mat hapat prej një vendi në tjetrin
flet vetmeveti si ndonjë rrugaç i marrë
e ndalesh për të përgjuar me vesh në tokë,
qielli është pakufi lart s’prekë asnjë kokë!
Kur shqyen kordhat e zërit duke thirrur:
– Shpëtonie njeriun e mbytur në humnerë
faji i juaj që ai të mbetet rrethuar mëkatesh,
kjo stinë s’do harrohet me djegie e përvlime!
E kur të dhurojnë shporta me plot gënjeshtra
hapësira t’i rëndon supet planeti shumë i fortë
– Ruana Zot nga “sherri i njeriut” robot në lojë,
mos alienët janë mbi tokë për këto ndryshime!
Shefik Shkodra