UBT

Rikthimi

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Vjosa Osmani – Janë rreth 230 mijë qytetarë të Kosovës dhe 1 milion arsye që ata votuan rikthimin si asnjëherë tjetër, rikthimin në partinë e parë në Kosovë.

Rikthimin në vlerat e demokracisë, sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha rikthimin e dinjitetit të qytetarit të nëpërkëmbur së fundmi nga kjo keqqeverisje. Por mbi të gjitha, ata votuan rikthimin e frymës qeverisëse rugoviane aq shumë të munguar në këto vite. Që do të ishte një ndryshim i madh u paralajmërua dhe nga motoja e LDK-së, e cila kërkonte Rikthimin në nivel lokal si parakusht për ndryshimin e vendit edhe në nivel qendror. Rezultati i zgjedhjeve të fundit i dha të drejtë motos së LDK-së pasi u votua në mënyrë plebishitare.

Qytetarët i lodhi dhe i mërziti boll arroganca dhe keqqeverisja e administratës së PDK-së. Përmes votës së tyre ata zgjodhën t’i jepin mesazh shumë të qartë kësaj Qeverie: ata tani duan një qeverisje tjetër, një qeverisje për qytetarin. Ata tanimë ndihen te lodhur nga mungesa totale e shtetit në të gjithë sferat e jetës së qytetarit. Kjo mungesë e theksuar lodhi qytetarët aq shumë sa ata reaguan me votë, duke kundërshtuar nëpërkëmbjen dhe synuar Rikthimin, e në radhë të parë Rikthimin e Shtetit. Ata nuk e duan një Kosovë të bazuar në korrupsion, nepotizëm, pandershmëri dhe aftësi – jo për të mbrojtur shtetin – por për vjedhur pronën e tij dhe atë private. Tashmë shumica e qytetarëve kanë krijuar pritshmërinë e tyre te një qeveri e LDK-së, qeveri “Mustafa”.

Hidromorava

LDK-ja shënoi një rritje prej mbi 50000 votash në nivel nacional nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2010, dhe rritje prej afër 43000 votash në nivel vendi, nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2009. Kjo rritje gati 25% nuk është rritje ‘simbolike’ siç pretendojnë ta quajnë disa, por është substanciale dhe dëshmon se Lidhja Demokratike e Kosovës është rikthyer tashmë si partia e parë në vend. Rritja dëshmon edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës që LDK-ja të triumfojë edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës në mandatin e ardhshëm. Rënia e madhe e votave të PDK-së, në anën tjetër, tregon se ditët e kësaj partie, jo vetëm nëpër komuna, por edhe në nivel të përgjithshëm, janë të numëruara.

Fuqia më e madhe e LDK-së gjithnjë ka qenë anëtarësia e saj. Kjo anëtarësi, entuziazmi e mbështetja e saj, është ajo që na dha fuqi të gjithëve në punën e madhe që u bë nëpër degët e LDK-së dhe do të jetë dritë udhërrëfyese për edhe shumë punë të tjera që po na presin në ditët, muajt e vitet në vijim. Është pikërisht kjo anëtarësi, si motori kryesor i LDK-së, që do na qojë drejt fitores përfundimtare në raundin e dytë në disa komuna, e përfundimisht edhe në nivel të Kosovës. Për dallim nga kjo qeverisje, kjo do të jetë fitore e qytetarëve, sepse pushteti do t’u kthehet atyre. Ata do t’i realizojnë të drejtat e tyre nëpërmjet njerëzve që kanë legjitimitet dhe janë me duar të pastra e jo sinonim i krimit e korrupsionit. LDK, gjithnjë ka qenë parti e besës dhe e shpresës për qytetarët. Me këto rezultate, nuk u rikthye vetëm LDK-ja si parti lidere në nivel vendi, por u rikthye edhe shpresa e besëlidhja e qytetarëve me LDK-në. Dhe ata nuk do të zhgënjehen për këtë besim të dhënë.

(Autorja është deputete e LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)