Uji Dea

Rregullat e aplikuara këtë vit kanë shmangur diskriminimin e nxënësve

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nazmi Rapuca- Rregullat e aplikuara këtë vit, për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, por edhe për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, dukshëm kanë shmangur diskriminimin e nxënësve, por edhe të arsimtarëve.

Edhe pse unë nuk jam nga ata që merren me shkrime e reagime dhe ndoshta edhe nuk ja di rendin, vendosa ta bëj këtë reagim, jo për t’ju kundërvënë dikujt, por, ndoshta, për të dhënë një kontribut të vogël, me qëllim të sqarimit të opinionit.

Opinioni i gjerë, qytetarët tanë; kanë nevojë për informim të drejtë, për të vërtetën, për realitetin çfarëdo qoftë ai. Plasimi i informatave jo reale, tendencioze, me qëllim e për qëllime të caktuara, për të denigruar dikë qoftë edhe ndonjë institucion, ndikojnë negativisht në shoqërinë tonë, sepse krijojnë huti e mjegull duke mos u dalluar e vërteta nga e pa vërteta, e mira nga e keqja, drejtësia nga pa drejtësia etj.

Me dekada, në Kosovë, regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë është bërë pa kurrfarë kriteri a rregulle. Të vetmet kritere kanë qenë: njoftësia, pasuria, forca. dmth. fëmijët që kanë prindër të njohur (që janë në pushtet, që janë biznesmen, që janë, politikan, “intelektual” …), kanë pasur mundësi me e zgjedhë arsimtarin më të “mirë”; kurse fëmijët e prindërve që nuk ishin si këta të parët (të varfurit, të pa shkolluarit etj.), ishin nën mëshirën jo të zotit por të askujt. Duke qenë të tillë, këta grumbulloheshin dhe regjistroheshin te ndonjë arsimtar i “dobët”.

Çka ndodhte më tej?

Arsimtarët që kishin marrë fëmijët e intelektualëve, pasanikëve etj. kishin marrë fëmijët më të përgatitur për shkollë, fëmijë të cilët qysh në start dinin shkronjat, numrat, katër veprimet themelore aritmetikore etj, etj. Me një fjalë ndoshta e kishin të mësuar tërë planprogramin jo vetëm të klasës së parë.

Arsimtarët e nxënësve të tillë, duke e ditur këtë përparësi, shpesh herë ndiheshin komod dhe nuk përkushtoheshin sa duhet dhe në fund prapë dilnin me suksesin më të mirë. Kurse arsimtarët me nxënës të pa përgatitur sa duhet “të dobët”, duke qenë të diskriminuar që në fillim, mund të mos përkushtoheshin sa duhet dhe në fund dihej arsyetimi i tyre për mos sukses: “mi keni dhënë nxënësit e dobët”. Afërsisht në këtë mënyrë, janë krijuar arsimtarët e mirë dhe “arsimtarët” e “dobët”, nxënësit e “mirë” dhe nxënësit e “dobët”. Kjo qasje, në shoqëritë e konsoliduar, quhet diskriminim dhe nuk ka si të quhet ndryshe.

Çfarëdo rregulle që pretendon të shmangë një praktikë të tillë, është e dobishme dhe në të mirë të të gjithëve dhe do t`i mbron fëmijët nga diskriminimi. (Diskriminim dmth. dallimi i fëmijëve, në këtë rast, duke u bazuar në prindërit e tyre. Privilegjimi i disave dhe mospërfillja e të tjerëve). Rregullat e aplikuara këtë vit, për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, por edhe për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, dukshëm kanë shmangur diskriminimin e nxënësve, por edhe të arsimtarëve.

Kur është fjala për klasat e para, kriteret kanë mundësuar krijimin e klasave të para afërsisht uniforme. dmth., në çdo klasë ka nxënës të përgatitur mirë dhe më pak të përgatitur, nxënës me prindër të pasur e të varfër, me prindër të shkolluar e më pak të shkolluar. Arsimtarët e tyre poashtu janë në pozita të barabarta dhe suksesi i nxënësve, tashmë, varet nga: angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi i vet arsimtarëve.

