UBT

Rrugët e Isa Mustafës

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Shkruan : Adriatik Kelmendi -Në kohën kur kanë kaluar një vit e gjysmë prejse Mustafa udhëheq partinë dhe dy vjet e gjysmë në mandatin e tij të dytë si kryetar i Prishtinës, duket se i janë kryqëzuar rrugët e kryeqytetit dhe të partisë.

Pas aventurave të fundit zgjedhore e kryeqytetase nëpër qorrsokakë, ka ende mjaft kohë për të gjetur rrugët e duhura. Ia filloi premtueshëm, mund të vazhdojë premtueshëm. Mirëpo nëse vonohet shumë, mund të vijë çasti jo më vetëm për të gjetur rrugë, por për të lëshuar – rrugë
FATI POLITIK I ISA Mustafës është i lidhur ngushtë me rrugët. Drejtpërdrejt me rrugët e qytetit me të cilin udhëheq dhe me rrugën e partisë që drejton.

Me punët e bëra në rrugët e Prishtinës, ndër të tjera, në mandatin e parë ai fitoi edhe një mandat në udhëheqje të kryeqytetit. Mustafa nga të gjithë me të drejtë shihej si një yll në rritje i LDK-së, pasi që ia kishte dalë që të mbante gjallë ndjenjën e fitores për partinë në kohën kur kishte humbur për herë të parë në nivel nacional. Shumëkush e ka vlerësuar Mustafën si njeriun që do të mund ta mbajë balancimin e pushteteve, duke qenë kryetar i një qyteti me de facto rreth gjysmë milioni banorë me pushtetin qendror të dominuar nga PDK-ja.

Rruga tjetër e suksesshme e Mustafës ishte vendimi për të kandiduar në momentet e fundit për kryetar partie, në periudhën kur kredibiliteti i ish-kryetarit Sejdiu ishte i brishtë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre që shiheshin si kompromise ndaj partnerit qeveritar, PDK-së.

Anketa të ndryshme tregonin se Mustafa kishte potencialin për ta ruajtur LDK-në që të mos e përgjysmojë përqindjen në zgjedhjet e parakohshme që do të mbaheshin në dhjetor. Rruga sërish ishte e suksesshme, pasi që edhe vetë Mustafa kishte deklaruar se nuk priste se do të fitonte për shkak të afatit të shkurtër për reforma partiake. Të tjerat besoj janë mirë të njohura.

Udhëkryqi politik

TASH, NË KOHËN kur kanë kaluar një vit e gjysmë prejse Mustafa udhëheq partinë dhe dy vjet e gjysmë në mandatin e tij të dytë si kryetar i Prishtinës, duket se rrugët i janë kryqëzuar. Mustafa ndodhet në një udhëkryq të kryeqytetit dhe të partisë.

Pas sukseseve të para relative në reformë të partisë, kur u shfaq i vendosur dhe pakompromis në ndryshimet nëpër degë dhe në hartimin e statutit të ri, rezultatet e testeve të para nuk janë shumë premtuese.

Herën e parë që LDK-ja nën udhëheqjen e Mustafës mori pjesë në një proces zgjedhor, ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Rahovecit. Rezultati i kandidatit të atëhershëm të LDK-së mund të lexohej si një sukses relativ dhe shpresëdhënës për partinë. Siç dihet, LDK-ja nuk kishte fituar në Rahovec, por kishte shkuar në balotazh me AAK-në, duke lënë si të tretin kandidatin e PDK-së, partisë që kishte drejtuar deri atëherë komunën. Duke pasur parasysh se Mustafa kishte më pak se dy javë në udhëheqje të partisë në kohën e këtyre zgjedhjeve, rezultati duhej pranuar si premtues.

Mirëpo, njësoj nuk mund të thuhet me renditjen e LDK-së si e dyta në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt. Përkundrazi. Ky rezultat do të duhej të shërbente si kambana më e madhe e alarmit deri më tash për LDK-në nën udhëheqjen e Mustafës. Së pari, me kandidaturën e një personaliteti të ricikluar politik, thënë së buti, Mustafa nuk ka treguar fare në praktikë përcaktimin e tij për reforma thelbësore në parti. Për më tepër, ai ka lënë të kuptohet se nuk po e ka fuqinë e mjaftueshme brenda partisë për të vendosur për kandidatët, duke bërë kompromise me degën e partisë.

Një kandidaturë e atillë, si ajo e Adem Salihajt, gjithsesi do të duhej vendosur vetëm në qoftë se të gjitha llogaritë do ta tregonin atë si fitues të sigurt të zgjedhjeve. Pasi që për LDK-në zgjedhjet në Ferizaj nuk kanë qenë thjesht vetëm një palë zgjedhje në njërën nga 30 komunat e Kosovës, por matës i perceptimit të masës për këtë parti sot.

Fatkeqësisht, mesazhi që është dhënë nga këto zgjedhje është: LDK-ja nuk është reformuar dhe LDK-ja vazhdon të jetë partia e dytë.

Si për fat (të mirë ose të keq, do të shihet) do të ketë edhe një test tjetër së shpejti për të gjitha partitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut. Një fitore eventuale e LDK-së do të kishte ndikim në kthimin e vetëbesimit të anëtarëve të partisë dhe krijimin e frymës për fitore në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Në të kundërtën, do të vazhdonin të tregonin se LDK-ja ende nuk ka arritur të mobilizojë masën që do ta sillte fitoren.

Udhëkryqi i Prishtinës

PAK A SHUMË situata paraqitet e njëjtë me udhëkryqin e Mustafës edhe në Prishtinë. Në dy-tre vjetët e parë të mandatit besoj mund të thuhet lirshëm se në kryeqytet u punua ndoshta më tepër se për të gjitha vitet e tjera të pasluftës.

