Rreng serbëve duke i rrejtur shqiptarët!

Nga Halil Matoshi – Në luftën personale me Vučić-in, Kurti po e instrumentalizon një mbështetës të fashizmit të Milošević-it.

Kryeministri Albin Kurti ka mësyrë t’ua bëjë serbëve kosovarë një rreng – duke e rehabilituar Oliver Ivanoviqiin – një të dënuar nga gjykata me nëntë vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, frikësim me qëllim dëbimin e shqiptarëve nga Kosova – duke u përpjekur që Presidentin serb, Aleksandar Vučić-i ta vë në pozitë të keqe, si “porositës” të vrasjes së tij (Ivanović-it) e serbët kosovarë t’ia kundërvënte atij (Vučić-it.)

Por ka bërë një gënjeshtër të madhe!

Sepse tullumbacja e tij pëlciti, pa e kryer “veprimin” e konstatuar.

Kurti kishte harruar së Ivanović, i ndjerë, ishte një ndër mbështetësit e fashizmit të Milošević-it, së paku kështu pati vendosur një trup gjyqësor i misionit europian për sundimin e ligjit (EULEX) më 2016. Dhe e rrejti publikun e gjerë, sepse atëbotë, partia e Kurtit, VV e kishte cilësuar Ivanović-in si një bartës të ideve gjenocidale të tipit të Garashanin!? Si mund të luftoheshin Goran Rakić-i e Lista Serbe me një vrasës potencial, kriminel të shpallur lufte si Ivanović?

Kur asnjë gjykatë kosovare nuk i kishte gjykuar Rakić-in e partinë e tij për vrasje.

Madje, për ironi të fatit, gjatë barrikadave të verës së motit të shkuar, Kryeministri Kurti e lavdëronte vartësin e tij Rakiç të këtë luajtur rol konstruktiv në barrikada.

Dhe rrnoni për me tregu.

Kurti do ta justifikojë kthimin e Rakić-it e Listës Serbe në institucionet e Kosovës, siç edhe amnistoi barrikaduesit që ai dhe njerëzit e tij i cilësuan terroristë.

Ivanović i tmerrshëm, sipas dëshmitarëve që bindën panelin, kishte mbajtur gati tre vjet burg, por Apeli e pati liruar, për ta kthyer procesin në rigjykim, i cili nuk ndodhi kurrë.

Ivanović u qëllua më 2018 për vdekje, para selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndonëse nuk ka një verdikt rreth vrasjes së tij, por një nga të dyshuarit të ashiqarshëm, është biznesmeni serb, që kontrollonte nëntokën e veriut, Milan Radojčić, i cili, ditën “fshehet” në Serbi e natën “xhiron” filma me luftë, në territorin e Kosovës, në veriun e saj. Afërmendësh që ai është njeriu i Vučić-it në Kosovë, përkatësisht, pjesëtar i milicisë së tij sekrete.

Ai ishte nënkryetar dhe boss real i grupimit politik “Srpska Lista” e cila, u krijua nga Vučić e me bekimin e ndihmësve të dialogut Kosovë-Serbi (Perëndimit) dhe klasës politike në Prishtinë, që Serbët kosovarë të kontrolloheshin më lehtë.

Porse, ata i ikën hap pas hapi kontrollit të Perëndimit, (sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, shkurt 2022) dhe Prishtinës zyrtare, duke qenë instrumente në duart e Vučić-it. Lufta simbolike e Kurtit, tashti me Oliverin e mirë, që në teoritë fantasiste të Kryeministrit kosovar, ishte angazhuar për një Kosovë të qëndrueshme e shumë etnike, së këndejmi duhet mbajtur i gjallë kujtimi i tij, gjithnjë sipas Kurtit rrengaxhi.

Rrengu i tij kundër Listës Serbe konsiston në faktin se nxjerrja e saj nga loja politike, do ta shfaqte “mbretin cullak”, pra do t’i hiqte Vučić-it levën me të cilën i manipulon serbët kosovarë, duke i përdor ata si instrumente për “çështjen serbe”!?

Mirëpo, në këtë lojë – Kurti kastile – vetëm sa i ka homogjenizur të gjithë serbët (edhe ata më lojalët karshi shtetit të ri) kundër politikave të tij të nxituara e të pakoordinuara me aleatët e Kosovës, që në thelb ishin politika nxitëse, jokreative. Me rehabilitim, Kurti nuk i ka gëzuar serbët por i ka mërzitur shqiptarët, duke ua kafshuar shpirtin viktimave eventuale të ‘Jocker-it’ të tij, Ivanović.

Po a mund të mbahet nën mëngë një kufomë?

Këtë, më së miri e ilustron rrengu i Abraham Lincoln-it fëmijëve të tij. Lincoln ishte i njohur për faktin se i linte djemtë e tij të hynin në shumë telashe, rezulton se ai ishte mjaft i mirë për të përballuar një telash të vogël. Abe po qëndronte në hotelin Tenbrook në Monticello, Illinois, kur pa të rinjtë që luanin me një fshikëz derri të fryrë, si përgjigje e viteve 1800 për balonën moderne.

Ai u tha fëmijëve se do të përjetonin më shumë kënaqësi nga lodra e tyre nëse e ngrohnin atë në oxhakun e hotelit. Kur ata bënë siç u tha i ati, fshikëza shpërtheu, duke shpërndarë gaca që fluturonin nëpër dhomë. Kur Lincoln u përpoq t’i ndihmonte për t’i fshirë, fshesa mori flakë.

Ai gati sa nuk dogji hotelin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në përpjekje për ta nxjerrë keq Vučić-in në sytë e ndërkombëtarëve me rrengjet e tij, pothuajse ka krijuar një realitet paralel, në të cilin, edhe nëse digjet vendi, ai do të dilte fitues!?

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS