Riemërimi “mbush mend” gjyqtarët e prokurorët

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe “sita” nëpër të cilën ia kanë arritur të kalojnë shumë prej tyre dhe shumë të tjerë që nuk kanë arritur të kalojnë, ka bërë që sistemi gjyqësor i Kosovës, ndonëse është i perceptuar si i korruptuar, të karakterizohet me pak gjyqtarë e prokurorë që në tri vitet e fundit të etiketohen për shkelje ligjore.
Por, edhe ato pak raste që janë, tashmë do të trajtohen kryesisht nga ndërkombëtarët ngase Agjencia Kundër Korrupsionit që për vite ka dërguar me dhjetëra kallëzime penale në prokurorinë vendëse nuk është e kënaqur me rezultatet që kanë treguar po këta prokurorë e gjyqtarë vendës kur flitet për rastet që janë kundër kolegëve të tyre.
Krahasuar me vitin 2007 kur në sirtarët e hetuesisë në mesin e qindra lëndëve kanë qenë dhjetëra sosh edhe për gjyqtarë dhe prokurorë, vetë këta të fundit tashmë numërojnë në gishta lëndët ndaj kolegëve të tyre që kanë pasur në duar për t’i hetuar në tri vitet e fundit.
Gjithashtu numër të rasteve shumë më pak prezanton edhe Agjencia Kundër Korrupsionit e cila në vitin 2008 kishte përgatitur kallëzime penale për 25 gjyqtarë e prokurorë derisa në nëntë muajt e parë të këtij viti ka përgatitur kallëzim penal vetëm për tre sosh.
Rastet dërgohen te EULEX-i
Pavarësisht gjendjes aktuale, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se edhe ato pak raste që i kanë, tashmë nuk i dërgojnë te prokurorët vendës, por tek misioni EULEX, ngase e kaluara ka treguar se gjyqtarët dhe prokurorët vendës, po i mbyllin shumë shpejt rastet dhe pa ndonjë rezultat të hetimeve, kur bëhet fjalë për kolegët e tyre prokurorë apo gjyqtarë…(Zëri)