RCCOLA

Rrëfim tronditës: Po të lindja përsëri, nuk do të martohesha me Arafatin

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Suha Arafat, gruaja e liderit të ndjerë palestinez, Yasser Arafat, ka dhënë një intervistë për ditoren turke Sabah. Gazetarja Nur Batur, gjatë kësaj interviste zbulon detaje të panjohura nga martesa e saj, si dhe për jetën pas vdekjes së Arafatit…
Më 6 qershor 1992…

Gjendem në një vilë të fshehtë dykatëshe, në të cilën qëndronte Yasser Arafati, pasi ai u përjashtua nga Bejruti dhe strehim gjeti tek Abidin Bin Ali. Sytë e gruas së re e të bukur grave u mbushën me lot, teksa flisnim me orë të tëra, ndërsa zëri i dridhej kur thoshte se “Arafati ishte fati i saj”.

Ka dy ditë që flas me gruan e re e të bukur të Arafatit, e cila fshihet nga bota për dy vite. 29-vjeçarja Suha Tawil Arafat, me flokët e saj bionde, ngjanë më shumë në një britanike. Ajo ende është e dehur me dashuri të madhe. Fshehurazi u martua me liderin legjendar palestinez, më 17 korrik 1990. Ishte kjo ditëlindja e saj, ndërsa të njëjtën kohë Saddam Husseini bëhej gati për ta pushtuar Kuvajtin. E gjithë bota ishte në këmbë. Fakti që Yasseri u martua me një grua 33 vjet më të re, dhe madje të krishterë, ishte shkak për shumë kritika, kështu që Abu Ammari u detyrua ta fshihte Suhan e re nga bota. Askush nuk mendonte për atë se udhëheqësi legjendar palestinez kishte një jetë personale. Por, a nuk ishte përgjigjur edhe ai, kur është pyetur se pse “nuk martohesh”, me fjalët: “Unë jam i martuar me revolucionin”?!

***

Shkova në Tunizi që të takohem me Yaser Arafatin, në kohën kur bota arabe përhapte thashetheme të ndryshme. Nuk isha optimiste për takimin edhe me gruan e tij. Pas këmbënguljes, Yasseri tha “po”, dhe kjo edhe më befasoi, e edhe më gëzoi. Ishte ky reportazhi i parë i këtij lloji në botë. Ishte mjaft e qartë se Yasseri ishte i gatshëm ta mbajë barrën e sensacionit që po vinte. Mua, gazetaren turke, më zgjodhi për misionin e njohjes së botës me gruan e tij.

Disa vjet më vonë, kur ishte nënshkruar Marrëveshja e Paqes në Oslo, më 1 korrik 1994, dhe kur Yaser Arafati u kthye në Gaza, unë shkova atje. Kur e kam kaluar kufirin, së pari e kërkova atë, Suhan. Iu gëzua telefonatës sime. E ngazëllyer më tha: “Po të pres Nur”. Por, për shkak të rrezikut nga rrëmbimi i aeroplanit dhe pasi prita 18 orë para rezidencës së Yasserit, u detyrova të përshëndetem me të vetëm me telefon.

Me Suha Arafatin u takova 21 vjet më vonë, në Maltë. U përqafuam si shoqe klase. I kaluam bashkë tri ditë. Udhëtuam në tunelet e kohës, bisedonim me orë të tëra. Për kujtim të babait të saj, vajza 17-vjeçare e Yasserit, Zahwa, ekzekutoi veprën “Nocturne” të Chopinit. Për ato tri ditë e kam pyetur gjithçka Suhan, për ato që bota do të interesohej. Në librin tim “Fati”, do të lexoni për jetën e trishtuar të saj. Edhe pse ishte nga radhët e Arafatit, Suha ishte grua shumë e vetmuar dhe e pikëlluar.

***

Kur kam hyrë në sallonin me pamje nga Deti Mesdhe, që dukej si një çerdhe shqiponjash, Suha me entuziazëm bërtiti: “Nur, nuk mund të besoj se kanë kaluar 21 vite”. Më përqafoi. E ndjeva të njëjtën ngrohtësi të përqafimit, ashtu si 21 vite më parë. Pastaj më shikoi dhe më tha: “Ti je më e dobët, e shih se si jam trashur unë”.

