UBT

Rreziku nga tatimet

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Me rritjen e tatimeve për bizneset e vogla, pritet të rritet informaliteti dhe papunësia, e të zvogëlohet numri i tatimpaguesve. Ekonomistët vlerësojnë se Qeveria në këtë formë po t’i dekurajojë qytetarët të paguajnë tatimet.

Sipas tyre, në vend se institucionet t’i rrisin normat e tatimeve, ata duhet të forcojnë mekanizmat për të futur sa më shumë tatimpagues në sistem.

Edhe ato pak para që i kanë paguar biznesmenët, këngëtarët, avokatët e kontabilistët në emër të tatimeve, ka rrezik që të mos i derdhen shtetit në arkë. Vetë institucionet që i mbledhin taksat, po dalin të jenë ato që po ua bëjnë jetën ferr tatimpaguesve.

Ekonomistët thonë se me ngritjen e normave të tatimit për këto kategori nga 5 në 9 për qind, do të rritet edhe shkalla e informalitetit.

“Rritja e taksave dhe tatimeve shpesh i çon njerëzit në mospagim, drejt evazionit fiskal”, thotë Alejtin Berisha, drejtor i universitetit Universum, në Prishtinë.

Sipas tij, rritja e taksave duhet të shkojë në proporcion me zhvillimin e vendit, e që në rastin konkret në Kosovë zhvillimi ai thotë se nuk jep shumë hapësirë për ngritje të taksave.

Për këtë arsye edhe njohës të tjerë të ekonomisë mendojnë se Administrata Tatimore e Kosovës do të dështojë në mbushjen e buxhetit me të hyrat e mbledhura nga zanatlinjtë.

Kjo kategori e bizneseve edhe ashtu deri më tani ka paguar më së paku tatime nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në Kosovë.

Eco Higjiena

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se çdo politikë për vjeljen e taksave gjithnjë është e suksesshme nëse ka shtrirje dhe i identifikon burimet e mbledhjes së tatimeve, e jo duke i ngarkuar tatimpaguesit me norma ndoshta të papërballueshme.

“ATK-ja nuk besoj se do të ketë numër më të madh të këtyre tatimpaguesve, sepse janë kategori e tatimpaguesve jo të rregullt, ndërsa ajo duhet të orientohet të ndërtojë mekanizëm që i fut ata në sistem”, thotë Rexhepi.

Ai thotë se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë për të rritur numrin e tatimpaguesve me një shtrirje më të gjerë të mbledhjes së tatimeve, por vetëm e kanë rënduar edhe më tepër tatimpaguesin që edhe ashtu nuk i ka qenë i rregullt me pagesa, ose nuk ka paguar fare.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, pjesa më e madhe e bizneseve janë biznese me qarkullim vjetor nën 50 mijë euro, që do të thotë se janë përfshirë nga ngritja e tatimit në 9 për qind. Nga 64,0306 biznese të regjistruara në ATK, vetëm 10,0289 janë deklarues të TVSH-së.

Bekim Marmullaku, ekonomist, thotë se, nëse kjo rritje e taksave dhe futja e dhunshme në TVSH e bizneseve të vogla dhe mikrobizneseve në Kosovë, është bërë për shkak të supozimit se disa nga këto biznese deklarojnë më pak qarkullim vjetor për t’i ikur TVSH-së, atëherë kjo është forma më e keqe e mundshme për evitimin e kësaj dukurie.

Sipas tij, kjo assesi nuk mund të justifikojë joefikasitetin e ATK-së në identifikimin dhe ndëshkimin e ndërmarrjeve që përdorin ekonominë joformale dhe evazionin fiskal.

“Ndëshkimi kolektiv i kësaj kategorie të ndërmarrjeve as ndihmon zhvillimin e këtyre bizneseve dhe as zhvillimin ekonomik të vendit. Përkundrazi, për shkak të kapacitetit të dobët financiar, shumë lehtë mund të shpie deri te falimentimi i tyre, të cilat edhe ashtu operojnë në një treg dhe ekonomi mjaft të vështirë për to”, thekson Marmullaku.

E kur të merret për bazë fakti se kjo kategori e ndërmarrjeve është edhe punëdhënësi më i madh në sektorin privat, ai pohon se atëherë do të jenë të qarta pasojat e këtij veprimi.(express)