“Rrush e kumbulla” në New York, mbi 200 mijë euro për 7 ditë

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Në New York fillon nesër punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku edhe mund të ndodhë një shtrëngim duarsh mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Edhe pse nuk do të ketë të drejtë pjesëmarrjeje direkte në debate, delegacioni i Kosovës do të jetë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme dhe atë me një numër rekord zyrtarësh.

Raportohet se delegacioni i Kosovës do ketë në përbërje rreth 50 veta. Presidentja Jahjaga do të shkojë atje me një ekip prej afër 10 vetash, kurse nga Qeveria do jetë një delegacion shumë i madh. Kryeministri Thaçi do ketë ekipin e vet, po ashtu edhe zëvendësi i tij Pacolli do ketë ekipin e tij, derisa njëjtë do veprojnë edhe disa ministra, të cilët do marrin me vete një numër të madh zyrtarësh.

Shpenzimet e këtij delegacioni në Amerikë llogaritet të jenë shumë të mëdha. Nëse atje do udhëtojnë 50 veta dhe do qëndrojnë 7 ditë, atëherë sipas një llogaritje që e ka bërë ekonomisti Lumir Abdixhiku, del se do harxhohen së paku rreth 200 mijë euro, raporton KTV-ja.

Ndërkohë këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do ta drejtojë ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili tashmë është president i Asamblesë. Me të marrë postin ai kishte deklaruar se Kosova do të mund të bëhej anëtare e kësaj organizate vetëm nëpërmjet trupit të tij të vdekur. Ndaj kësaj kishte reaguar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, duke kërkuar shpjegim nga Jeremiqi. Pas kësaj, Jeremiq kishte thënë se i është keqinterpretuar deklarata.

Zyrtarët s’janë këtu, ndodhen në New York! -10:43

Uji Dea

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do t’i fillojë punimet nesër në New York, kurse delegacioni i Kosovës edhe kësaj herë do të jetë i pranishëm në një përbërje rekorde, prej rreth 50 vetash.

Edhe pse nuk do të ketë të drejtë pjesëmarrjeje direkte në debate, delegacioni i Kosovës do të jetë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.
Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga krerët më të lartë të shtetit, udhëtimin në New York më shumë e ka marrë si shëtitje, pasi që pjesë e tij do të jenë një numër rekord zyrtarësh kosovarë.

Në listën e pjesëmarrëse të Kosovës në AP të OKB-së, të siguruar nga portali ORAinfo, do të jetë edhe bashkëshorti i presidentes Atifete Jahjaga, Astrit Kuçi.
Më mposhte po publikojmë të plotë listën e delegacionit të Kosovës, ku tashmë një pjesë ka udhëtuar drejt New Yorkut.

Delegacioni nga Presidenca:

1. Atifete Jahjaga – Presidente e Republikës së Kosovës, 2. Z. Astrit Kuçi, bashkëshort i Presidentes, 3. Ramush Tahiri – këshilltar i lartë politik, 4. Arber Vllahiu – këshilltar politik për media/zëdhënës, 5. Zana Berisha -asistente personale, 6. Z. Florent Rrahmani -fotograf, 7. Sigurimi i Presidentes.
Delegacioni nga Kryeministria:
1. Hashim Thaçi -kryeministër 2. Bekim Çollaku, 3. Abelard Tahiri, 4. Edi Sejdiu, 5. Astrit Ibrahimi, 6. Xhavit Ferizi.
Delegacion i zv/kryeministrit Pacolli: 1. Behxhet Pacolli, 2. Z. Jetlir Zyberaj, 3. Gezim…(sigurim)
Delegacioni i ministrit Enver Hoxhaj:
1. Enver Hoxhaj, 2. Heroina Telaku, 3. Lulzim Pllana, 4. Akan Ismaili, 5. Bekim Sejdiu, 6. Imer Berisha, 7. Valeza Oruqi, 8. Fatmir Zajmi.

Këtu përfshihen edhe delegacionet e ministrave:
Vlora Çitaku me 4 veta, Mimoza Kusari – Lila me 4 veta, Ibrahim Makolli me 2 veta, Besim Beqaj me staf, Blerand Stavileci me staf.
Nuk dihet se sa ditë do të qëndrojë në SHBA delegacioni i Kosovës, por ajo që dihet është se një biletë udhëtimi deri në këtë shtet përtej Atlantikut kushton rreth 1000 euro, kurse secilit nga anëtarët e delegacionit i takon mëditja në vlerë prej 275 euro për secilën ditë qëndrimi atje. Kur kësaj t’i shtohen edhe shpenzimet e akomodimit në hotele, atëherë qëndrimi i delegacionit kosovar në SHBA do të ketë një kosto goxha të lartë për buxhetin e Kosovës.