Uji Dea

Rikthimi i gjeopolitikës në Ballkan dhe veriu i Kosovës

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Sadri Ramabaja – Dërgimin e trupave amerikane shtesë në Poloni dhe Baltik në qarqe të ndryshme evropiane po interpretohet si parapërgatitje e SHBA-së për një luftë me Rusinë. Shih për këtë, veprimin e Beogradit në raport me Kosovën, qarqet antiamerikane në Evropë po e interpretojnë si të drejtë legjitime të Rusisë për kundërvënie!

Janë tepër të rralla luftërat e paralajmëruara nga ekspertet e shumtë, si ishte kjo e Kosovës (1998/99). Paralajmërimi pothuajse me saktësi maksimale, kishte për qellim, në radhë të parë, interesat gjeopolitike në rajon, ruajtjen e NATO-s – si aleanca më e madhe ushtarake e Perëndimit dhe ombrellë e arkitekturës së sigurisë, por edhe garantimin e prosperitetit të BE- së si projekt i paqes dhe stabilitetit te kontinentit të vjetër.

A ka ndryshuar gjë në këtë kuadër?

Duket se po. Një pjesë e mirë e forcave ekstreme të djathta në Evropë, por edhe në SHBA, nuk e shikojnë më NATO-n si të nevojshme. Përkundrazi, e trajtojnë si pengesë në realizimin e objektivave të tyre egocentrike, respektivisht nacionaliste.

Pretendimet për ta prezantuar luftën si produkt të strategjive që flasin ne dobi të legjitimitetit të njërës apo palës tjetër që ta kenë tutje në zotërim këtë hapësirë, është vetëm vazhdim i dominimit të qasjes dhe interpretimit fals të historisë, sidomos asaj të shek. XVII-të. Dështimi i historiografisë shqiptare dhe politikës për ta prezantuar Kosovën siç ishte de fakto, pra si koloni e fundit në Evropë, po arrin edhe sot që të krijojë terren të përshtatshëm për Serbinë në dobi të mobilizimit dhe mësymjes së saj drejt Kosovës.

Hidromorava

Ka disa javë që në një pikë janë puqur e djathta evropiane dhe e ashtuquajtura e majtë, që de fakto ishte e kontrolluar gjithmonë nga Moska, lidhur me të ashtuquajturën mësymje të NATO-s drejt kufijve të Rusisë. Dërgimi i trupave amerikane shtesë në Poloni dhe Baltik është interpretuar si parapërgatitje për një luftë me Rusinë. Shih për këtë veprimin e Beogradit në raport me Kosovën, këto qarqe po e interpretojnë si të drejtë legjitime të Rusisë për kundërvënie! Te ky qëndrim duhet kërkuar burimin e humorit të zi që gjoja qarkullon në qarqet gjermane në Bruksel. “Amerikanët janë të vendosur që të luftojnë kundër Rusisë deri te gjermani i fundit”.
Stacionimi i mbi 4000 ushtarëve amerikanë dhe 2000 taksave në Baltik dhe Poloni ka prodhuar reagimin e rreptë rus. Përfaqësuesi rus në NATO, Alexander Grushko ndërkohë është shprehur pa ekuivokë se “Rusia assesi nuk do të jetë dëshmitare pasive e këtyre zhvillimeve. Natyrisht se përgjigjja jonë do të jetë në mënyrë absolute asimetrike”. Balancimi me këtë pozicion, nënkupton rikthimin e pritshëm të gjeopolitikës në Ballkan dhe me këtë edhe rishikimin e hartave politike. Në këto rrethana katapultimi në krye të Republikës i marionetave të shërbimeve serbe dhe atyre të afërta me shërbimin serb, sikur i ka krijuar parakushte të favorshme Serbisë për përshpejtimin e skenarëve të rinj ndaj Kosovës. Opinioni ynë ia rikujtoji reagimin qesharak të të vetëquajturit president, kur ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, nga Tirana, shtatorin e vitit të kaluar, paralajmëroi se “mund të ketë luftë në mbrojtje të kufirit”, ndërkaq presidenti i vendit Hashim Thaçi e kishte quajtur këtë deklaratë qesharake. “Ballkani po rrezikohet prej stuhive të reja, për bindjen time, dhe nëse nuk ndryshon diçka, atëherë, në 4 -5 vitet e ardhshme, më shumë ka gjasa që të ketë luftë, sesa që të mos ketë luftë. Nuk po them që do të ketë luftë, mirëpo nëse nuk ndryshohet diçka, nëse nuk fuqizohemi e organizohemi, nëse nuk i zmbrapsim këto apetite, atëherë dobësia jonë do të shndërrohet në një magnet për apetitet e shtuara të të tjerëve, dhe asisoj ne rrezikojmë që edhe një herë të ndodhemi para konflikteve të përgjakshme”, kishte thënë Kurti. Kjo deklaratë plot vizion e Albin Kurtit, vërteton edhe një herë faktin se përse personalitete të këtij kalibri edhe në historinë tonë më të hershme, ishin margjinalizuar ose edhe më keq ishin mbajtur peng. Të kujtojmë momentet kritike që po kalonte Kombi në verën dhe vjeshtën e vitit 2012. Atëbotë Serbia kishte arrestuar Hasan Prishtinën dhe e mbante peng në burgun e Zabelës afër Beogradit. Edhe më ashpër ishte sjell me Ukshin Hotin, fillimisht duke e burgosur, e më pas duke e likuiduar fare. Natyrisht Serbisë i konvenonte ta kishte në tavolinat e bisedimeve një Rugovë paqësor e xhuxh politik apo një të ashtuquajtur skifter, siç cilësohej gabimisht Hashim Thaçi!

