ARKATANA

Roli i këngës së Isuf Hajdarit në dasmat popullore të Malësisë së Gollakut

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Nga Demir Krasniqi – Në fshatrat e Malësisë së Gollakut, tradicionalisht krushqit ( dasmorët) për shkuarjen e marrjes së nuses dhe anasjelltas, kryesisht kanë ecur këmbë të rreshtuar njëri pas tjetrit, me qëllim që vargu i tyre të duket sa më i gjatë dhe sa më shumë numerikisht!

Më të rrallë ishin ata krushq të cilët udhëtonin me kuaj , apo me atllarë, si që quheshin kuajt të cilët mbaheshin enkas për shalim nëpër dasma dhe vrapime për marama.
Ata marshonin përkrah krushqve këmbësorë, qoftë në anën e majtë, apo në të djathtën.

Marrja e nuseve në fshatrat e Malësisë së Gollakut, tradicionalisht është bërë me qerre të drunjta të cilat i tërhiqnin kryesisht qetë e zgjedhës e rrallë ndokund qerren e nuses e tërhiqnin kuajt.

Gjatë stinës së Dimrit, nuset merreshin kryesisht me saja ( zhagësa ) për shkak të borës, kurse nëpër terrene shumë të vështira malore, ku nuk kishte rrugë të përshtatshme për qerre e saja, nuset shpeshherë merreshin me kuaj, ose edhe gomarë !

Gjatë rrugëtimit të dasmorëve (krushqve ) të nuseve në të dy drejtimet (shkuarje – ardhjeve), rreshtit të tyre iu prinin zakonisht 3 (tre) burra pleq para bajrakut (flamurit) , pastaj rreshtoheshin dy këngëtarë krah për krah, të cilët gjatë tërë rrugës këndonin të njëjtën këngë tradicionale, që quhej “Kënga e Isuf Hajdarit”.

Tupanxhinjët, apo mefterët, siç quheshin ndryshe formacionet muzikore të përbëra nga surlet dhe tupanët, zakonisht shkonin duke iu rënë këtyre instrumenteve në fund të rreshtit të dasmorëve, ku pas tyre qarkullonin qerrja e nuses dhe qerrja e çejzit, apo siç quhej ndryshe “seksanja”.

Pse qiteshin 3 burra para bajrakut (flamurit) dhe çfarë roli kishin ata gjatë marshutës së krushqve ( dasmorëve) në të dy drejtimet ?

Gjatë shekujve të shkuar , nuk ishin të rralla incidentet , ngatërresat dhe dyluftimet e ndryshme, që lindeshin në rastet kur krushqit shkonin për ta marrë nusen nëpër terrene të gjata e të vështira malore !

Në rastin e konfrontimeve të ndryshme, 3 (tre) burrat që qiteshin në rresht para bajrakut (flamurit) , për t’iu shpëtuar rreziqeve, konfrontimeve dhe sulmeve të ndryshme i kishin këto tri role :

1. Krushku i parë, përzgjidhej si njeri mendimtar, urtak , mendjemprehtë, i cili me urtësi, dituri e mençuri do t’ a shpëtonte masën nga rreziku dhe tragjedia e mundshme!

2. Krushku i dytë, përzgjidhej si një njeri i pasur me para, i cili në rast se nuk do bëjë punë mençuria dhe urtësia e krushkut të parë, ky do ta zgjidhte problemin – konfliktin përmes pagesës së parave !

3. Krushku i tretë, përzgjidhej si një njeri trim dhe i armatosur, i cili në rast se nuk mund ta zgjidhin problemin e konfliktit të dasmorëve përmes urtësisë, mençurisë, drejtësisë dhe pagesës me anë të parave, atëherë ky do të rezistonte me anë të përdorimit të armës dhe do ta çante rrugën përmes qëndresës dhe dyluftimit !

Cili ishte roli i “Këngës së Isuf Hajdarit” në dasmat popullore të Malësisë së Gollakut ?

Siç thamë edhe më lartë, “Këngën e Isuf Hajdarit” , zakonisht e këndonin nga dy dasmorë, të cilët kishin zë të fortë malësorësh, zë melodik dhe të depërtueshëm.

Ata nuk qëndronin në rresht fort larg flamurtarit (bajraktarit) dhe gati gjatë tërë rrugëtimit nuk e ndalnin këngën e njëjtë , të cilën e këndonin pa shoqërim me instrumente muzikore me dorën e djathtë për maje krahut dhe me gishtërinj në vesh.

Uji Dea

Kjo këngë gjithmonë këndohej pa ritëm të caktuar, por me interpretim të lirë në tempin “Rubatto “.

Qëllimi i interpretimit të kësaj kënge nëpër dasmat tona tradicionale malësore, ishte i shumëfishtë :
– Himnizimi i marrjes së nuses dhe marshimit të dasmorëve (krushqve) gjatë rrugëve nëpër terrene të ndryshme malore , që shumë herë ishin të vështira dhe të rrezikshme !
– Sinjalizimi se po kalojnë krushqit (dasmorët), për t’ua liruar rrugën dhe për të mos ardhur deri tek konfrontimi, apo sulmet e mundshme eventuale me ndonjë grup tjetër dasmorësh, apo grupeve të tjera kriminale.

