Rexhepi: Të gjithë azilkërkuesit do ta kenë fatin e njëjtë

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi deklaroi të enjten se koha e azilit ka përfunduar, ndërsa sipas tij çdo njeri që e merr këtë rrugë i pret fati i njëjtë, disa përfundojnë në kampe të ndryshme, ndërsa disa të tjerë që zihen se nuk e kanë statusin të rregulluar, prapë kthehen në Kosovë.
Ministri Rexhepi këto komente i bëri në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, pas kthimit të kontingjentit të parë të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga Hungaria, të cilët nuk e kishin të zgjidhur statusin legal të qëndrimit.
“Është dëshmuar një thirrje e më hershme e Institucioneve tona që qytetarët tanë të mos bien pre e grupe të caktuara të krimit të organizuar, të cilët abuzojnë me gjendjen sociale të tyre, i mashtrojnë me iluzione se do të shkojnë në vende të caktuara dhe do të punësohen dhe në këtë rast janë viktima. Përveç anës materiale që dëmtohen shpeshherë mund të ndodhë edhe rrezikimi i jetës së tyre”, theksoi ministri Rexhepi.
Ai tha se Qeveria duhet të ju sqarojnë qytetarëve se koha e azilit ka përfunduar, realisht Kosova në shumicën e këtyre shteteve të Bashkimit Evropian është në listën e bardhë, pra një shtet ku nuk ka diskriminim politik dhe ku siguria nuk është arsye e azilit.
“Çdo njeri që e merr këtë rrugë i pret fati i njëjtë, disa përfundojnë në kampe të ndryshme, ndërsa disa të tjerë që zihen se nuk e kanë statusin të rregulluar, prapë kthehen në Kosovë, sigurisht më të varfër se sa kanë shkuar, sepse kanë paguar të holla për grupet e krimit të organizuar”, tha ministri Rexhepi.
Ai tha se është duke u bërë çmos që të kenë mundësi më të mëdha të punësimit, por ky proces është i ngadalshëm dhe nuk bëhen menjëherë mrekullitë, por duhen të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që brenda Kosovës të krijohen kushte për një jetë më të mirë.
Ndërkaq, ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Lorant Balla theksoi së në vendqëndrimet në Hungari vazhdojnë të mbesin edhe rreth 500 qytetarë të Republikës së Kosovë dhe deri më tani numri i azilkërkuesve nga Kosova ka kaluar shifrën e rreth 5 mijë në Hungari.
“Duhet të theksoj se baza për dhënien e azilit nuk ekziston, është nonsens. Meqenëse në Kosovë nuk ka pasur shkelje masive të drejtave të njeriut, atëherë azili është i papranueshëm. Autoritet hungareze në të ardhëm do të shtojnë kontrollet për parandalimin e migrimit ilegal”, tha ambasadori Balla. /Telegrafi/