RCCOLA

Ronaldo mbret i botës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Cristiano Ronaldo është shpallur futbollisti më i mirë në botë për vitin 2013 duke fituar çmimin ‘FIFA Topi i Artë’ – njofton Telegrafi.

Viti 2013 ishte fantastik për CR7, i cili individualisht ishte padyshim lojtari më i mirë. Megjithatë, portugezi nuk arriti të fitojë asnjë trofe me klubin e tij, Real Madrid, prandaj kjo ia zbehte paksa gjasat për ta fituar çmimin.

Ai ishte fantastik edhe me kombëtaren e Portugalisë, të cilën e kualifikoi vet në Kampionatin Botëror që zhvillohet në Brazil. Të mos harrojmë se gjatë sezonit të ri (2013/2014), CR7 ka thyer një sërë rekordesh.

Dalja e Cristianos për të marrë çmimin u shoqërua me lot dhe kjo dëshmoi rëndësinë që kishte ky çmim për të.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë moment… Para së gjithash dua t’i falënderoj bashkëlojtarët te klubi dhe te kombëtarja. Pa ndihmën e tyre kjo nuk do të ishte e mundur. Jam shumë i lumtur, është shumë vështirë ta fitosh këtë çmim”, tha ai mes tjerash.

Kjo është hera e dytë që 28-vjeçari e fiton Topin e Artë. Për herë të pari ai e fitoi këtë trofe në vitin 2008 kur ishte futbollist i Manchester Unitedit.

Mobi Casa

Krahas portugezit, Lionel Messi dhe Franck Ribery ishin në listën e ngushtë të kandidatëve për ta fituar çmimin prestigjioz individual.

Për Leo Messin, viti që kaloi nuk ishte edhe aq i mirë, veçanërisht për shkak të lëndimeve që pësoi disa herë, por kurdo që ka luajtur është treguar vendimtar për skuadrën. Ai fitoi titullin e La Ligas me Barcelonën ndërsa fitoi edhe Superkupën e Spanjës. Messi ishte edhe golashënuesi më i mirë i sezonit 2012/13 në La Liga dhe njëherësh më i miri në Evropë dhe e ka fituar ‘Këpucën e Artë’.

Ndryshe nga dy rivalët e tij, Franck Ribery ndoshta nuk ka shënuar shumë gola dhe ndoshta nuk është individualisht futbollisti më i mirë në botë, por ai e ndihmoi Bayern Munichun të fitojë tripletën sezonin e kaluar, ndërsa ka vazhduar të shkëlqejë me fanellën bavareze edhe në sezonin e ri. Francezi u shpall futbollisti më i mirë në Evropë sipas UEFA-s.

Messi është fituesi rekorder i Topit të Artë, të cilin e ka fituar katër herë radhazi.

Futbollistja më e mirë e vitit u shpall portierja gjermane, Nadine Angerer. Ajo pati konkurrente brazilianen Marta dhe amerikanen Abby Wambach.

Fitues i çmimit për lojën më të drejtë (‘Fair Play’) ishte Federata Fubtollistike e Afganistanit. /Telegrafi/