Mobi Casa

Tani është mundësia që një arsimtarë që deri sot padrejtësisht është quajtur i dobët, të tregojë nëse nuk ka qenë i tillë. Pastaj arsimtari që deri sot është cilësuar si i mirë, duhet të angazhohet shumë për ta ruajtur edhe më tej epitetin “i mire”. Nxënësit e përzier gjithashtu mësojnë nga njëri tjetri etj. Pra nga kjo reformë askush nuk humbë, të gjithë fitojnë.

Ajo që është sfidë e institucioneve është: të qëndrojnë të pa lëkundur në zbatimin e reformës apo kritereve. Nëse zyrtarët, prapë, tentojnë për të gjetur mënyra për tua plotësuar dëshirat të privilegjuarve, gjegjësisht nëse nga reformatorët lejohet një gjë e tillë, atëherë prapë jemi në pikën zero.

Kam shumë argumente, që këtë vit vërtetë janë zbatuar kriteret; si për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, si për regjistrimin e nxënësve në klasë të dhjetë dhe për pranimin e kuadrit arsimor. Nga të gjitha këto kategori, unë personalisht, por edhe kolegët e mi, kemi pasur kandidatë të cilëve do tu kishim ndihmuar, por nuk na është lejuar.

Më ka rastisur shumë herë me qenë prezent kur ndonjë qytetar i drejtohej Kryetarit të Komunës apo edhe Drejtorit të Drejtoratit për Arsim, për të ndërhyrë për ndonjë nxënës apo kuadër dhe sa do që ata ishin të njohur e të rëndësishëm për ta, merrnin përgjigjen e prerë: vetëm nëse i plotëson kriteret.

Ç’është e vërteta, reforma në arsimin gjilanas, pak ua ka prishur qefin një numri të vogël njerëzish, tradicionalisht të privilegjuar, mirëpo është e pëlqyer nga 90% e qytetarëve.
Është dobësi edhe e opozitës gjilanase, kur vehen në kundërshtim të këtyre reformave edhe pse pikërisht nga këto reforma përfitojnë më së shumti ata, dmth kuadrot edhe pse me prejardhje nga opozita punësohen pa pengesa nëse i plotësojnë kriteret që vlejnë për të gjithë, edhe nxënësit poashtu.

Ç’është më e keqja kur opozita e sotme ka qenë në pushtet të vetmet rregulla që i ka respektuar për të punësuar dikë apo për të regjistruar nxënësit kanë qenë: të qenurit në pushtet, në partinë e tyre, të afërm të tyre ose përmes korrupsionit. Nga viti 2000 deri në vitin 2007, nuk kanë shpallur kurrë konkurs për përzgjedhjen e kuadrit arsimor. personalisht kam qenë i interesuar për të aplikuar.

Më thonin ende nuk ka dalë konkursi. Pastaj fillonte viti shkollor dhe kuadri merrej sipas kritereve të sipër përmendura. Në vitin 2007, shpallën konkurs, por kriteret për përzgjedhje prapë ishin ato të parat.

Nuk mund të bëhemi shtet as shoqëri e përparuar pa krijimin e ligjeve dhe rregullave të mira dhe pa respektimin e tyre. Ligjet dhe rregullat, të cilat i vejnë qytetarët në pozita të barabarta. Nuk mund të bëhemi shtet as shoqëri e përparuar pa sakrifikuar secili diçka prej vetës sonë. Tash, kur jemi të lirë, sakrifica është e lehtë. Nuk lypet gjaku as jeta. Sot lypet pak djersë, angazhim e përkushtim i secilit prej nesh, aty ku jemi.
Është detyrë dhe obligim i të gjithë qytetarëve e sidomos e intelektualëve, që të mbështesin çdo gjë që është progresive, që garanton barazi, që në perspektivë krijon zhvillim të mirëfilltë. Dhe është e dëmshme kur dikush, me vetëdije apo ta të, i del përballë progresit, të mirës, të dobishmes, drejtësis.