Riciklimet e koalicionit vulosin dështimin qeveritar

Plotësimi i vendeve vakante në Ekzekutivin “Mustafa”. Me ministrat që dështuan nuk priten rezultate
Sipas analistëve, përfundimisht po shuhen shpresat dhe pritjet për ndryshime pozitive. Me këtë qasje të kësaj klase politike nuk pritet të ketë kurrfarë ndryshimi, as në reduktim të dikastereve qeveritare, as të përmirësimit të politikave sektoriale qeverisëse
Vendimi përfundimtar i partnerëve PDK- LDK, për të ashtuquajturin riformatim të shumëpritur të kabinetit qeveritar, që ka përfunduar të enjten, vetëm me një rirreshtim figurash politike në Qeverinë e Kosovës, nga analistët politikë po vlerësohet si lajm i keq që i ka ndodhur Kosovës, dhe si dëshmia më e mirë se këto dy subjekte politike nuk janë të gatshme për ndryshime dhe kthimin e shpresës së qytetarëve, por një vazhdimësi e qeverisjes së dështuar të PDK-së në dy mandatet e kaluara.
Sipas analistit politik Blerim Burjani, me rikonfirmimin e qëndrimit për të mos bërë ndryshime të tjera në Qeveri, por vetëm plotësimin e dy pozitave vakante me rirreshtim figurash, edhe në pjesën e mbetur të mandatit, nuk priten ndryshime pozitive, qoftë për reformim kadrovik apo edhe racionalizimin e dikastereve qeveritare. “Përfundimisht po shuhen shpresat dhe pritjet për ndryshime pozitive. Me këtë qasje të kësaj klase politike nuk pritet të ketë kurrfarë ndryshimi, as në reduktim të dikastereve qeveritare, as të përmirësimit të politikave sektoriale qeverisëse. Kosova ka 19 ministri, së paku 40 zëvendësministra, derisa Kina ka 23 ministri e vetëm katër zëvendëskryeministra si dhe një kryeministër. E bazuar në atë që thuhet se do të ketë evoluim, përsëri shihet se nuk priten ndryshime, sepse nuk ka vullnet të tillë”, theksoi ai. “Tash dihet shumë qartë se a ka qenë pozitive a negative qeverisja e deritanishme në shumë dikastere, kur nuk po shihet kurrfarë rezultati, me disa përjashtime simbolike”, theksoi ai./kosova sot/