Fundamenti

Rreth seksit dhe stupcit

/ 10 minuta lexim

Nga Petrit Selimi – Ishujt e mendjes racionale dhe mbrojtësit e sekularizmit kushtetues duhet te bashkëpunojnë në një arkipelag të rezistencës kundër ekstremizmit, pavarësisht bindjeve partiake, mospajtimeve politike apo divergjencave tjera që mund t’i kemi.

Tashmë e dini rrëfimin. Një revistë kosovare Kosovo 2.0 e cila del çdo 3-4 muaj ka paralajmëruar se do t’ia dedikojë numrin vijues çështjes së seksit dhe sensualitetit. Për lansimin e revistës janë organizuar ca debate qytetare rreth temave që ndërlidhen me identitetin gjinor dhe seksual, me një vëmendje tek tema senzitive e komunitetit LGBT në Kosovë dhe Ballkan. Revista është e sponzorizuar nga National Endowment for Democracy dhe Qeveria norvegjeze, që të dyja shumë aktive në përkrahje të demokratizimit në Kosovë dhe projekteve që shpesh kanë edhe tone anti-qeveritare.

Ca ditë para se të ndodhë evenimenti, ku është paralajmëruar edhe një koncert me DJ dhe mysafirë nga mbarë bota të Samitit të të Rinjve të organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut mu të njëjtin vikend, një organizatë “studentore” dhe dikush që thirret në emër të “Plisave” të Prishtinës fillojnë nëpër rrjete sociale të krijojnë zhurmë se kinse kjo është një natë e orgjive seksuale dhe imoralitetit. Për më shumë, në disa xhami kosovare dhe rrjete sociale lajmërohen edhe hoxhallarët që me një gjuhë që lirisht mund të përshkruhet si e urrejtjes, thërrasin xhematin për “veprim” dhe “ndalim” të imoralitetit dhe “propagimit të kurvërisë” (citat direkt i njërit nga ta). Shprehje gjithsesi jodinjitoze të të ashtuquajturve prijës fetarë.

Evenimenti ishte paraqitur policisë, siç ishin deklaruar edhe kërcënimet e ndryshme që organizatorët kanë marrë. Policia dërgon një patrullë të jetë prezentë gjatë hapjes. Me gjasë, evaluimi i tyre i shkallës së rrezikshmërisë nuk ka qenë i saktë ngase një patrullë, përkundër tentativave të sinqerta të policëve, assesi nuk arrijnë të ndalin turmën e ca dhjetëra ekstremistëve dhe huliganëve që duke bërtitur “Allahu Ekber”, “Pederat Pederat dhe “Kurvat kurvat” hyjnë dhe demolojnë sallën e Qendrës së Rinisë dhe Sporteve ku mbaheshin ligjëratat. Incizimet i keni në Youtube.

Në një kohë të shpejtë vijnë edhe njësitet speciale për të parandaluar ndonjë aksident më serioz. I tmerruar nga telefonatat e ca miqve që ishin bllokuar brenda sallës dhe nuk guxonin të dalin jashtë, shkova dhe pashë me sytë e mi një skenë që rëndom shohim vetëm në Bengazi apo Kabul. Ca qindra mjekroshë dhe shumë polici që evakuonin pjesëmarrësit e këtij evenimenti. Natyrisht, pasi që shumë të tyre ishin mysafirë të Republikës e Kosovës në Samitin e të Rinjve (nga anëtarë të familjes së Nelson Mandelës deri tek gazetarë të ndryshëm), e tërë ngjarja kishte potencial për dëm të pariparueshëm reputacionit të Kosovës. Ne, për dallim nga Serbia, përkundër diskursit ekstremist online, nuk jemi shquar në përdorim të dhunës fizike ndaj minoriteteve seksuale dhe shprehjes së lirë. Por ja që ky iluzion u shpërthye si flluskë sapuni me pamjet e të premtes mbrëmje.

Ç’është më e keqja, shumë nga këta huliganë me stupca bejzbolli janë shfaqur edhe në kafiteri duke “kërkuar pedera” si një lloj milicie morale që “mbron ndjenjat e shumicës”. Disa individë që bile farë s’kanë qenë të implikuar në organizim po ashtu marrin kërcënime nga këto grupe. Në rrjete sociale ndodh një eksplozion i gjuhës së urrejtjes dhe portalet e Internetit shqip, si rëndom, bëhen burim i gërditshëm dhe krejtësisht i pakontrolluar i urrejtjes me lejimin e komenteve online që cenojnë dinjitetin dhe integritetin njerëzor.

