Fundamenti

Rrudhet xhepi i diasporës

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Të ardhurat nga diaspora kanë rënë për qindra mijëra euro, nëse krahasohen të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për këtë fillimvit me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku del se ka rënie për 6 milionë euro.

Për rënien e remitencave ka dalë edhe një raport i UNDP-së, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se rënia është si pasojë e krizës në vendet ku kemi diasporën.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 dërgesat e mërgimtarëve kapin shumën 119.1 milionë euro, që është 4.8 për qind më pak së në të njëjtën periudhë kohore. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar shifra e dërgesave ishte 125.1 milionë euro.

Ndërsa shifra totale e remitencave ndër vite sipas raportit të BQK-së është: në vitin 2011 totali i remitencave ishte 584. 8 milionë euro, në vitin 2010 584.3 milionë euro, në vitin 2009, 585.7 milionë euro, në vitin 2008, 608.7 milionë euro, në vitin 2007, 515.6 milionë euro, në vitin 2006, 467.1 milionë euro, në vitin 2005, 418.0 milionë euro dhe në vitin 2004, 357.0 milionë euro.

Mobi Casa

Në një hulumtimin për të hyrat nga remitencat në vitin 2011 në Kosovë nga Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara thuhet se shenjat nga jashtë janë burimi më i madh i të hyrave për amvisëritë në Kosovë, pas fitimeve nga punësimi i rregullt, dhe bëjnë më shumë se 20 për qind të të hyrave të përgjithshme. Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2011 shuma e përgjithshme e remitencave në Kosovë ishte 379.6 milionë euro, që është më pak se 14 për qind për shkak të krizës ekonomike në Evropë, në krahasim me 442 milionë euro sa janë shënuar në vitin 2010, dhe është parë se remitencat kanë rritur standardin e atyre që i kanë marrë.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, thotë për Zërin se kjo po ndodh për shkak se mërgimtarët janë orientuar më shumë tek kursimet për shkak të krizës. “Rënia e remitencave është një tregues që diaspora jonë është orientuar më shumë në kursime në kohët e krizës së eurozonës dhe normalisht se do të ndikojë në rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, meqenëse Kosova është mjaft e varur nga paratë që i merr nga jashtë”, tha Abdixhiku.

Si problem tejet të madh Abdixhiku e konsideron edhe rënien e eksportit dhe investimeve nga jashtë.