RCCOLA

Rrëfehet engjëlli i fëmijëve të Kosovës

/ 10 minuta lexim
RCCOLA

Vajza e saj ka lindur kur ajo u kthye në Britani të Madhe, pasi ajo udhëhoqi një mision humanitar e shpëtimi – të dhjetëra fëmijëve të lënduar e të nënave të tyre – nga Kosova e shkatërruar nga lufta.

E quajtur Billie, sipas babait të saj, vajza e vogël herën e fundit e ka parë babanë para 10 vitesh. Por, ata kanë ëndërruar se një ditë do të ribashkohen. Në vitin 2009 Sally ndezi televizorit dhe për tmerrin e saj pa një lajm që tregon se si Bill, 65 vjeç, kishte kryer vetëvrasje.

Ai kishte humbur të gjitha kursimet jetësore në mashtrimin 35 miliardësh që tash njihet si “Bernie Madoff”. Në një bisedë ekskluzive për ditoren britanike “The Sun”, humanistja Sally Becker jep informacione për librin e saj të ri “Sunflowers and Snipers: Saving Children in the Balkan War”, për përvojën e saj në Kosovë e në Shqipëri, ku edhe e ka takuar dashurinë më të madhe të jetës së saj. Dashuria e saj ka vdekur, por ajo dëshiron të besoj se është diku tek Bjeshkët e Nemuna.

Sally – e cila kishte nderin të ishte pjesë e ekipit që mbante flamurin olimpik në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londra 12 – shkruan në librin e saj: “Si rezultat i skemës ‘Ponzi Madoff’, Bill u përballë me falimentimin. Më 10 shkurt 2009, u nis në një park pranë shtëpisë së tij në Southampton – ku jetonin dy fëmijët tjerë të tij – duke mbajtur një pistoletë gjysmë-automatike. “Atje, u ul në një stol dhe qëlloi veten në kokë. Bill ishte një burrë trim me një shpirt aventuresk që gjithmonë ka jetuar në tehun e thikës”.

Ajo ishte e tronditur që kishte zgjedhur të vdiste i vetëm, në një stol parku në Southampton.

“Edhe pse Billie mezi e njihte të atin e saj, ajo gjithmonë shpresonte se një ditë ai do të ishte aty duke e pritur teksa ajo kthehej nga shkolla. “Kjo ma theu zemrën time: është dashur t’i them se ëndrra e saj kurrë nuk do të bëhet realitet”.

Në një intervistë ekskluzive për “The Sun”, 51-vjeçarja Sally, e cili u bë e famshme në vitet ’90 të shekullit të kaluar pasi ka shpëtuar 170 fëmijë nga Bosnja dhe 80 nga Kosova, i tregon arsyet se pse vetëm tash po tregon se kush është babai i vajzës së saj.

Ajo thotë: “Unë kuptova se jam shtatzënë kur u ktheva në Britani të Madhe. E telefonova Billin dhe fjalët e para të tij ishin: ‘Jam i nderuar të jem babai i fëmijës tënd’. Pastaj ai e lëshoji një bombë kur tha se është ende i martuar, ndërsa kërkoi që kurrë të mos zbuloi faktin se kush është babai i Billiet. Unë e kam respektuar gjithmonë atë, por kur Billi vdiq, kuptova se nuk kam kë më ta mbrojë”.

Billie gjithmonë e dinte se kush është babai i saj. Ai fluturonte ta shihte kur ajo ishte vetëm disa javë e vjetër.

“Ai e ngriti nga djepi i saj dhe qëndronte, vetëm duke e vështruar atë. Ky ishte një moment shumë emocional. Ai ishte shumë krenar. Ai do të vinte ta shihte atë çdo vit. Për herë të fundit e ka parë atë më 2003. “Atëherë ai kishte lëvizur në Afganistan dhe u bë e vështirë për të që ta vizitonte”.

