FITORJA

Rraskapitja e vendit

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Shala – Shterja jonë si vend, si shoqëri, si politikë, mund të ndalet një herë, e pastaj edhe të zhbëhet, vetëm me një ndryshim të madh në politikën kosovare.

Republika e Kosovës ka nisë vitin 2013, aty ku mbeti në ditët e fundit të vitit të shkuar: E zaptuar në një Status Quo të lodhshëm, dëmshëm, të rrezikshëm, që po harxhon edhe atë pak kredibilitet politik në vend, edhe atë pak shpresë që ky vend mund të lëvizë më shpejtë drejt portës së BE-së në Bruksel, edhe atë pak besim që është në rënie drastike, që mund të ketë ndryshim për të mirë të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale.

Status Quo kosovare ka disa elemente përbërës.

Viti i kaluar shënoi një depërtim të mirë, duhet thënë hapur, sa i përket numrit të shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk jemi larg që më në fund të mbërrijmë tek numri prej 100 shteteve që kanë pranuar vendimin e Kuvendit të Kosovës, me 17 shkurt, 2008. Mbase, diç e tillë do të bëhet para se për pak javë të shënojmë pesëvjetorin e shtetit të Kosovës. Megjithatë, akoma jemi larg synimit për tu bërë anëtar i OKB-së, i OSBE-së dhe i organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Dihet pse. Diç e tillë, edhe nëse dialogu politik në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë përfundon sipas planeve të Catherine Ashton, pra me një Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ndodhë në vitin 2013. Kjo mund të ngjajë tek në vitin vijues, në atë 2014. Pra, në këtë segment shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, do ta kemi ende ngecjen si gjendje.

Veriu i Kosovës vazhdon të prodhojë shpesh lajme problematike të sigurisë, Platforma të përçudnuara të Serbisë që të kthejnë në vitin 1912-të (kur shpërtheu kriza në raportet shqiptaro-serbe, për shkaqe të njohura për të gjithë ne), dhe tensione të vazhdueshme në politikën kosovare, me synim të instalimit të frontit të madh që ndanë ‘patriotët’ dhe ‘tradhtarët’.

Ngecja në Veri të Kosovës përfundimisht është e paqëndrueshme. Bisedimet e Brukselit për këtë shkak, do të zhvillohen nën presionin e një paralajmërimi që dëftohet si një prishje spontane e Status Quo-së, me shumë rreziqe për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjendja në Luginën e Preshevës po ndërlikohet përditë e më shumë. Zaten.

Qeveria e sotme e Kosovës ka nisë të prodhojë (nëse këtu disi parafrazohet thënia e njohur e Churchillit për Ballkanin si prodhues të historisë), më shumë skandale se sa që mund t’i absorbojë. Ky i mbrami, me pasaportat biometrike, objektivisht ka pasoja shumë më të mëdha se sa që në këto rrethanat mbizotëruese politike dhe mediatike, kur matet vetëm lartësia e britmës dhe piskamës e jo fuqia e argumentit, jemi në gjendje të kuptojmë.

Pasaporta e një shteti, trajtimi i saj, është pothuaj identike me valutën e atij shteti. Është fytyrë e shtetit, që tregon se sa është një Qeveri dhe një shtet serioz. Do të ishte fare naive të besohet që e tëra nuk do të reflektohet në uljen e mëtejmë të vlerësimeve ndërkombëtare për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, dhe për mëdyshjen e re të synimeve tona që me 1 janar të vitit 2014, qytetarët e Kosovës, me pasaportat biometrike, të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Do të kemi pra, në variantin më të mirë, vendnumërim sa i përket cilësisë së qeverisjes me vendin. Me siguri, ky vlerësim do t’i rri mirë edhe Kuvendit të Kosovës, ku do të vazhdohet me përplasjet e të gjitha llojeve.

Reforma e sistemit zgjedhor dhe ndryshimi i Kushtetutës, në pjesët që nuk e kanë kaluar testin e kohës dhe të funksionimit të duhur, është në status zero tash e shtatë-tetë muaj.

GRANDEMALL

Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe i Kushtetutës, bashkojnë, në parim, vendorët dhe ndërkombëtarët. Brukseli, Washingtoni dhe të tjerët presin që ne t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, ashtuqë më të mos përsëritet turpi i dhjetorit të vitit 2010, ne presim që kryeqendrat e mëdha perëndimore të na tregojnë se çka duhet bërë, e qytetarët në gjithë këtë rrëmujë, do të kenë gjithnjë e më pak disponim për t’ia mësyrë kutive të votimit, sepse manipulimi me votën e tyre, e pamundëson përkthimin e vullnetit të tyre të mirëfilltë në një qeveri me legjitimitet të plotë.

Për të mbajtë zgjedhjet e reja parlamentare në vjeshtën e këtij viti (që është një variant i mundshëm), Ligji i ri për zgjedhje të përgjithshme, do të duhej të miratohej në Kuvend jo më larg se në prill a maj të këtij viti. Kjo do të thotë që dakordimi politik për ndryshimet e domosdoshme të sistemit zgjedhor, duhet të mbërrihet më së voni në fund të shkurtit, fillim të marsit. Diçka e tillë del të jetë e paarritshme, së paku në rrethanat e tanishme politike.

Nëse reforma dështon, së pari do të kemi telashe me vetveten (mund të merret me mend se çfarë votimesh do të na presin në atë rast), së dyti, edhe me Botën, sepse ndryshimi i sistemit zgjedhor është parakusht për avansimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Ekonomia e Kosovës, sipas të dhënave më të reja të FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtarë), ka pasur rritje në vitin 2012 prej vetëm 2.7% (në vend të 3.2% sa ishte parashikuar prej vetë FMN-së, ose 5% sa ishte synimi i Qeverisë së Kosovës), ndërsa në vitin 2013, llogaritë e tashme të FMN-së shfaqen me shifrën prej 3.2% të rritjes ekonomike.

Shumë pak për një vend çfarë është Kosova, ku minimumi për një infuzion të optimizmit ekonomik njeh numrat prej 7-8%.

Për më keq, Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë shumë e varur prej të hyrave doganore (mbi dy të treta e buxhetit mblidhet në pikat kufitare), eksporti vazhdon të bie, importi tutje po rritet, investimet e huaja kanë pësuar një rënie të madhe.

Kur të bëhen bashkë të gjitha këto fakte (e nuk janë supozime, assesi), me disponimin mbizotërues të një kosovari mesatar, del që shterja jonë si vend, si shoqëri, si politikë, mund të ndalet një herë, e pastaj edhe të zhbëhet, vetëm me një ndryshim të madh në politikën kosovare.

Ndërsa realisht, nuk ka shenja të qarta që diç e tillë mund të ndodhë, pa u përballur me tronditjet kthjelluese.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.