– Sinjalizimi për të mos ua nxënë rrugën ndonjë palë krushqish të tjerë, nga se gjatë historisë së dasmave tona, takimet e dy palë krushqve në mes veti, shpeshherë kanë përfunduar me konfrontime dhe epilog të përgjakshëm tragjik.

Të gjitha këto konfrontime kanë shpërthyer nga kokëfortësia e të dy palë krushqve, të cilët nga mendjemadhësia kanë rezistuar për t’ia liruar rrugën njëra palë – tjetrës.

Lidhur me këtë dukuri negative, populli i ka krijuar dhe kënduar një seri këngësh tragjike, ndër të cilat kënga më e njohur e këtij lloji mbanë titullin:”Krushqit që janë ba gurë”! Por, nuk janë të rralla edhe toponimet që quhen:”Te varret e krushqve”!

Këto lloje tragjedish janë bërë shkaktare kryesore, që në traditat e dasmave tona, të jetësohet ligji, apo kanuni që krushqit (dasmorët) kur të shkojnë për ta marrë nusen, kurrë nuk do të kthehen për të njëjtën rrugë nga kanë shkuar, por ata sipas traditave dhe zakoneve duhet ta thyejnë rrugën, për të mos ardhur deri tek takimi dhe konfrontimi i mundshëm me ndonjë palë krushqish të tjerë !

– “Kënga e Isuf Hajdarit”, ka luajtur rol të rëndësishëm për sinjalizimin e familjarëve të Zotit të Dasmës, se krushqit me nusen që e kanë marrë, po i afrohen shtëpisë së Dasmorit dhe dhëndrit që po martohet, nga se në traditën dhe zakonet tona, nuk ka qenë e lejuar shkuarja e dhëndrit bashkë me krushq për ta marrë nusen e tij !
– Këndimi i kësaj kënge gjatë rrugëtimit të krushqve (dasmorëve) në të dy drejtimet, vazhdimisht është shoqëruar me të shtëna armësh të kalibrave të ndryshme, nga ana e dasmorëve.

Qëllimi i parë i të shtënave me armë zjarri gjatë rrugëtimit dhe këndimit të kësaj kënge ishte që së pari t’ua madhështojë dhe t’i inkurajojë interpretuesit e kësaj kënge !

Qëllimi i dytë i të shtënave me armë zjarri gjatë rrugëtimit të dasmorëve në të dy drejtimet, ishte kryekëput që t’i sinjalizojnë rrugët, malet dhe terrenet e panjohura, që po kalojnë krushqit dasmorë, të cilët janë të armatosur dhe të gatshëm që të rezistojnë ashpër në rast të ndonjë sulmi, apo dyluftimi të mundshëm !
Qëllimi i tretë i të shtënave me armë, ishte që t’i sinjalizojnë familjarët e Zotit të Dasmës, se krushqit po vijnë bashkë me nusen që e kanë marrë dhe po i afrohen shtëpisë së dhëndrit i cili do të martohet !

Nga mënyra e të interpretuarit dhe të kënduarit të “Këngës së Isuf Hajdarit”, në mënyrën e këndimit të lirë në tempin “Rubatto”, shumë kush në popull mendonte se kjo këngë quhej:“Kënga e Sen Rugovës”!

Për të sqaruar tekstin e kësaj kënge dhe për të hequr dilemat rreth kuptimit të saj , në vazhdim po ua sjellim edhe tekstin e saj integral, të cilin kurrë këngëtarët dasmorë nuk e kanë kënduar më gjatë se sa atë që ne po ua prezantojmë :
Oro , Isuf – o, Hajdari – o,
Oro , Isuf – o, Hajdari – o !
Oro , se n’ o, Rugovë – o ,
Oro, thërret – o, tellalli –o !

Në bazë të këtyre vargjeve dhe vet mënyrës se si këndohet dhe interpretohet kjo këngë, mund të vijmë deri në përfundim se kjo këngë tradicionalisht dhe gjithmonë i ka shërbyer popullit si mjet sinjalizues dhe alarmues në situata të ndryshme rrezikshmërie!

Këtë këngë, nuk ka mundur ta interpretojë kush të dojë dhe çfarëdo këngëtari !

Në çdo fshat dhe në çdo lagje kanë qenë të caktuar interpretuesit e saj, të cilët gjithmonë kanë gëzuar një popullaritet dhe respekt të veçantë në popull e sidomos gjatë ceremonisë së dasmave tona popullore.

Në fshatin Tugjec dhe në disa fshatra për rreth në Malësinë e Gollakut, kanë qenë të njohur, të nderuar dhe shumë të kërkuar nëpër dasmat popullore interpretuesit e kësaj kënge Shefki Kadri Krasniqi dhe Shaban Avdullah Krasniqi , të cilët tani jetojnë në botën e amshuar, por zëri dhe kënga e tyre do të jetojnë gjithmonë me ne, në zemrat tona, në kujtimet tona, në ahengjet tona dhe në dasmat tona popullore !/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.