Uji Dea

Ribotohet “Bomba….”

/ 6 minuta lexim

Romani i zhanrit “triller” i Albatros Rexhaj është rrugës për t’u bërë “best-seller”.

Express: Brenda pak ditësh u shitën pothuaj se të gjitha kopjet e romanit tuaj. Sipas jush ku qëndron arsyeja prapa këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

Albatros Rexhaj: Përpos faktit se romani është një rrëfim interesant, mendoj se çelësi i suksesit qëndron në punën time të përditshme në projektin “Filozofia Urbane” në Facebook. Lexuesit e rregullt të kësaj faqeje janë ata të cilët, me të dal romani në shitje, e kanë thyer akullin e parë. Faktor tjetër është përfolja sepse shumica e lexuesve që e lexojnë romanin atë ia rekomandojnë këtë edhe dikujt tjetër. Të gjithë e dimë se marketingu më i mirë është ai që bëhet gojë më gojë në mes të dashamirëve të librit. Unë pres që romani të lexohet dhe të rilexohet. Mbi të gjitha pres që të përflitet dhe mendoj se përfolja vetvetiu është tregues i suksesit dhe i ndikimit te lexuesi.

Express: Çka e veçon këtë roman nga romanet tjera që shkruhen në Kosovë?

Albatros Rexhaj: E para është se kur është shkruar unë nuk kam menduar brenda kornizave të lexuesit shqiptar në Kosovë, por e kam shkruar një vepër për të gjithë lexuesit shqiptar kudo që ata mund të janë. Për këtë arsye romani “Bombë në Beograd” është botuar nga BOTIMET DUDAJ në Tiranë dhe është romani i parë i një shkrimtari të gjeneratës së re nga Kosova që plasohet në Shqipëri. Tjetër element dallues është zhanri dhe forma e të rrëfyerit, që është vlerësuar si formë unike për të gjithë letërsinë shqipe, sepse është një frymë e re. Romani e kultivon një të rrëfyer dinamik, plot aksion dhe ankth, intriga, konspiracion, kthesa të papritura. Lexuesit thonë se rrëfimi i mban të lidhur që nga faqja e parë e deri në fund dhe se ngjarjen e shohin si në film. Ky fakt mua më gëzon tej mase.

Express: Për këtë roman ka pasur interesim si në Kosove ashtu edhe në Shqipëri. A është shitur më shumë në Kosovë apo në Shqipëri?

Albatros Rexhaj: Është herët të flitet për statistika të sakta por mendoj se është pak a shumë e njëjtë. Lexuesit në Tiranë janë treguar mjaft besnikë dhe posa ka dalë romani në shitje ata janë nisur drejt librarive. Promovimi në Tiranë ishte një emocion tepër i veçantë sepse aty erdhën shumë lexues të cilët më nderuan me faktin se deshën të takoheshin me mua. Shkaku se romani është shitur brenda pak ditësh ne nuk kemi arritur që atë ta shpërndajmë në shumë qytete të Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu ende nuk kemi arritur ta shpërndajmë në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për këtë arsye romani është ribotuar, tirazhi i ri është shtypur në Tiranë dhe kopjet e reja tani më kanë filluar të shpërndahen.

Express: Ndjeheni keq për faktin se romani nuk ka arritur ende në Ulqin pasi që pesë kapituj të ngjarjes zhvillohen atje? Pse e keni zhvendosur ngjarjen në Ulqin?

Fundamenti

Albatros Rexhaj: Po edhe jo. Ndjehem keq për faktin sepse do të doja që sa më shpejt romani të arrijë në duart e lexuesve në Ulqin por në anën tjetër më gëzon fakti se kjo ndodhë për shkak se na mbaruan kopjet. Shpresoj se shumë shpejt romani të arrijë në Ulqin dhe të lexohet, të rilexohet dhe të përflitet atje. Ulqini është një qytet shqiptar dhe fakti se është bërë pjesë integrale e rrëfimit tim, në një formë e bart këtë mesazh. Unë e dua shumë këtë qytet, sidomos jashtë sezonit turistik, dhe çuditërisht është nga vendet ku më vinë idetë më të mira.

Express: Tashmë e keni promovuar romanin në Prishtinë, Tiranë, Junik. A e keni ndërmend ta promovoni edhe nëpër qytete tjera?

Albatros Rexhaj: Promovimet tradicionale unë nuk i pëlqej sepse më duken shumë të thata sepse shkojnë në stilin hajt të tubohemi dhe ta lavdërojmë njëri tjetrin. Unë i pëlqej promovimet më shumë në formë të takimeve të lira ku edhe mund të bëhet edhe një bashkëbisedim me lexuesin. P.sh në Junik, një ambient shumë tradicional, e kemi pasur një atmosferë shumë të ngrohtë dhe të relaksuar. Unë e kam ndërmend që romanin ta prezantojë pothuaj se çdo qytet dhe qytezë në Kosovë dhe Shqipëri. Na janë lajmëruar lexues edhe nga Tetova dhe shpresoj se shumë shpejt do të jemi edhe atje.

Express: Sa ju motivon suksesi i këtij romani në punën e mëtutjeshme si shkrimtar?

Albatros Rexhaj: Shkrimtari motivohet më së shumti nga lexuesit dhe mu për këtë tani jam duke menduar për projekte të tjera. Megjithatë duhet cekur se unë si natyrë jam një person që nuk merrem fort me atë kush çka thotë dhe çka bënë. Gjithnjë përpiqem t’i shoh gjërat në një perspektivë pozitive dhe të gjejë mirëkuptim për të gjithë. Për as një çast nuk pretendoj që puna ime të jetë e pëlqyer nga të gjithë, por sa më përket mua më mjafton një pakicë e vogël. Unë do të vazhdoj të shkruaj çdo mbrëmje te “Filozofia Urbane” dhe shumë shpejt do të prezantoj edhe një roman të ri.

Rruga e “Bombë në Beograd”

Romani “Bombë në Beograd” është prezantuar në panairin e librit në Prishtinë me 9 Qershor ndërsa në treg në Shqipëri dhe në Kosovë ka dal me 11 Qershor. Me 14 Qershor, botuesi DUDAJ merr vendim që romani të shkojë në ribotim. Albatros Rexhaj është shkrimtari i parë nga Kosova, i gjeneratës së re, që është botuar nga një shtëpi e madhe botuese në Tiranë dhe vepra e të cilit ka pasur sukses në të gjithë botën shqiptare. Romani po ashtu është roman pionier, inovator, sa i përket zhanrit dhe stilit.