Rritja e pagave do ta plotësojë reformën e shëndetësisë në Kosovë

Pa rritje të pagave të punëtorëve të shëndetësisë, reforma në shëndetësi nuk do të jetë e plotë. Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Sipas Ismailit, që të ketë përgjegjësi më të madhe nga punëtorët shëndetësorë, atëherë duhet të krijohet edhe mirëqenie më e mirë për ta.

Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë këto deklarime i ka bërë pas miratimit të koncept-dokumentit për kategorizimin e pagave në Kosovë.

“Ne duhet të krijojmë një mirëqenie më të mirë për punëtorët shëndetësorë dhe natyrisht të shohim më pastaj një përgjegjësi më të lartë nga ana e tyre në mënyrë që t’i ofrojmë të gjitha shërbimet që qytetarët tanë kanë nevojë. Mirëpo pa rritje pagash edhe për sektorin e shëndetësisë konsideroj se reforma nuk do të jetë e plotë”, tha Ismaili për Ekonomia Online.

Sa i përket çështjes se sa do të jetë përqindja që ministri Ismaili do t’ua rrisë pagat punëtorëve të sektorit që ai drejton, ky i fundit tha se do të gjejnë një shumë e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë punëtorët shëndetësorë.

Mirëpo, sipas Ismailit, për këtë çështje fillimisht do të diskutojnë edhe me sindikatat dhe grupet e tjera të përfshira në këtë proces.

“…ekziston një vullnet i madh që të ketë reflektim, pra, që të ketë ndryshim të pagave të punëtorëve shëndetësorë e sidomos të disa kategorive të cilat janë lënë jashtë kur janë bërë rritjet e pagave herët e kaluara. Jam optimist se sot do të arrijmë ta gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e kënaqshme edhe për punëtorët shëndetësorë”, tha ai.

Ismaili ka folur edhe lidhur me vonesat në nënshkrimin e kontratave për furnizim me barna esenciale.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka bërë një ofertë e cila përfshin mbi 300 artikuj të ndryshëm, në mënyrë që furnizimi me barna të jetë i vazhdueshëm e jo vetëm disa javor.

Ndonëse tha se blerjet e barnave nuk varen vetëm nga ministria që ai drejton, Ismaili tha se punët që i takojnë Ministrisë së Shëndetësisë do t`i përfundojnë brenda një muaji, në mënyrë që sa më shpejt qytetarët të mund të furnizohen me artikujt e nevojshëm.

“Blerjet nuk varen vetëm prej ministrisë së Shëndetësisë, blerjet varen edhe prej institucioneve tjera. Ne do t`i përfundojmë në afat. Sipas ligjit, janë një javë derisa të shpallet pastaj janë edhe tetë ditë derisa të shpallet vendimi pastaj edhe afati ligjor për ankesa. Sa i përket ministrisë së shëndetësisë, ne brenda një muaji do t`i bëjmë të gjitha. Sa na përket neve, do i përfundojmë të gjitha punët. Sa i përket institucioneve tjera më pastaj duhet të shohim se çfarë vendime kanë me marrë ato”, përfundoi Ismaili.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).