Rrëfehet Emir Bajrami

Emir Bajrami, ish-futbollisti i kombëtares së Suedisë dhe tani anëtar i Panathinaikosit të Athinës, në dy vitet e fundit ka kaluar në një ferr shëndetësor kur bëhet fjalë për angazhimet në fushën e lojës. Ai ka pasur probleme me shpinë dhe këmbë, por ajo e para e ka munduar aq shumë, sa qe s’ka mundur të nxjerrë as qumësht nga frigoriferi pa ndierë dhimbje.
“Kam pasur dhimbje të mëdha. Më mirë të mos i kujtoj fare. Nuk kam mundur as ta nxjerrë qumështin nga frigoriferi pa dhimbje”, deklaroi Bajrami. Problemet e tij kishin filluar para dy vitesh, kur ishte pjesë e skuadrës franceze të Monacos. E sikur të mos mjaftonte vetëm shpina, Bajrami kishte filluar të vuajë edhe dhimbjet e këmbës së majtë. Megjithatë, tani lojtari nga Fushë Kosova është shumë më mirë. “Fatmirësisht tani jam shumë më mirë, por vërtetë kisha probleme të mëdha me shpinë. Gjërat bëheshin gjithnjë e më të vështira. Sikur të mos mjaftonte kjo, unë kisha probleme edhe me këmbën e majtë. Po t’i mendoja të gjitha problemet, kushedi se ku do të përfundoja”, vazhdoi Bajrami.
I kënaqur me nisjen
Në kohët e fundit, Bajrami ka arritur që t’i lë pas shpine lëndimet e ndryshme, duke u bërë protagonist në ndeshjet e Panathinaikosit në Greqi.
Ai shprehet i kënaqur me nisjen, ani pse e dinë që nuk mund t’i luajë dy ndeshje të plota brenda një jave. “Gjërat kanë filluar të shkojnë në drejtimin e duhur. Nuk guxoj të mendoj që gjithçka është perfekt, pasi që ende nuk mund të luaj dy herë në javë nga 90 minuta. Megjithatë, duke marrë parasysh shumë faktor, mund të them që jam i kënaqur me nisjen”, përfundoi Bajrami.
Panathinaikosi momentalisht renditet në vendin e tretë të elitës së futbollit grek, ku në 12 ndeshje ka tubuar 23 pikë, një më pak se Olympiakosi që është i dyti dhe pesë më pak se PAOK-u që kryeson me 28 sosh./Arena/