Romani i Beqë Cufajt “Projekt@ party” shpërblehet në Shtutgart

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Me datën 12 nëntor në Shtëpinë e Letërsisë në Stuttgart, në mënyrë solemne Beqë Cufajt do t’i ndahet Çmimi nga Klubi Ekonomik

Beqë Cufaj, shkrimtar kosovar, i cili jeton dhe shkruan në Gjermani ka marrë çmimin vjetor për romanin e botuar në gjuhën gjermane “projekt@party”.

Bëhet fjalë për çmimin e vitit 2012, i cili ndahet nga Klubi Ekonomik në Shtëpinë e Letërsisë së Stuttgartit është themeluar në vitin 2009 dhe deri më tashti u është ndarë shkrimtarëve gjermanë Annette Pehnt, Felicia Zeller dhe Soeren Voima.

Në arsyetimin e Jurisë së përbërë nga Julia Schroeder (Stuttgarter Zeitung), Dr. Juergen Buchow (Teatri Shtetëror i Stuttgartit) si dhe Dr. Florian Hoellerer (Literaturhaus Stuttgart) mes tjerash theksohet që Cufajt i është ndarë çmimi i vitit për romanin në fjalë pasi që autori “me një shikim analitik dhe forcë imazhesh Beqë Cufaj arrin të na i sjellë thellësitë e strukturave të Organizatave ndërkombëtare të ndihmës dhe përshkruan sesa pak përputhen këto struktura me nevojat e vendeve në krizë, raporton Zëri.

Me një mprehtësi dhe në mënyrë artistike romani “projekt@party” hedh dritë në çarjet dhe humnerat e përditshmërisë së secilit bashkëpunëtor nga këto organizata duke pasqyruar karakakterin e tyre i cili del qoftë përmes pranisë së tyre në vendin e ngjarjeve dhe njëkohësisht edhe largësisë kundruall nevojave të mirëfillta të këtyre vendeve”.

UBT

Për romanin e Cufajt mediat gjermanofolëse në Gjermani, Austri e Zvicër vazhdojnë të shkruajnë edhe një muaj e gjysmë pas botimit. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” romanin e ka quajtur “Lehtë të lexueshëm dhe vështirë të kapërdishëm- sepse në të ka shumë pezm”, kurse gazeta tjetër gjermane “Sueddeutsche Zeitung” ka tërhequr paralelet mes përshkrimeve ekzotike të Joseph Conradit tek “Zemra e errësirës” dhe Cufajt i cili në rrëfimin e tij “ikën” qëllimisht nga mënyra e të rrëfyerit të Conradit.

Javorja “Profil” e Austrisë ka shkruar që ky roman do të mund të ngjallë shumë diskutime në Europë kurse e përditshmja zvicerane “20 Minuten” ka shkruajtur që është një “roman i kryer dhe shpesh me tone irrituese për neokolonializmin modern”.

Me datën 12 nëntor në Shtëpinë e Letërsisë në Stuttgart, në mënyrë solemne Beqë Cufajt do t’i ndahet Çmimi nga Klubi Ekonomik.
Fjalën e nderit për Beqë Cufajn do ta mbajë Zëvendëskryeredaktori i Redaksisë së Kulturës nga e përditshmja e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Dr. Hubert Spiegel, kurse moderator i mbrëmjes do të jetë shefi i kulturës nga “Stuttgarter Zeitung”, Stefan Kister.

Në emër të Klubit Ekonomik çmimin do ta ndajë Peter Horvath, një prej shkencëtarëve më të rëndësishëm të ekonomisë dhe konsulencës në Gjermani kurse të pranishmit do t’i përshëndesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu.