UBT

Rrezikon për Shqipërinë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Shqipëria po përgatitet intensivisht për t’i kaluar me sukses dy sfidat e para kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’.

Ndeshjet ndaj Qipros e Zvicrës po konsiderohen tepër të rëndësishme nga ana e Kuqezinjve. Për këtë arsye, kapiteni Lorik Cana ka vendosur të luajë në të dyja ndeshjet, edhe pse me shëndet nuk i ka punët mirë. Kosovari shpreson që Shqipëria t’i nisë me fitore këto eliminatore.

Kombëtarja e Shqipërisë po vazhdon të përgatitet në Durrës për t’i nisur sa më mirë kualifikimet për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Siç dihet, Kuqezinjtë kualifikimin do ta kërkojnë në grupin E përballë Zvicrës, Sllovenisë, Norvegjisë, Qipros e Islandës.

Të premten, shqiptarët do ta zhvillojnë ndeshjen e parë si vendas ndaj Qipros, derisa katër ditë më vonë do të jenë mysafirë të Zvicrës. Skuadra e Gianni de Biasit po bëhet gati për t’i kaluar sa më mirë këto dy sfida të para. Edhe pse ky është vetëm fillimi i eliminatoreve, rëndësinë e këtyre dy dueleve tashmë e di çdo anëtar i reprezentacionit shqiptar.

Se me sa seriozitet Shqipëria u është qasur këtyre dy ndeshjeve dëshmon edhe fakti se kapiteni i saj, Lorik Cana ia ka mësy fushës së blertë, pavarësisht se kohëve të fundit nuk po gëzon shëndet të mirë, e po ashtu ende nuk e ka sanuar tërësisht një lëndim, arsye këto që futbollistin e kishin lënë jashtë Lazios në dy ndeshjet e para të ekipit italian.

Mesfushori kosovar është i vetëdijshëm se i nevojitet shumë ekipit kuq e zi. Andaj, pavarësisht problemeve shëndetësore, ka vendosur t’u nënshtrohet urdhrave të strategut italian De Biasi.

“Jam lënduar para një jave, andaj kam munguar në dy ndeshjet e Lazios. Ta them të drejtën, nuk jam duke u ndjerë mirë fare, sepse vazhdimisht kam dhimbje në shpinë. Gjithsesi jam duke punuar ngushtë me stafin mjekësor të Kombëtares dhe trajnerin, por dua ta theksoj se do të jem pjesë e formacionit. Do të luaj në të dyja ndeshjet, sepse dua t’i ndihmoj Kombëtares”, ka thënë Cana për mediat Shqiptare.

Pavarësisht gjendjes jo aq të mirë të tij, ish futbollisti i PSG-së, i Olimpique Marseille, i Sunderlandit e i Galatasarayt me Shqipërinë kërkon fitore ndaj Qipros.

Ai pajtohet me opinionin e De Biasit, i cili ka deklaruar se skuadra e tij nuk duhet ta nënçmojë Qipron vetëm pse në vitin 2009 e kishte mposhtur bindshëm 6:1, ngase, sipas italianit, qipriotët tashmë kanë përparuar shumë.

Eco Higjiena

“Duhet të bëhemi realistë, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2009 pothuajse është e pamundur të përsëritet. Qiproja ka përparuar shumë. Shikoni se në Ligën e Kampionëve një ekip qipriot arriti t’i kalojë grupet, e kjo për një skuadër nga Shqipëria vështirë se do të ndodhë edhe disa vite. Loja do të jetë mjaft e fortë, mendoj se fituesin do ta përcaktojë një rezultat i ngushtë, kurse unë shpresoj se ai rezultat do t’i buzëqeshë kombit tonë”, ka theksuar mesfushori i Lazios.

Cana: Për Shqipërinë, Zvicra njësoj si Qiproja

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka folur edhe për sfidën e 11 shtatorit, kur ekipin e tij në Luzern do ta presë Zvicra me pesë futbollistët shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi e Granit Xhaka.

Ky fakt ka bërë që kjo ndeshje të zgjojë interesim dhe reagime të ndryshme jo vetëm në opinionin shqiptar dhe atë zviceran, por edhe më gjerë. Shqiptarët e Zvicrës atë takim po e presin nën emocione, derisa për Kuqezinjtë ai takim është i njëjtë si çdo sfidë tjetër e tyre. Kështu thotë edhe vetë Cana.

“Ajo është një ndeshje tjetër. E di që pritshmëria për atë takim është jashtëzakonisht e madhe, por një gjë ua garantoj: vëmendja e ekipit kombëtar ndaj Zvicrës nuk është më e madhe se ajo për Qipron”, ka deklaruar kosovari.

Cana i ka mirëprit Kukelin e Mehën në Kombëtare

Burim Kukeli e Alban Meha janë dy futbollistët e rinj të Shqipërisë, të cilët e kanë çuar në dhjetë numrin e kosovarëve të veshur me fanellat kuq e zi, pas Samir Ujkanit, Etrit Berishës, Lorik Canës, Mërgim Mavrajt, Debatik Currit, Armend Dallkut, Ahmed Januzit, derisa në dispozicion është edhe Besart Berisha.

Kapiteni Cana i ka mirëpritur në skuadër dy bashkëvendësit e tij që i mbrojnë ngjyrat e Zurichut, respektivisht Paderbornit.

“Kukelin e njoh pak. E kam parë kur ishte në Luzern dhe luajtëm një ndeshje miqësore. Kemi biseduar edhe në atë kohë për Kombëtaren. Më vjen mirë që është grumbulluar, pasi është lojtar me përvojë dhe vjen nga një kampionat cilësor, si ai i Zvicrës. Luan rregullisht dhe aktivizohet në një pozicion ku edhe kemi nevojë. Edhe Meha është lojtar me kualitet. Është 26 vjeç dhe luan në Bundesligën e dytë gjermane. Besoj se edhe Meha do të sjellë diçka ndryshe në ekip”, ka përfunduar ai.