Por, kohëve të fundit sikur jepen shenjat e një lëshimi të kondicionit.

UBT

Ka premtime të Mustafës të dhëna gjatë fushatave zgjedhore para dy mandatave të tij të fituara, që vazhdojnë të mbesin të papërmbushura. Të tilla p.sh. janë ato për parkingjet nëntokësore në qendër, për furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm, për ndërtimin e rrugëve unazore, respektimin e plotë të planit urbanistik e të tjera.

Natyrisht se disa prej këtyre janë të ndërvarura edhe me bashkëpunimin me Qeverinë dhe institucionet e tjera të pushtetit – ministritë e caktuara ose, në këtë rast, ujësjellësin – por qytetarët nga udhëheqësit kërkojnë që t’ua bëjnë çarenë edhe problemeve, që shpesh janë jo të lehta.

Mustafa mund të arsyetohet se po vazhdon t’i zvarritet edhe miratimi i Ligjit për Prishtinën, por edhe për këtë do të duhej gjetur një zgjidhje praktike, në vend të vendnumërimit dhe të akuzave për ish-partnerin qeveritar, PDK-në (pasi që as në kohën e bashkëqeverisjes LDK-ja nuk ia kishte dalë ta bindte PDK-në që ta miratojnë ligjin).
Rrugët e Isa Mustafës

Do të sjell vetëm edhe një shembull të thjeshtë për të ilustruar udhëkryqin e Mustafës në kryeqytet.

Edhe pak javë mbushet një vit prejse Mustafa ka përuruar fillimin e punimeve në vazhdimin e Rrugës B, që lidh “Kodrën e Diellit” me lagjen “Mati I”. Kjo me të drejtë është quajtur si më e mira rrugë urbane në Kosovë, pasi që ka tri korsi, shteg të biçikletave, brez të gjelbëruar e të tjera.

Mirëpo, një vit kishte zgjatur ndërtimi i segmentit të parë prej 700 metrash, dhe edhe më shumë duket se do të zgjasë edhe përfundimi i segmentit të dytë prej rreth 900 metrash.

Në kohën e fillimit të punimeve të segmentit të dytë, në korrik, vetë Mustafa kishte thënë se punëkryerësi kishte premtuar se do ta përfundonte rrugën para afatit zyrtar – dhe deri në fund të vitit që lëmë pas – në mënyrë që në pranverë të fillohet me segmentin e tretë që do ta lidhte atë me Prishtinën e Re.

Por, deri më tash segmenti i dytë i kësaj rruge duket të jetë ende larg përfundimit dhe puna në segmentin e tretë as që ka filluar. Për t’u komplikuar gjërat edhe më tepër këtu, i kushtëzuar me ndërtimin e kësaj rruge është edhe shtrirja e rrjetit të kanalizimit për mija e mija banesat në ndërtesat e shumta të reja në lagjen “Mati 1”.

Paramendoni tash situatën kur me mija familje nuk do të mund të vendosen në banesat e tyre të blera nga ndërtuesit për shkak se Komuna (dhe ujësjellësi) nuk ia kanë dalë që të kryejnë obligimet e tyre për disa qindra metra rrugë e kanalizime. Të gjithë këta qytetarë, të cilët përkthehen me mija votues zgjedhjesh, pa analizuar shumë nuk do të hezitojnë t’ia lënë fajin Mustafës, kryetarit të qytetit, për pamundësinë e vendosjes në banesat e tyre të gatshme.

Aq më keq, është e pritshme që kjo të shfrytëzohet pamëshirshëm edhe nga kundërshtarët e tij politikë. Sidomos nga PDK-ja, e cila marrjen e pushtetit në Prishtinë e sheh me syrin e ushtarit që synon okupimin e kështjellës së pamposhtur. Qysh tash më duket se po i shoh përfaqësuesit e PDK-së në fushatën e ardhshme zgjedhore duke thënë: “Ne i bëmë dhjetëra e dhjetëra kilometra autostradë, kurse Mustafa nuk ia doli të bënte disa qindra metra rrugë!”.

Mbamendja e votuesve përgjithësisht tregohet të jetë afatshkurtër, kështu që shumë qytetarë do të jenë të prirë të harrojnë dyshimet për korrupsion dhe mosshpalosjen e kontratës për autostradën. Fundi i fundit, shumë qytetarë vetëm duan të dinë se çka është ndërtuar me taksat e tyre. Zakonisht, në fund, pak çon peshë a janë vjedhur apo a janë kursyer. Duan rezultate të dukshme dhe të prekshme. Një pozicion jo fort i favorshëm për Mustafën.

Rigjetje ose lëshim i rrugës

PËRFUNDIMISHT, JO RRALLË herë është konstatuar me të drejtë se qeverisja e Prishtinës nga Mustafa mund të shërbejë si mostër edhe për qeverisjen e Kosovës nga ai. Njëjtë, siç mund të matet rezultati i LDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash, si projektues i rezultatit që mund ta ketë LDK-ja në zgjedhjet e përgjithshme.

Mustafa, pas aventurave të fundit nëpër qorrsokakë, ka ende mjaft kohë për të rigjetur rrugët e duhura. Ia filloi premtueshëm, mund të vazhdojë premtueshëm.

Mirëpo, në qoftë se vazhdon të qëndrojë me nge në udhëkryq, dikur mund të jetë shumë vonë.

Mund të vijë momenti jo më vetëm për të gjetur rrugë, por edhe për të lëshuar – rrugë.(kohanet)