Janë ca grupime dhe institucione që duhet dhënë ca përgjigje:

1. Policia dhe Gjyqësia e Kosovës duhet ta veprojnë shpejt dhe pa asnjë mëdyshje. OSBE’ja ka lëshuar reagim, Ombudspersoni si dhe vetë Qeveria nëpërmjet Ministrisë për Integrime Europiane (e cila është edhe në ballë të frontit për përmbushjen e kritereve të Studimit të Fizibilitetit, ky hyjnë edhe garantimi i shprehjes së lirë). Ministri Bajram Rexhepi, Ministri Hajredin Kuci, dhe prokurorët e vendit kanë shumë punë në ditët në vijim. Kjo punë duhet të jetë vizibile dhe pa mëdyshje. Këtu poenët politikë dhe elektoralë duhet harruar sepse, përsëris, nuk jemi as Karachi e as Kabul. BE’ja dhe OSBE’ja nuk do ta lënë këtë çështje anash dhe kjo nuk do të harrohet nëse injorohet. E keqja duhet prerë në rrënjë dhe në Kosovë ka ende hapësirë për të reaguar me vendosmëri ndaj këtyre ekstremistëve.

Uji Dea

2. Bashkësia Islamike e Kosovës duhet distancuar nga hoxhallarët që përdorin xhamitë për shpërndarje të diskursit të dhunës dhe urrejtjes. Nëse BIK kërkon që hoxhallarët të mbajnë mësime fetare në shkollë, duhet të kuptojnë se me këso akte vetëm sa dëshmojnë se kurrën e kurrës këta njerëz nuk do të duhet të lejohen të hyjnë në objekte shkollore. Ekstremizmi vahabist kërkon reagim pa asnjë mëdyshje nga BIK. Unë mirëkuptoj se BIK, por edh Kisha Katolike dhe fetë tjera kanë mendim refuzues ndaj homoseksualizmit. As që dua të diskutoj për këtë aspekt. E vërteta është se xhamia është përdorur për të organizuar njerëz dhe milici fetare që do të ndalonin shprehjen e lirë të qytetarëve tjerë në baza të orientimit seksual por edhe gjinisë. E çka nëse dikush prej magarëve me stupca bejzbolli do ta vriste ndonjërin nga pjesëmarrësit me bekimin e hoxhës? A do të shkojnë këta në Xhehnem a Xhehnet? Besoj se përgjigjen e dini të nderuar prijës fetarë dhe pasi që e dini, reagimin duhet ta keni konform Librit që është libër i paqes e jo i urrejtjes dhe dhunës.

3. Përgjigje duhet dhënë edhe kryesia dhe ata që udhëheqin me Plisat e Prishtinës. Kur kam qenë i ri, me qenë plis ka nënkuptuar të jesh krenar me Prishtinën, veçantinë e saj dhe diversitetit të saj, veçantinë e jetesës urbane dhe kulturës qytetare. Lus edhe miqtë e mi Blerand Stavileci, Ministër i Bujqësisë dhe Memli Krasniqin, Ministër Sporti, e që janë pjesëmarrës aktiv në skenën e sportit dhe të cilët kanë shumë merita për shpërthimin dhe sukseset e klubit Prishtina dhe basketbollit dhe futbollit prishtinas, të distancohen nga ata që rrejshëm prezantohen si përfaqësues së klubit të Kryeqytetit. Këta njerëz shfrytëzojnë petkun e Plisave për agjenda ekstremiste. Ky reagim posaçërisht është i rëndësishëm të jetë tani dhe pa vonesë, sepse pas vendimit të FIFA’s jemi lejuar të luajmë ndërkombëtarisht dhe huliganët nuk duhet të na qesin faqen e zezë ashtu siç ja qesin Serbisë.

