Rruga “Hamdi Kurteshi” ende e pa përfunduar, qytetarët të irrituar nga pluhuri, trafiku dhe premtimet e komunës
Gjilan – Ndonëse u promovua si një nga “mega projektet” infrastrukturore të Komunës së Gjilanit dhe u premtua se do të përfundonte brenda vitit 2024, zgjerimi i rrugës “Hamdi Kurteshi” vazhdon ende të mbetet kantier i hapur, duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
Punimet në këtë segment rrugor kishin nisur zyrtarisht më 1 dhjetor 2023, ndërsa projekti me vlerë rreth 2.4 milionë euro ishte prezantuar nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, si një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore në qytet.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar muaj të tërë nga afatet e paralajmëruara, qytetarët përballen çdo ditë me pluhur të madh, trafik të dendur dhe qarkullim të çrregullt, duke e bërë lëvizjen në këtë pjesë të qytetit tepër të vështirë.
Banorët dhe vozitësit shprehen të revoltuar me ritmin e ngadaltë të punimeve dhe me premtimet që, sipas tyre, kanë mbetur vetëm deklarata politike.
“Kemi pluhur çdo ditë, kolona të gjata automjetesh dhe nervozizëm të vazhdueshëm. Na u tha se projekti do të përfundonte në vitin 2024, por ende nuk po shihet fundi i tij,” shprehet një qytetar i Gjilanit.
Projekti parasheh zgjerimin e rrugës përgjatë kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës nga dy në katër korsi, ndërtimin e trotuareve në të dy anët, shtigjeve për biçikleta dhe infrastrukturës moderne nëntokësore, përfshirë edhe zhvendosjen e kabllove elektrike. Gjithashtu, projekti përfshin edhe mbulimin e shtratit të lumit Stanishorka.
Nga Komuna e Gjilanit është deklaruar se punimet po vazhdojnë dhe se paralelisht po realizohen edhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore në zonë, përfshirë pastrimin e lumit dhe përgatitjen për ndërtimin e kolektorit.
Megjithatë, për qytetarët e Gjilanit, realiteti në terren mbetet larg premtimeve të bëra. Ata thonë se zvarritja e projekteve dhe mungesa e rezultateve konkrete po rrit zhgënjimin ndaj institucioneve lokale, ndërsa kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe transparencë për investimet publike.
Në prag të zhvillimeve të reja politike dhe zgjedhore, shumë qytetarë vlerësojnë se projektet e papërfunduara dhe premtimet e pambajtura do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në besimin që ata do t’u japin përfaqësuesve politikë në zgjedhjet e ardhshme./rajonipress/


