Romët në Gjilan festojnë të lirë e të gëzuar
Gjilan – Komuniteti romë sipas Galip Hysenit është plotësisht i lirë të lëviz kudo në hapësirën e Komunës, të punoj, të shkollohet, të festoj bile edhe në qendër të qytetit siç ka ndodhur sot para teatrit të qytetit, asnjëherë nuk kemi të evidentuar qoftë edhe një incident ndëretnik.
Para teatrit të qytetit në Gjilan komuniteti romë ka shënuar sot me aktivitete të ndryshme kulturore Ditën Ndërkombëtare të tyre, duke bërë thirrje që të kthehen edhe romët e tjerë të zhvendosur nga Gjilani gjatë luftës.
Ata sot e kanë festuar 8 prillin me këngë, valle dhe të gëzuar për disa orë kanë qëndruar para teatrit të qytetit. Në komunën e Gjilanit prej vitesh shënohej kjo ditë me aktivitete të larmishme.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, ka uruar komunitetin romë në këtë ditë ndërkombëtare të tyre, duke dëshiruar që ata të integrohen edhe më shumë në jetën publike dhe institucionale.
Ai ka thënë se trajtimi i romëve dhe secilit komunitet tjetër pakicë në Gjilan bëhet njëjtë dhe pa dallime. “Për disa vite rresht jemi duke i ndihmuar romët qoftë me zgjidhjen e problemit të banimit, rasteve sociale” ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Galip Hyseni, përfaqësues i komunitetit romë në Gjilan tha se kjo është një ditë më e rëndësishme për ne komunitetin romë. Kjo është dita kombëtare në gjithë botën rome. Ai ka përshëndetur të gjithë qytetarët romë, gjithashtu ka falënderuar edhe kryetarin e Komunës i cili për çdo vit ka shtuar gëzimin në këtë komunitet.
Hyseni tha se gjendja e romëve ka ndryshuar jashtëzakonisht pas luftës, deri në vitin 2010 janë ndërtuar 97 shtëpi, si dhe shumë të tjera janë renovuar. Po ashtu Komuna ka ndihmuar edhe shumë familje rome të cilat ishin dhe janë raste sociale.
Komuniteti romë sipas Hysenit është plotësisht i lirë të lëviz kudo në hapësirën e Komunës, të punoj, të shkollohet, të festoj bile edhe në qendër të qytetit siç ka ndodhur sot para teatrit të qytetit, asnjëherë nuk kemi të evidentuar qoftë edhe një incident ndëretnik.
Në Gjilan, 208 persona janë kthyer deri më tani, të gjithë të kthyerit janë integruar në shoqërinë rome dhe gjilanase në përgjithësi. Sipas kritereve edhe ndihmohen me ndihma sociale, punësime etj.
Numri i përgjithshëm i romëve është 128 familje prej mbi 500 personave. Për kthimin e romëve jemi duke u angazhuar vazhdimisht me ndihmën e Komunës së Gjilanit. Shkollimi bëhet në gjuhën serbë në qytet dhe fshatra. Ai tha se e kanë tani një projekt për të mësuar gjuhën shqipe, përmes një kursi që së shpejti pritet të filloj së implementuari.
Poashtu ai për ditën ndërkombëtare të romëve uroi që të kthehen sa më shumë romë në vendin e tyre ku kanë jetuar deri para luftës, sepse siguria, dhe çdo gjë tjetër për një jetë normale ekziston në Komunën e Gjilanit./rajonipress/


