Rotarianët gjilanas vizitojnë shkollën e muzikës

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Rotarianët gjilanas nga Rotary Club RC Gjilani, të prirë nga kryetari Zijadin Hasani dhe përfaqësuesit Bob Simons, Ardian Shllaku dhe Muhamet Halili kanë vizituar shkollën e muzikës në Gjilan, të cilën, vitin e kaluar, e kishin ndihmuar me instrumente muzikore.

Gjatë takimit me sekretarin e kësaj shkolle Emin Rahimi, kryetari i RC Gjilani, Zijadin Hasani tha se qëllim i kësaj vizite është për të parë nga afër se sa ju kanë shërbyer violonçelat që ishin donacion për këtë shkollë dhe për t’u njohur edhe me nevojat tjera të kësaj shkolle dhe shqyrtimin e mundësive për përkrahje tjetër.

Sekretari i kësaj shkolle Emin Rahimi u shpreh mirënjohës ndaj rotarianëve gjilanas duke thënë se tani e një vit, këto tri violonçela kanë hyrë në përdorim e po i shërbejnë shumë nxënësve të kësaj shkolle.

Uji Dea

Ai tha se tani më ato po përdoren nga nxënësit që t`i vazhdojnë mësimet në Shkollën e Muzikës. duke bërë që vlera e këtij donacioni të jetë e madhe pasi po hynë në funksion të talenteve të kësaj shkolle, të cilët tani po dëshmohen kudo.

Por, ai tha se kjo shkollë përveç nevojës për një objekt të ri, pasi hapësira e saj nuk i përmbushë nevojat e kësaj shkolle, ka nevojë edhe për instrumente tjera, si në piano, shumë prej të cilave që i posedojnë, janë të vjetra dhe të amortizuara, ndërsa po ashtu nevojë ka edhe për instrumente frymore.

Përndryshe, rotariani Bob Simons, ka thënë se do të shikohet mundësia se a mund të ndihmohet prapë kjo shkollë edhe me instrumente tjera, derisa rotariani Ardian Shllaku, kërkoi nga drejtuesit e kësaj shkolle që instrumentet e marra qoftë nga rotarianët. çoftë nga të tjerë që kanë gatishmëri për të ndihmuar, t’i përdorin për të mirën e nxënësve. /rajonipress/