Sally u takua për herë të parë me Billin më 1998, kur ajo priste në Shqipëri që ta udhëhiqte një mision humanitar përtej kufirit në Kosovë.

Ai kishte shërbyer në një regjiment të këmbësorisë të quajtur “Royal Green Jackets”, para se të shkonte në Belfast ku ishte një oficer i zbulimit. Pastaj ai i është bashkuar Forcave të Armatosura të Sulltanit në Oman, ku mori titullin e majorit. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai humbi një pjesë të krahut të tij të majtë, pas shkatërrimit të një predhe në një stërvitje. Kur lufta shpërtheu në Bosnjë, ai i ishte bashkuar Misionit Monitorues të Komisionit Evropian.

Kur Sally u takua me të, ai ishte Shef i Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për Shqipërinë veriore. Ajo thotë se ka pas fjalë se ai ka punuar edhe për shërbimin inteligjent britanik, por këtë ai nuk ia konfirmuar asaj.

Duke diskutuar takimin e tyre të parë, Sally tha: “Unë kam qenë në tarracën e një hoteli dhe ky mu afrua, ma kapi dorën dhe tha: ‘Unë jam majori Bill Foxton dhe jam krenar që të njoh’. Ai ishte një karakter më i madh se jeta, plot argëtim e të qeshura. Ai më dha mbështetje të madhe. Para se të nisem për në Kosovë, ai më thirri në zyrën e tij dhe ma dorëzoi një radio transmetues të dyanshëm duke thënë: ‘Nëse futesh në telashe, përdore këtë, por për të madhin Zot mos i trego askujt se ku e more se kjo do të shkaktonte një incident të madh diplomatik ‘. Unë jam arrestuar gjatë misionit dhe Bill tha më vonë se atë ditë, kur duhej të kthehesha, ka pritur tërë natën në kufi për kthimin tim. Kishte zhurma të luftës dhe kur unë nuk u shfaqa ishte tmerruar se mos më kishin vrarë”.

Hidromorava

Sally u burgos për dy javë dhe pas lirimit të saj u kthye në Shqipëri. Në librin e saj ajo tregon se si Bill e çoi jashtë për ta festuar ditëlindjen e tij 55-të.

“Bill iu afrua tavolinës dhe tha se ai kishte rënë në dashuri me mua. Para se të mund të përgjigjesha, kamerieri u shfaq dhe ai urdhëroi një shishe të verës së kuqe lokale.

“Atë natë ne u bëmë dashnorë. Ndoshta kjo ishte vetëm një tjetër romancë luftë për Billin, por në atë kohë unë mendova se do ta gjej shpirtin tim binjak”.

Duke folur në shtëpinë e saj në Brighton, Sally tha se si ajo kishte rënë marrëzisht në dashuri. Ajo tha: “Ne ishim së bashku deri sa unë u ktheva në Britani të Madhe dhe kam besuar se ishim një çift. Unë isha e dashuruar me të. Bill kishte thënë se kishte një grua, por kam menduar se ata ishin të ndarë. Pasi tregoi se nuk ishin ndarë, ai kishte guximin të më kërkonte që ta emërojë fëmijën sipas tij. Ky ishte Billi tipik. Isha e bindur se mbaja një djalë kështu që e quaja gjatë gjithë kohës Bill. Kur e linda vajzën ia shtova një ‘ie’”.

Ishte Billi ai i cili ishte kujdesur për Sallyn, shëndetin e saj, kur ajo u zë në pritën e një njeriu të armatosur në hotelin shqiptar ku qëndronte. Duke përshkruar të shtënat në librin e saj, Sally shkruan: “Një njeri po qëndronte pranë një shtylle dritash rrugore dhe pashë që ai ishte veshur me rroba ushtrie, ndërsa fytyra nuk shihej nga një maskë e zezë. Ai ishte duke mbajtur një armë që shkëlqente nga dritat e llambave. Pasi e hodha veten time në hije, ishte një dhembje e nxehtë nëpër kofshët time. Kur njeriu u zhduk e preka me drojë këmbën time që dukej e lagësht, nga gjaku që ishte përzier me shi”.

