Rreth 6,5 milionë euro, për teket e liderëve

Përsëritja e zgjedhjeve nacionale, përveç se do ta zgjaste funksionimin jonormal të institucioneve, do të ndikonte edhe në harxhimin e buxhetit të Kosovës.
Shefi i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka thënë për Telegrafin se buxheti i projektuar për zgjedhjet e vitit 2014 është rreth 6,5 milion euro, shumë e cila nuk do të thotë se do të shpenzohet e tëra.
“Për çështjen e shpenzimeve, për një proces zgjedhor, me saktësi mund të flasim vetëm kur të përfundon një proces i tillë. Procedimi i obligimeve financiare për procesin zgjedhor 2014, është duke vazhduar ende dhe për një shifër të saktë mund të flasim pasi që të përfundon ky proces”, ka thënë Halimi.
Disa analistë mendojnë se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme sivjet do të ishte “barrë e rëndë”, jo vetëm për buxhetin e Kosovës.
Armend Muja, ka thënë që para se të përsëriten zgjedhjet, duhet që të shikohet se çka është në interes të vendit, dhe jo të plotësohen tekat e disa personave.
Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme përveç se do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës, ato do t’i ngadalësonin edhe proceset që të ecin përpara.
“Duhet të tejkalohen inatet,duhet të kalohen ligje, të votohet Gjykata Speciale, për gjykimin e krimeve të supozuara të luftës së pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Unë mendoj pikërisht kjo është arsyeja se pse duhet që të krijohet një qeveri stabile, e cila do të përbëhej nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për t’i shtyrë proceset përpara”, ka thënë Muja. /Telegrafi/