Uji Dea

Rreth 10 milionë euro humbjet e bankave në Kosovë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Fundi i vitit të kaluar vërtetoi se bankat komerciale në Kosovë kanë hyrë në një situatë shqetësuese, karakterizuar me ngecje dhe me rritjen e humbjeve. Sipas raporteve financiare të tetë bankave komerciale, të cilat sivjet kanë një metodologji tjetër dhe ofrojnë më shumë informacione për afarizmin, humbje kanë pasur tri banka, përderisa në fund të vitit 2011 asnjëra nuk ishte në minus.

Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS njofton se, humbjet e përgjithshme në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishin 9,7 milionë euro, ose 55 për qind më të larta se në tremujorin paraprak.

Ndërkaq, shumë indikatorë tjerë tregojnë për ngecje. Krahasuar me fundin e shtatorit kreditimi u rrit 0,2 për qind, kurse depozitat – 3 për qind. Një bankë përkundër faktit se ka mbi 38 milionë euro në depozita, asnjë cent nuk e ka në kredi. Përkundër këtyre ngecjeve, bankat kishin të hyra nga interesi 33 për qind më të larta, sa u rritën edhe shpenzimet e interesit. Mirëpo këto dy kategori në shuma absolute dallojnë dukshëm, që do të thotë se bankat ende e kanë shumë të lartë ndryshimin ndërmjet interesave në kredi dhe atyre në depozita. Bankat komerciale, për shkak të politikave konservative të kreditimit ende kanë mjaft “mjete të lira”, të cilat vazhdojnë t’i investojnë në letra me vlerë dhe në bono të thesarit, transmeton ORAinfo.

Përderisa në fund të vitit 2011 asnjë bankë nuk kishte humbje, vitin e kaluar me minus e mbyllën tri banka. STRAS sqaron se në total humbjet ishin 9.762.000 euro, ose 55 për qind më shumë se në fund të shtatorit.

UBT

Rezultate negative kishte BEK (2.929.000 euro), me një rritje 14 për qind krahasuar me shtatorin, pastaj BKT (4.988.000 euro), ose 36 për qind më shumë, ndërsa BPB (1.845.000 euro) gati se i pesëfishoj humbjet.

Për shkak të humbjeve nga kreditë bankat është dashur që në provizone të ndajnë 50.236.000 euro, ose 34 për qind më shumë se në shtator. Rritje më të madhe të këtyre provizioneve kishte TEB ( 34 për qind), PCB (33 për qind), e cila ka edhe shumën më të lartë – 14.980.000 milionë euro dhe NLB ( 31 për qind).

“Duke pasur parasysh këtë situatë, bankat komerciale duhet të jenë më të kujdesshme, meqenëse as viti 20133 nuk do të jetë më i lehtë si viti i kaluar. Ato, në rend të parë, me qëllim të rritjes së depozitave duhet të pasurojnë pakon e tyre të ofertave, ndërsa paranë të nxjerrin në treg përmes kreditimit me kushte shumë më të favorshme se deri më tani. Kjo do të ringjallte ekonominë, do të rriste likuiditetin dhe aftësinë të ndërmarrjeve. Kjo, në të njëjtën kohë në mënyrë direkte ndikon në forcimin sistemit bankar në Kosovë”, thuhet në njoftimin e STRAS-it.