Rexhepi: Kuvendi ta verifikoj marrëveshjen e demarkacionit para 1 shtatorit

“Tema e demarkacionit kur të kaloj në Kuvend, i takon parlamentit të vendit të gjej zgjidhjen më të mirë, deri aty është punë e institucioneve tjera të cilat e ofrojnë variantin, e dokumentojnë, e faktojnë, mirëpo parlamenti është organi më sovran i vendit i cili duhet të marr vendimin më të drejt politikisht, me pikëpamje politike, kushtetuese e kështu”, ka thënë Rexhepi.
Kanë mbetur edhe më pak se dy javë, kur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të dal ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.
Deri më tani përveç tri partive opozitare VV, AAK, NISMA që janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, ratifikimin e saj e kanë kundërshtuar edhe deputetë nga koalicioni qeveritar, transmeton Indeksonline.
E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi insiston se zgjidhja më e mirë para se marrëveshja të dërgohet në Kuvend, është verifikimi i saj.
“Tema e demarkacionit kur të kaloj në Kuvend, i takon parlamentit të vendit të gjej zgjidhjen më të mirë, deri aty është punë e institucioneve tjera të cilat e ofrojnë variantin, e dokumentojnë, e faktojnë, mirëpo parlamenti është organi më sovran i vendit i cili duhet të marr vendimin më të drejt politikisht, me pikëpamje politike, kushtetuese e kështu”, ka thënë Rexhepi për Indeksonline.
Sipas tij, i mbetet Kuvendit të Kosovës që të verifikoj nëse gjithçka është në rregull me marrëveshjen. Ai ka theksuar se nëse gjithçka del në rregull është mirë, por nëse ka gabime, ato duhet të korrigjohen.
“Të gjitha organet derivojnë nga parlamenti sepse jemi republikë parlamentare dhe parlamenti e zgjedh edhe kryetarin e qeverinë. Parlamentit i mbetet përgjegjësia, ndërsa të tjerët kanë mundësi të propozojnë e rekomandojnë deri atë ditë. Por, në momentin kur hapet debati dhe të gjithë deputetët të jenë në sallë, madje edhe opozita me pikëpamjet e saj, do të shohim se cili është vendimi më i mirë”, ka thënë tutje deputeti Rexhepi.
Ai ka shtuar se parlamenti duhet ta vlerësoj dhe verifikoj punën e qeverisë dhe cdo propozimi të dhënë, në mënyrë që në fund të dal me rekomandimin më të mirë për zgjidhjen përfundimtare që i duhet vendit dhe që është në interes të vendit.
Se a do të kaloj marrëveshja në Kuvend më 1 shtator, Rexhepi ka thënë se nuk është çështje e tija.
“Nuk merrem me asnjë lloj paragjykimi, është në interes të deputetëve që të gjejnë zgjidhjen më të mirë, të krijoj stabilitet për vendin, dhe t’i jap zgjidhjen më të drejt. Një nga alternativat mendoj se është verifikimi i asaj që është thënë deri më tani, nëse deputetët duan të japin një zgjidhje të drejt atëherë duhet ta verifikojmë punën që është bërë. Votimi duhet të bëhet në kushte më të mira, e a është një 1 shtatori nuk ma merr mendja sepse duhet të verifikohet, por sa më shpejt që është e mundur të verifikohet, do të ishte mirë që parlamenti të marr përgjegjësinë”, ka përfunduar Rexhepi. /Indeksonline/