Fundamenti

Rritja e qenve endacakë në vende publike rrezikon sigurinë e qytetarëve në Viti

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Viti – Prania në rritje e qenve endacakë në hapësirat publike po shndërrohet në një shqetësim serioz për sigurinë e qytetarëve në Komunën e Vitisë. Sipas raportimeve nga terreni, numri i këtyre kafshëve është shtuar ndjeshëm, duke krijuar rrezik të vazhdueshëm për banorët.

Qytetarët e fshatit Ramjan kanë ngritur alarmin për praninë e shumtë të qenve endacakë nëpër lagje dhe rrugë, ku ata jetojnë dhe lëvizin çdo ditë. Banorët shprehen se përballen pothuajse çdo ditë me situata të rrezikshme, sidomos për fëmijët, nxënësit dhe kalimtarët, të cilët janë më të ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme.

Ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në këtë fshat. Sipas të dhënave nga Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi (EVSB), i njëjti problem është i pranishëm në pothuajse të gjitha fshatrat e komunës, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese në nivel lokal.

FIDANISHTJA

Përfaqësuesit e EVSB-së u bëjnë thirrje institucioneve komunale që të ndërhyjnë sa më shpejt për të menaxhuar situatën, në mënyrë që të garantohet rendi publik dhe të mbrohen qytetarët. Ata kërkojnë masa konkrete dhe të menjëhershme për trajtimin e këtij problemi, duke përfshirë kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë.

Qytetarët, ndërkohë, presin reagim të shpejtë nga autoritetet dhe zgjidhje afatgjata për të rikthyer sigurinë në komunitetet e tyre.

Koordinatori i EVSB-së për Komunën e Vitisë,
Imri Emërllahu.