RCCOLA

Rrugëtimi i Harbuzit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Labinot Harbuzi e ka përshkruar rrugëtimin e tij në karrierë, duke përmendur sukseset, por edhe vështirësitë me të cilat u përball. Nga eksperienca e suksesshme në Malmo, tek aventura dëshpëruese në Turqi, 27 vjeçari thotë se u kthye në Suedi për t’i rimbushur bateritë. Mesfushori kosovar beson se mund të luajë ende në nivele të larta të futbollit evropian. Me gjasë, ai mund ta vazhdojë karrierën në Spanjë, me ekipin Real Valladolid.

Nga forma e shkëlqyeshme në Malmo, deri tek kontrata profesioniste në Turqi me Gençlerbirligin. Më pas një rënie e madhe, për të përfunduar tek ekipi i divizionit të dytë suedez, Prespa Birlik.

Labinot Harbuzi e ka dhënë një intervistë për të përditshmen suedeze Kvallsposten ku ka folur për rrugëtimin e tij, sukseset dhe vështirësitë me të cilat u përball deri tash.

Ai thotë se sëmundja e nënës, ka ndikuar shumë në karrierë, por që edhe në raste tjera nuk ka vepruar si duhet. “Kam bërë shumë gabime. Kur jeni i ri, mendoni se i dini të gjitha”, ka thënë 27 vjeçari.

Futbollisti kosovar nuk ka luajtur në një ekip elitar që nga viti 2012. Vjet, ai iu bashkua ekipit nga liga e dytë suedeze, Syrianska, kurse sivjet po luan në Prespa Birlik, ku zhvilloi tri ndeshje.

“Janë shumë njerëz që nuk i kuptojnë gjërat. Unë nuk jam këtu për ta demonstruar se mund të luaj futboll. Unë jam objektiv i një klubi që dëshiron të më shohë duke luajtur. Kjo ishte kërkesa e tyre. Ndër të tjera, kam disa miq që kanë luajtur këtu dhe më kanë këshilluar që ta pranoj ofertën e këtij klubi”, vazhdoi Harbuzi, që ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime.

Ndoshta ajo e kësaj fundjave ka qenë e fundit për Harbuzin në Suedi, pasi që ai do ta provojë sërish veten në futbollin profesionist. Më 10 korrik do ta marrë rrugën drejt një destinacioni sekret.

UBT

“Është një vend i nxehtë. Menaxheri im është në kontakte të vazhdueshme me një klub, të cilit do t’i bashkohem në kampin stërvitor. Më pas, të shohim se çka do të ndodh”, vijoi futbollisti kosovar, i cili pritet t’i bashkohet ekipit spanjolle Real Valladolid, ku luan edhe bashkëkombësi i tij, Valdet Rama.

Ai e pranon se katër vjetët e kaluar në Malmo ishin më të mirët në karrierën e tij. madje, ai ishte bërë pjesë e ekipit U-21 të Suedisë.

Ai thotë se eksperienca në Turqi ishte e mirë, por më pas Gençlerbirligi e ndërroi trajnerin dhe atij iu sëmur nëna.

“Nëna ishte sëmur nga tumori dhe kishte pak mundësi për të shpëtuar. Ndihesha i pafuqishëm për të luajtur. Dëshiroja ta ndihmoja nënën, në tretmanët e saj. Kjo më ka bërë që ta humb ekuilibrin dhe nuk kam mundur të koncentrohesha në futboll”, thotë ai.

Më pas ai u kthye në Turqi, me ekipin Manisaspor, por as aty nuk arriti ta tregojë veten. Harbuzi shton se ka mundur të shkonte në një ekip qipriot, ku do të mund të luante në Ligën e Kampionëve.

Por, ai e preferoi Syrianskan, duke u kthyer në ‘atdhe’. Harbuzi tregon se ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e Malmos edhe sot, por që e përjashton mundësinë e rikthimit në këtë klub. Ngase, ai preferon të luajë në nivele më të larta.

“Nëna arriti të shërohet dhe mua mu kthye buzëqeshja. Thonë se momentet më të mira të lojtarëve janë 27, 28 e 29 dhe kam shumë vite përpara në karrierë. Dëshira ime është edhe më e madhe tash. Gjithçka që kam përjetuar, më ka bërë më të fortë. Dëshiroj ta demonstroj se sa vlej, në futbollin evropian”, tha ndër të tjera Harbuzi.