Eko Higjiena

Rreth vizitës në Beograd

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vlora Çitaku – Unë nuk i takoj gjeneratës që është rritur me ndjenjën e nostalgjisë për Beogradin. Nuk jam rritur as me ndjenjën e inferioritetit ndaj tij dhe asaj që ky qytet përfaqëson. Jam rritur me ndjenjën e mllefit, frikës, e shpeshherë edhe urrejtjes ndaj tij.

Unë i takoj gjeneratës e cila ka pasur arsye të vërteta për ta përçmuar kryeqytetin e ish Jugosllavisë. Kërcënimet dhe retorika e urrejtjes, shpeshherë me përmasa raciste, vinte nga aty.

Aty u morr vendimi për mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe. Aty u morr vendimi për përjashtimin e prindërve tanë nga puna. E më vonë, aty kishin burimin forcat e pafundta ushtarake e paraushtarake serbe që vunë në flakë fshatrat dhe qytetet e vendit tim. Si përkthyese e reporterëve të luftës kam parë me sytë e mi masakrat gjatë viteve të luftës, kam parë tmerrin me sytë e mi.

Sigurisht që vizita ime e javës së shkuar në Beograd m’i freskoi të gjitha kujtimet. 14 vite pas luftës dhe 5 vite pas shpalljes së Kosovës së pavarur drejtësia është vendosur pjesërisht në vend. Kolektivisht na u “shpagua” mundi e sakrifica.

Sot Kosova është shtet i pavarur e sovran, i njohur nga rreth 100 shtete. Por, për shumë familje, për shumë gra e burra, drejtësia ende nuk ka shkuar në vend. E Serbia, mori nga bota demokratike atë që meritoi, ndërhyrjen e parë të aleancës më të fuqishme ushtarake në planet, në shërbim të jetës dhe mbijetesës së shqiptareve në Kosovë.

Fundamenti

2013 shënon një moment tjetër kthese. Marrëveshja e 19 prillit ofron mundësinë për normalitet mes fqinjëve që për një shekull historinë mes tyre e kanë shkruar përmes luftërave, shtypjes dhe urrejtjes. Ndonëse për ne shqiptarët kjo histori ka qenë më e dhimbshme, sepse ne ishim viktima, unë besoj që hapja e një kapitulli të ri me Serbinë do të jetë më e lehtë për ne.

Dhe kjo për shumë arsye. E para, ne nuk kemi problem me ndërgjegjen tonë kolektive. Krime mund të ketë pasur edhe nga ana jonë, ama, ato asnjëherë nuk kanë qenë rezultat i politikave dhe objektivave tona për të shfarosur kombin fqinj përkrah nesh, sepse politika të tilla nuk kemi prodhuar asnjëherë. E Serbia duhet të kalojë një moment të thellë reflektimi.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk bëhet vetëm me ndryshimin e kushtetutës apo ligjeve. Duhet ndryshuar mentalitetin, perceptimet, qasjen. Duhet ndërtuar urat mentale mes nesh. Duhet parë njëri tjetrin si të barabartë. Duhet ndërtuar normalitetin në Beograd e Prishtinë. Vetëm në Bruksel nuk mjafton.

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës Tribuna dhe ministre e Integrimeve Europiane)