Në komentin tim, sikur koha të kishte ndaluar, Suha u përgjigj se për të ajo ishte edhe si një ditë, edhe si një gjysmë shekulli, sepse në jetën e saj kanë ndodhur shumë gjëra. Atëherë erdhi vajza e saj Zahwa, e cila u bashkua me ne. Edhe ajo ishte e ngazëllyer. Së pari bashkërisht shikuam fotografitë e vjetra të Suhas me Yasserin, dhe qeshnim. Pastaj u hodhëm në rrëfim. Suha kishte aq shumë për të thënë. Donte sa më shpejtë ta ndante me mua vuajtjen, dhembjen dhe vetminë. Besoj se disa njerëz nuk jetojnë vetëm një, por më shumë jetë të njëjtën kohë. Suha ishte një nga ato.

“Jo 22, zgjati si 50 vite”

Uji Dea

Suha është një grua që ka lindur dhe është rritur në një familje të krishterë. Pas edukimin në shkollën e priftërinjve në Jerusalem, ajo u martua me liderin legjendar palestinez, Yasser Arafat, dhe u konvertua në islam. Në të njëjtën kohë, pas tre ditëve të bisedave, kam kuptuar se ajo e ka paguar shtrenjtë çmimin e jetës me Arafatin dhe se është grua e trishtuar dhe e palumtur. Bisedën e fillova me pyetjen: “A i ke kaluar tri jetë, para apo pas Yasserit”? Ajo buzëqeshi dhe u përgjigj: “Jo tri, dy jetë i kam kaluar”. Pastaj vazhdoi: “Fëmijëria dhe adoleshenca ishin jeta ime e parë. Yasseri ishte jeta ime e dytë. Jam krenare që vajza ime mban emrin e babait të saj. Por, e rëndë ishte jeta ime. Jeta me Yasserin ishte e rëndë, e jeta pas tij edhe më e rëndë. Sikur të eci në fushën e minave. Kurrë nuk e di se kur do të shpërthejë ndonjë minë. Martesa zgjati 22 vite, por ishte sikur të zgjaste 50 vite”.

“I kam parë të gjitha llojet e konspiracionit”

Ia kujtova fjalët e saj nga Tunizia, që Arafati ishte fati i saj. Duke mos u ndarë nga buzëqeshja e dhimbshme në fytyrë, Suha vazhdoi: “Po, ishte. Besoj se fatet tona caktohen me lindje. Besoj në Kur’an. Nuk mund ta ndryshosh jetën. Fati i përbashkët me Yasserin ka filluar shumë më herët. Që nga 1986-87. Atëherë isha e fejuar me një avokat francez. Megjithatë, dashurohem në Yasserin. Fshehurazi u martuam në Tunizi. Nuk kisha madje fustan nusërie. Nëna ime ishte kundër. Erdhi me aeroplan dhe u përla me Yasserin. Tash e di pse ishte kundër. Po ta dija se çka më pret, kurrë nuk do të martohesha. Isha pranë liderit legjendar, e aq shumë e vetmuar. Kam mbijetuar intriga të ngjashme si sulltanja Hurrem. Këtë serial e shoh bashkë me vajzën. Shpesh më pyesin me kë ngjaj. Veten nuk e shoh si grua e cila shpëton nga çdo situatë, siç është Hurrem. Intriga kishte aq shumë, sa që as nuk mund t’i numërosh. Vajzën time gjithmonë e këshilloj të rri larg politikanëve. Nuk do të lejoj që vajza ime ta përjetoj historinë time”.

Ishte karizmatik…

E ndërpreva rrëfimin e saj, duke ndërhyrë me pyetjen: “Po, jeta juaj familjare”. Dhe, duke e sforcuar buzëqeshjen në fytyrë, vazhdoi: “Nuk kishte jetë familjare… Në moshën 25 vjeçare u dashurova në liderin karizmatik palestinez. Më tha se në jetën e tij ka dashur vetëm dy gra. E para ishte Nada Yashuriti, e cila u vra në Bejrut, dhe tjetra ishte unë. Kur këtë ua thotë udhëheqës i madh, sigurisht që impresionoheni. Ndërsa, ishin 1001 thashetheme. Mund t’i imagjinoni? E pra, kush mund ta detyrojë një burrë 58-vjeçar, i cili ka përjetuar aq shumë, të bëjë diçka”?

