Rexhepi: Të vendosur për ligj në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, duke kujtuar operacionin policor të 25 korrikut të vitit të kaluar në veriun e Kosovës, është zotuar publikisht se institucionet shtetërore do të përkushtohen maksimalisht që edhe në atë pjesë të shtetit të vendosen rendi dhe ligji.
Rexhepi në një intervistë për “Epokën e Re”, ka deklaruar se në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë dhe me qytetarët në veri të Kosovës do të sigurohet perspektiva zhvillimore dhe ligjore.
“Do të mbetemi të përkushtuar që në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët tanë atje t’i vendosim rendin dhe ligjin dhe të sigurojmë perspektivë zhvillimore në atë pjesë të vendit”, është shprehur Rexhepi.
Sipas Rexhepit, aksioni i 25 korrikut për shtrirjen e autoritetit në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ka qenë i suksesshëm në shumë drejtime.
“Që nga data 25 korrik 20122 në këto pika kufitare kemi 24 orë në detyrë, zyrtarë policorë dhe doganorë, të cilët zbatojnë legjislacionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se me këtë aksion policor është eliminuar përgjithmonë opsioni i ndarjes së Kosovës.
Ndryshe, ministri i Brendshëm ka bërë me dije se përkitazi me procesin e liberalizimit të vizave, në shtator do ta dorëzojë në Komisionin Evropian, Raportin e Gatishmërisë dhe Vlerësimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së.