Ishte Bill cili thirri një ambulancë të ushtrisë që me nxitim e dërgoi atë në spital. Dhe kur ajo u lirua, ishte Bill i cili me butësi u kujdes për të. Libri vazhdon: “Pesë apo gjashtë herë në ditë, Billi me durim hapte rrugën deri te plaga. Ishte vështirë të ishte i butë kur kishte një kanxhë në vend të dorës. Ai gjithashtu duhej të priste indet nekrotike nga zgavra nga rreziku i gangrenës, ndërsa unë mbërtheja një këmbë metalike në ballë të krevatit dhe i shtrëngoja dhëmbët”.

Sally beson se pa Billin, i cili u nderua me çmimin OBE (Urdhri i Perandorisë Britanike) për punën e tij në Shqipëri, ajo mund të kishte vdekur. Ajo tha: “Ai e shpëtoi këmbën time dhe e shpëtoi jetën time. Po të futej gangrena, unë do të kisha vdekur. ”

Pasi u shëruar, Sally fluturoi përsëri në Mbretërinë e Bashkuar. Në ditën e Shën Valentinit, në vitin 1999, Bill i dërgoi asaj një duzinë trëndafilash të kuq dhe një kuti të emaluar që tani e mban në dhomën e saj.

Pas vdekjes së Billit, Sally ishte kontaktuar nga djali i tij, Will, që e kishte me gruan e parë të tij, Helenën. Ajo tha: “Donte të më ftonte në funeralin e Billit. Unë i thashë atij se do të doja që ai të më vizitonte mua, pasi kisha diçka për t’i thënë atij. Ai erdhi me nënën e tij dhe ishte shumë i kënaqur kur dëgjoi se e kishte një motër. Ai dhe motra e tij Sarah e takuan Billien dhe janë bërë shumë të afërt. Është kaq e bukur t’i shohësh bashkë – dhe shumë e shëmtuar që Billi nuk jetoi për ta parë këtë. Kam kujtime të tilla të mrekullueshme për. Në librin tim, në fillim e them se dua të mendoj për të se është diku në Bjeshkët e Nemuna”.

Të përkujtojmë për lexuesit e Telegrafit se Sally ka qenë e angazhuar në aspektin humanitar gjatë luftës në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s, organizatat e huaja humanitare janë larguar nga Kosova, ndërsa kufijtë janë mbyllur. Ajo ka ndihmuar refugjatët e Kosovës në veri të Shqipërisë, ndërsa ka kaluar malet për të dërguar ndihma mjekësore në Junikun e rrethuar nga forcat serbe.

Derisa ishte atje, nga ajo kërkojnë të ndihmojë fëmijët e plagosur dhe familjet që të largohen nga aty. Por, kur arrijnë në kufi, kapen nga prita e paramilitarëve serbë. Derisa të gjithë ikin në mal, Sally qëndroi për ta ndihmuar një grua dhe dy fëmijët e saj që u plagosën nga sulmet. Ata u detyruan të dorëzohen dhe arrestohen.

Gruaja dhe fëmijët lëshohen të nesërmen, ndërsa Sally dënohet me 30 ditë burgim. Dy javë më vonë lirohet. Ndërsa, derisa punonte për të ndihmuar fëmijët shqiptarë që të udhëtojnë jashtë për shërim, plagoset nga një burrë i maskuar. Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ka dërguar një helikopter për ta dërguar në vend të sigurte, por ajo ka refuzuar të braktiste fëmijët, ndaj mbeti në veri derisa misioni i saj përfundoi.

Për aktivitetin e saj humanitar në Bosnja, asaj ia kanë dhënë epitetin: Engjëlli i Mostarit. /Telegrafi/