4. Përgjigje duhet të japin edhe partitë politikë, sidomos ato që përkrahin nocionin që flasin në emër të popullit dhe se “shumica duhet të vendosë”. Ka problem fondamental me konceptet e “shumicës” sepse rëndom në ideologji të tilla, pakicat mbesin të margjinalizuara. Nuk mundet një mjekrosh i paedukuar me qenë më i afërt për këto parti dhe këto opsione se Igballe Rugova, e cila ishte një ndër aktivistet në fokus të evenimentit të premten. Ajo tash e dekada të tëra jep kontribut për shqiptarinë, për gruan shqiptare, për të dhunuarat shqiptare dhe me tonë të ashpra e kritikon edhe Qeverinë për sfidat e shumta shoqërore. Sipas interpretimit të shqiptarizmit të atyre prezent në qarqet ekstremiste (dhe atyre që duke heshtur i përkrahin tendencat e tilla populliste, radikale dhe anti-sistem), zonja Rugova do të duhej të linçohej publikisht. S’kam nevojë të vazhdoj se sa gërditem kur e mendoj këtë heshtje. Sulmet mizogjene që i bëhen Ministres Çitaku dhe gratë në politikë nga ata që përkrahin këto parti janë pa dyshim kontribuuese në krijim të diskursit të urrejtjes dhe mosdurimit. Nga një fjalë gojë shumë lehtë dilet tek stupci dhe radikalët këtë gjë e dinë. De fakto këtë gjë edhe e duan sepse me provokim të dhunës kanë shpresë se mund ta ndryshojnë sistemin. Por sistemi nuk do të bjerë. Këtë punë le ta harrojnë para se të shkon kot jeta e dikujt.

5. Shoqëria civile do të duhej të del në mbrojtje të qartë këtyre banditëve me stupca që kanë problem me seksin. Më lë shije të keqe kur thonë se “ky problem nuk është aq i madh sepse kemi probleme më të mëdha sikur korrupsioni apo ligji apo Mitrovica”. Disa nga teokracitë më të këqija në planet me gjasë kanë pak korrupsion dhe s’kanë probleme me zbatim ligji. Rendi dhe ligji nuk janë qëllim i shoqërisë por mjet të arrijmë tek shoqëria që synojmë. Kushtetuta sublimon këtë qëllim. Deri sa të arrihet konsensus për ndryshim të Kushtetutës, kategoria e identifikimit fetar si katolik, budist apo në rast të 95% të banorëve të Kosovës – myslimanë, është e njëjta si kategoria e identifikimit etnik – apo të orientimit seksual. Nuk mund të kërkoni zëshëm të drejtat për shqiptarët në veri të Mitrovicës e të heshtni për gejët në qendër të Prishtinës. Përsëris – as nuk po hy në diskutimin e vlerave, po e reduktoj tërë kolumnen në referenca të ligjit dhe Kushtetutës. Relativizimi se “të dy palët e kanë gabim” apo se “Qeveria ka të gjitha fajet se papunësia e madhe” nuk pijnë ujë dhe janë mbyllja e syrit ndaj territ para nesh. Janë qëndrime cinike.

Nga ata që u kërcënuan të premten dhe sot e kësaj dite po marrin kërcënime me jetë, ka të tillë me të cilët kurrqysh nuk pajtohem politikisht dhe shpesh edhe përlahemi medialisht. Ka të tillë që kanë përkrahur opsione radikale politike vetëm sepse ndajnë bashkë agjendën anti-qeveri. Këso lloj flirtimi i interesave të politikës ditore duke harrur dallime fondamentale në mes konceptit etnik dhe atij civil. Himera të tilla patjetër hanë dorën që e ushqen.

Ka shumë njerëz, shumë më shumë se ata mjekroshët dhe huliganët e frustruar, që besojnë në dashuri, besojnë në rend dhe ligj dhe më shumë se gjithçka dëshirojnë që të jemi Europë, të kemi liri siç kanë në Europë, të kanë ekonomi siç kanë në Europë. Janë ishuj të panumërt të cilët duhen lidhur në një arkipelag të rezistencës qytetare dhe koalicioneve përtej partive politike dhe mosdurimeve personale.

Autori është Zëvendës Ministër i Jashtëm dhe Anëtar i Komisionit Shtetëror për Liritë Fetare. Opinioni nuk përfaqëson domosdoshmërisht edhe qëndrimin e këtyre organizmave. Për më shumë, përcillni nofkën në Twitter: @petrit