Rishikimi i buxhetit 2015
Nga Ibrahim Rexhepi – Qeveria nuk e ka miratuar projektbuxhetin vitit 2015, por vetëm ka përmbushur obligimin ligjor që e ka në rrethana normale. Dokumenti, i cili nuk përfillë realitetin kosovar, do të hyjë në “rishikim” në momentin kur konstituohet Kuvendi dhe Qeveria e re.
Në krejt këtë paqartësi dhe pasiguri në të cilën është vendi, ekziston edhe një boshllëk ligjor, i cili i mundëson Qeverisë së Kosovës të sillet thuaja se nuk po ndodhë asgjë. Ajo vazhdon me komoditetin që ka krijuar gjatë viteve kur kishte një mandat sa do pak normal. Kosova nuk e ke të rregulluar me ligj mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të qeverisë. Nuk është e definuar se ku fillon e ku mbaron mandat i saj, si edhe cilat janë përgjegjësitë dhe kompetencat në një periudhë kalimtare, apo kur ajo është në ikje, si tani.
Miratimi i projektbuxhetit për vitin 2015 tregon se qeveria po sillet sikur nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme. Ajo brenda afatit të caktuar ligjor e miratoj këtë dokument dhe “e hoqi” nga duart e veta. Por, kujt ia dërgoj? Në rrethana normale ai është dashur t’iu dorëzohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët do ta kenë në duar deri kah fillimi i pjesës së dytë të dhjetorit, kur i përcillet presidencës për dekretim. Mirëpo, vendi nuk ka institucionin ligjdhënës, prandaj, në variantin më të mirë, ky dokument ka mundur të përcillet deri te sekretaria e Kuvendit dhe aty është futur në sirtar. Pra, Qeveria ka përmbushur një obligim ligjor formal, i definuar me Ligjin për menaxhimin financave publike.
Këtu, problemi është shumë i qartë, meqenëse buxheti përmbledh vizionin, filozofinë, por edhe mundësitë që ka qeveria për zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Madje, edhe më shumë- ai paraqet edhe politikat që do të aplikohen brenda një viti fiskal. Nisur nga kjo, është vështirë që buxheti të trashëgohet nga një qeveri te tjetra, posaçërisht në fillim të një viti fiskal. Do të thotë se secila qeveri e ardhshme e Kosovës edhe njëherë do ta përpunoj këtë dokument, me qëllim të përshtatjes si tij ndaj konceptit të vet për ndërtimin dhe zhvillimin shtetit. Pos, nëse qeverinë e re sërish e formon Hashim Thaçi, që në fakt kjo manifestohet edhe përmes projektbuxhetit të miratuar para katër ditësh.
Një qeveri tjetër do ta rishqyrtonte këtë dokument, meqenëse përmbajtja e tij më shumë reflekton premtimet që ka dhënë PDK-ja gjatë fushatës parazgjedhore, është një përmbledhje e nevojave që ka vendi, e jo aq edhe i mundësive reale që ato të arrihen. Kjo duket qartë nëse kem parasysh zhvillimit gjatë këtij viti, duke filluar nga janari, kur krejt qeveria ishte në funksion të fushatës parazgjedhore. Gjendja është përkeqësuar deri në përmasa alarmante pas datës 8 qershor, kur u ngatërruan punët rreth konstituimit të institucioneve të pushtetit. Që nga atëherë gjithçka është në ngecje, apo edhe në procesin e stërkeqjes. Këto rrethana do të reflektojë shumë keq gjatë vitit të ardhshëm, posaçërisht në rrafshin ekonomik.
Nga mbledhja e fundit e Qeverisë së Kosovës u tha se norma e zhvillimit ekonomik në mot do të jetë 4,1 për qind ! Por, si mund të arrihet kjo , kur kemi parasysh se norma mesatare e rritjes në periudhën 2010-2013 ishte 3,4 për qind , ndërkaq, sivjet ajo do të jetë dukshëm më e ulët sa ajo që parashihej. Duhet të jemi të kënaqur nëse ajo sillet ndërmjet 2,5-3,0 për qind. Sivjet investimet kanë ngecur, prandaj nuk duhet pritur se ato mund të jetë shtytëse të zhvillimit ekonomik, pastaj, në mot, nuk pritet ndonjë rrethanë specifike, e cila mund të ngjallë ekonominë dhe të jep shpresë për punësim dhe për zbutje të varfërisë.
Për më keq, as në vititn 2014 nuk parashihet se do të ndodhë diçka e madhe në fushën e investimeve. Qeveria u deklaruar se vazhdon me autostradën, pro edhe me rrugën për Mitrovicë dhe për Pejës, të cilat nuk dihet se kur do të përfundojnë dhe sa do të kushtojnë. Krejt këto, si edhe ngecja e madhe e vitit 2014 e sjellin në dyshim edhe mundësinë që të hyrat ë buxhet të rriten 8,1 për qind. Ekonomia nuk e ka këtë potencial, por janë dy alternativa të mundshme- ulja e informalitetit, ose rritja e borxhit publik.
Se buxheti nuk ka karakter zhvillimor , por social duket nga kokëfortësia për të rirtur pagat e shërbyesve civil 25 për qind. Një premtim parazgjedhor. Rritje , e cila do të jetë dhjetë herë më e lartë se norma e zhvillimit ekonomik ! Kjo nuk ndodhë në asnjë shtet normal. Posaçërisht pse rritjes së pagave nuk i paraprinë asnjë analizë për ndikimin që do ta kenë në trendet e tjera makroekonomike, pos, nëse Qeveria ka për synim të rritë konsumin e mallrave të importuara, meqenëse kufiri edhe më tej mbetet burimi kryesor i të hyrave buxhetore.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


