Deda: Aplikimi për anëtarësim në BE s’është në tavolinë në Bruksel, shqyrtimi ishte pjesë e pakos me Asociacionin, Kosova e refuzoi

/ 2 minuta lexim

Ish-deputeti Ilir Deda thotë se kërkesa e Kosovës për ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian aktualisht nuk është në tavolinë në Bruksel, pavarësisht se zyrtarët kosovarë besojnë se ka ardhur momenti.

“Të gjithë mund të presin diçka. Pavarësisht kërkesave të tilla, ka pritshmëri konkrete të Bashkimit Europian dhe Gjermanisë nga qeveria e Kosovës dhe vendimet që do të merren në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit më 14 tetor, i cili më pas mund të hapë derën për diskutime shtesë në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Deda për “Kosovo Online”.

Ai kujtoi se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte “pjesë e pakos” që përfshinte edhe shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, por të cilën Qeveria e Kosovës e ka refuzuar.

Mobi Casa

“Kjo është shqyrtuar kur ishte aktuale çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe kur Kosovës iu kërkua që në Gjykatën Kushtetuese ta dorëzojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim. Në atë kohë, pjesë e pakos më të gjerë të marrëveshjeve ishte edhe shqyrtimi i vendimit të Bashkimit Europian për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, të cilin Kosova e kishte paraqitur dy vjet më parë. Tani nuk është më në tavolinë dhe nuk besoj se po mendohet brenda BE-së”, tha Deda.

Kosova më 15 dhjetor 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së e kishte pranuar aplikimin, por më askush nuk e ka shqyrtuar atë.

BE-ja e thekson vazhdimisht rëndësinë e rezultateve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për përparimin e të dyja vendeve në rrugën e tyre europiane.