Eko Higjiena

Rrustemi: Dimrit ka më pak vjedhje e dëmtim të pyjeve

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Gjatë sezonit të dimrit ka më pak vjedhje dhe dëmtim të pyjeve. Muaji dhjetor dhe janar shënojnë vjedhjet minimale. Gjykatat janë më aktive në dënime , por ligji duhet të ndryshohet thotë Bislim Rrustemi drejtor i agjencisë pyjore në Gjilan.

Gjatë stinës së dimrit dhe në veçanti muajve dhjetor e janar ka më pak aktivitete dhe vepra penale të vjedhjes së drunjve. “Pyjet në këtë kohë janë minimalishtë të vjedhura dhe të dëmtuara” thotë për rajonipress Bislim Rrustemi drejtor në Agjencinë pyjore të Kosovës, njësia në Gjilan.

Rrustemi tha se ka një situatë më të mirë sa i përket ruajtjes së pyjeve dhe element kryesor që ka ndikuar në zvogëlimin e kësaj dukurie janë dënimet e larta. “Tani kemi dënimin nga 10 euro deri në 10 mijë euro. Realisht dënimi maksimal është shumë i favorshëm edhe për ne, por dënimi minimal nuk është i përshtatshëm sepse ka grabitës pyjesh që mund të dënohet me vetëm 10 euro” sqaron Rrustemi.

Sipas tij duhet të ndryshohet ligji sepse puna e gjykatave tashmë ka ndryshuar për të mirë. “Gjykatat po japin dënime të larta dhe nuk po i vonojnë lëndët ashtu siç ka ndodhur në vitet e mëparshme ku kemi pasur me mijëra lëndë që kanë pritur nëpër sirtarët e gjykatave “ thotë Rrustemi.

Rrustemi tha se gjatë vitit 2012 ka pasur 941 fletëparaqitje për kundërvajtje dhe 418 penale, që i bije rreth 500 më pak se vitin 2011.

Rrustemi tha se tani ka një koordinim më të mirë edhe me drejtorinë e bujqësisë nëpër komuna.

Mobi Casa

Nazmi Rapuca drejtor i bujqësisë në Gjilan thotë për rajonipress se jemi komuna që më së miri e kemi gjendjen në pylltari.”Shumë na kanë kritikuar për çmimin e shitjes së druve, kurse e vërteta është se ne i kemi shitur drutë 13 €/ m3 (për 13 € për metër kub) më shtrenjte se cila do komune e Kosovës”.

Rapuca tha se kur flitet për numrin e lëndëve të zgjidhura nga gjykatat, në raport janë shënuar vetëm fletëparaqitjet e shqiptuara në vitin 2012 dhe që janë trajtuar nga gjykatat. Përndryshe sivjet gjykatat kanë trajtuar shumë më shumë fletëparaqitje të viteve të mëparshme. Tani thuajse kanë arritur t`i zgjidhin të gjitha lëndët e vjetra dhe do të merren vetëm me këto të vitit 2012 dhe 2013. Realisht gjykatat e kanë zënë hapin, derisa më herët kanë pasur fletëparaqitje të vitit 2004 e këndej pa u trajtua fare” tha Rapuca..

Ndryshe Rapuca tha se gjatë vitit 2011 – 2012 kanë arritur që ta stabilizojmë gjendjen në sektorin e pylltarisë. “Prerja ilegale e pyjeve është zvogëluar 90 % dhe po punojmë për zvogëlimin e më tejmë. Janë përshpejtuar procedurat për dhënien e lejeve për prerjen e drunjve në pyjet private. Janë ndërprerë keqpërdorimet dhe korrupsioni, që ka qenë prezent deri sa pyjet janë menaxhuar plotësisht nga AKP. Është arritur një bashkëpunim i mirë me institucionet tjera që kanë rrol në mbrojtjen e pyjeve, si është, policia dhe gjykatat” tha Rapuca.

Duke folur me statistika Rapuca tha se gjatë vitit 2012 janë pyllëzuar me pisha rreth 20 ha (në fshatin Llashticë), janë dhënë 524 leje për prerje në pyjet private, sasia e përgjithshme e masës drusore afër 20.000.00 m3. dhe afër 1.370 m3 dru zjarri dhe 204.60 m3 dru teknik, nga pyjet publike. Duhet theksuar se, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari nuk i konfiskon drutë për të fituar komuna financa por, për të sanksionuar palët që dëmtojnë pyjet.

Rapuca tha se gjatë vitit 2012 nga zjarri, pjesërisht, janë dëmtuar 716.80 ha pyje.

Gjatë vitit 2012, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i fletëparaqitjeve për kundërvajtje dhe për vepra penale, kundër dëmtuesve të pyllit. Janë shqiptuar rreth 626 fletëparaqitje tha ai./rajonipress/