Por deklaratën e presidentit serb Tomislav Nikoliq, të dhënë fill pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur për rastin e trenit, kur, pengimin e trenit rus për të hyrë në Kosovë duke e cilësuar si provokim për të nxitur luftë nga ana e Prishtinës, dhe kërcënimin se nëse edhe një herë ndodhë kështu, Kosova do ta pësojë keq, Thaci shtrëngohet ta marrë me seriozitetin më të madh.

Ngjarjet e fundit flasin për një mësymje të Beogradit; për strategji gjithëpërfshirëse. Insistimi i Serbisë është i hapur: ajo insiston në krijimin e rrethanave ku projekti për Republikën e Kosovës do të cilësohej si i dështuar.

Aksioni i njësisë speciale ROSU, sado që i iniciuar me shumë vonesë, ishte me vend dhe për fat, u mbyll me sukses. Ai i dëshmoi Beogradit se nuk i mjaftojnë marionetat që heshtin dhe mbrojtjen e Republikës e orientojnë te lufta në “Facebook”. Kosova nuk është dhe nuk do të jetë çështje për të cilën vendosin marionetat e saj! Rreth veriut të Kosovës u mobilizua një Komb i tërë. Djemtë e ROSU-s shkonin drejt veriut duke kënduar, pavarësisht se në ndërdije e kishin parasysh se edhe mund të mos ktheheshin. Përgëzime për djemtë e shkëlqyeshëm të ROSU-së! Por, vend për eufori nuk ka. Ariu rus është tutje në lëvizje. Ai po kërkon pikën e dobët për ta provokuar NATO-n. Veriu i Kosovës mund të jetë një pikë e tillë. Atë që Serbia nuk arriti dot ta bëjë në vitin 1999, duke përballuar 78 ditë bombardimet vetëm e vetëm që ta përçajë aleancën ushtarake NATO dhe BE-në, po pretendon t’ia arrijë tash. Nëse dështoi aneksimi i butë i veriut nëpërmjet trenit rus, plani B i Beogradit dhe Moskës mbetet i hapur – varianti i një “Blic Kriege” (Lufta vetëtimë) dhe krijimi i faktit të kryer në veri. Institucionet e sigurisë do të duhej të ishin në gjendje alarmi. Kërkohet unitet politik dhe vendosmëri.

Në Kuvend urgjentisht do të duhej të silleshin aktet e karakterit juridiko-politik për shndërrimin e FSK-së në ushtri. Interesat për shtetin dhe kombin janë mbi te gjitha.