UBT

Rruga turke e tenderëve

/ 5 minuta lexim

Nga Ibrahim Rexhepi – Po të mos ishin tenderët e mëdhenj dhe të dyshimtë të Qeverisë Thaçi, prania e Turqisë në Kosovë do të ishte minore, apo vetëm në tregti, në sektorin bankar, në arsim e shëndetësi.

Kur ata që mendojnë ndryshe ia prishin disponimin Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe prej tij cilësohen si idiotë, apo kur Hashim Thaçi i rrëmbyer nga emocionet bën edhe gjestikulacione të papranueshme për një burrështetas, si ndodhi kur ai përcillte vizitën e”vëllait” të tij nga Turqia, kryeministrit Recep Tayip Erdoan, atëherë nuk mund të flitet më për qasje racionale dhe reale ndaj raporteve me Turqinë. Kryeministri i Turqisë u prit si shpëtimtar i Kosovës dhe si “vëlla” i madh. Por, jo edhe nga “idiotët”, apo ata që janë të bindur se “Kosova është Kosovë” dhe se kreu shtetëror i saj duhet të jetë më i matur në përcaktimin e strategjisë së politikës së jashtme, si edhe për vlerësimin real të pozicionit ekonomik të Kosovë në relacionet ndërkombëtare.

Zhvillimet më të reja në fushën e marrëdhënieve ekonomike me botën viteve i kanë dhënë një prioritet Turqisë, megjithatë, ajo në Kosovë më shumë është e pranishme përmes disa tenderëve që vazhdimisht u kritikuan dhe mbetën nën dyshimin për rregullsinë e tyre. Fillimisht ishte ndërtimi i autostradës Vërmicë- Besi, e pastaj koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës dhe shitja e distribucionit të KEK-ut. Por, në këtë mandat kjo qeveri nuk ka bërë asgjë tjetër që mund të sillte edhe investitorë të tjerë. Prandaj, bizneset e shtetit nga Bosfori këtu erdhën përmes rrugëve që përherë do të mbesin të dyshimta. Dhe, po të mos ishin këto punë e këta tenderë, prania e Turqisë do të ishte e padukshme, apo vetëm në lëmin e bankave, arsimit dhe të shëndetësisë.

Mirëpo, ekonomia e Turqisë është në ekspansion, ndonëse viteve të fundit edhe asaj iu nxehën motorët. Por, përkundër normës më të ulët të rritjes ekonomike, si edhe të investimeve jashtë vendit, ajo mbetet fuqia ekonomike numër një në rajon, por me ndikim edhe në rrafshin global. Po ashtu, në këtë drejtim ajo ka qenë mjaft agresive, ndonjëherë ndoshta edhe e pa kompromis drejt arritjes së synimeve të veta – që do ta bënte secili shtet i fuqishëm. Mirëpo, shtrirja e ndikimit të kapitalit turk deri te kufijtë ku kishte arritur kalorësia otomane, te popujt më të vegjël në numër dhe me ekonomi të dobët, normalisht që kanë zgjuar shqetësimin se kjo politikë ka rrënjët në të kaluarën, ndërsa synimet e saja tash nuk realizohen me ushtri, por me kapital. Këtë frikë edhe më shumë e rritë entuziazmi i dy “vëllezërve” më të rinj të kryeministrit Erdoan dhe fakti se ky takim i bën që ata të harrojnë rrugën për ku janë nisur – për në Bruksel.

Hidromorava

Shifrat tregojnë se prania e kapitalit turk është rritur në dy vitet e fundit. Sivjet, deri në fund të qershorit, 36,1 për qind të investimeve të huaja direkte erdhën nga ky vend, ndërsa Gjermania, si një shtet që tradicionalisht më shumë ka investuar në Kosovë tash ka pjesëmarrje minimale, ndërsa Anglia vetëm 14,4 për qind. Po ashtu, vjet Turqia te IHD-të merrte pjesë 28,6 për qind, kurse Gjermania- 22 për qind. Ndërkaq, viteve të mëhershme kjo pjesëmarrje ishte krejtësisht e kundërt. Kjo tregon se kush e shfrytëzoi më mirë rrugën e tenderëve të Qeverisë Thaçi.

Ndërkaq, marrëdhëniet tregtare, bindshëm dominon Bashkimi Evropian bashkë me Gjermaninë. Eksporti në këtë shtet evropian është në rënie dhe në total ai merr pjesë 5,4 për qind, nga 10,6 për qind sa ishte në vitin 2005, ndërsa importi nga 10,7 për qind u rrit në 12,1 për qind. Kurse me shtetin euro-aziatik vëllimi i shkëmbimeve është shumë më i ulët. Eksporti ka trend të rritjes, pasi nga pjesëmarrja prej 1,8 për qind arriti në 4,1 për qind, ndërsa importi mbeti gati i njëjtë – rreth tetë për qind.

Në këtë raport të shifrave dalin disa probleme, të cilat në të ardhmen mund të reflektohen shumë keq në qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit. Posaçërisht kur janë në pyetje tenderët qeveritar dhe përgjithësisht qasja ndaj kapitalit të huaj. Pa marrë parasysh disponimin dhe interesin që ka Turqia për të investuar në Kosovë, megjithatë strategjia e vendit tonë duhet të mbështetet në rritjen e numrit të shteteve dhe të investitorëve që vijnë këtu. Kjo për faktin se së pari krijohen raporte më të mira politike e diplomatike edhe me shtete e tjera, por, që është edhe më me rëndësi, nuk duhet lejuar që tregu i Kosovës të krijojë varshmëri të madhe vetëm nga një shtet, sado që të jetë i fortë ai. Në këtë mënyrë ai koncentron rrezikun në një pikë, në vend se të bëhet shpërndarja e tij.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)