“A ishe vërtetë e dashuruar?”, shtova. Ajo buzëqeshi dhe tha se kjo është pyetje tamam, dhe vazhdoi: “Jam dashuruar. Por, si 22-vjeçare, nuk e dija se çfarë është dashuria. Ai ishte aq karizmatik sa që unë… E pra, nuk mund të jetosh me një burrë të cilin nuk e di, apo jo?! Babai im ishte një bankar i suksesshëm, ndërsa nëna ime ishte një grua e rëndësishme në vend, aktiviste. Gjyshi im nga nëna ishte po ashtu një nga palestinezët më të pasur. Të gjitha problemet erdhën me fillimin e jetës sime me Yasserin. Kam jetuar vetëm në streha të fshehta. Nuk kam ditur kurrë se çfarë duhet dikujt t’i flas apo bëj. Nuk kam pasur mundësi as me telefon të flas me dikën. Rrëfimi im nuk është aq i mirë sa duket. Njeriu në atë pozitë ka shumë armiq, e në vendin e parë është Izraeli”.

“Po, pendohem…”

Në pyetjen time se po të lindte përsëri, a do të martohej me Arafatin, Suha pa hezitim e zëshëm tha: “Jo”. E pyeta sërish, nëse e konsideron martesën me Arafatin si të gabuar, e ajo u përgjigj kështu: “Edhe po, edhe jo. Kur nisesh diku, nuk e di se çka të pret. E di që shumë gra e kanë ëndërruar martesën me Arafatin, por ai ishte fati im e këtu nuk mund të ndërroj asgjë. Njëqind herë kam dashur ta lë, por nuk ishte e mundur. E dinë të gjithë se ai këtë nuk e ka lejuar. Po, pendohem! Më është dashur të mbrohem edhe atëherë kur ai ishte pranë meje. Fjalët dhe thashethemet për mua ishin të pamëshirshme. Kur i kam dëgjuar, nuk mund të besoja se unë isha ajo, por se është dikush i treti… Jemi krenarë për mbiemrin Arafat, por çdo ditë vuajmë për shkakun e tij. Unë mund të ankohem për atë martesë, por duhet patjetër të përballem me realitetin tim”.

Pse nuk martohet?

Suha është përballur me shumë probleme kur u vendos në Tunizi, nëntë vjet pas vdekjes së Arafatit. Pas problemeve në Tunizi, këtu në Maltë, nisi mërgimi i saj shpirtërore. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë dhe 50 vitet e jetës, Suha e ka ruajtur bukurinë e saj. Kudo që shkonim, ajo nuk prezantohej. Ishte e qartë që edhe ata që e njihnin nuk donin ta shqetësonin. Sigurisht, në kokë më sillej pyetja se a ka oferta martesa, ndaj e pyeta, e ajo tha: “Ishin shumë oferta. Disa ishin biznesmenë të pasur. Edhe unë pyetem se pse nuk jam martuar. Por, heroi im i përjetshëm është Arafati. Lehtë është të martohesh me një njeri të pasur. Po të martohesha, ndoshta do të gjeja dikë të më ruaj, e kështu luftoj vetëm. Nganjëherë them me vete: ‘E pra, pse nuk martohesh’, e në fund heq dorë. E kam ndjenjën se Yasseri më shikon nga lart. Ndoshta dikur, por tani prioriteti im është edukimi i vajzës sime. Këtë vit e përfundon shkollën e mesme. Më së lehti do të ishte të martohem e të vazhdoj jetën e qetë. Por, unë asnjëherë nuk i kam zgjedhur rrugët e lehta”.

Suha do të mbush 50 vite, e ndoshta me martesë do të nisën jetën e tretë. Më duket se momentalisht nuk e gatshme për këtë, por kur kush e di…